Exclusive: Qamili konfirmon: Uniforma të zeza por pa emblema në Tetovë - tetova1.com

Exclusive: Qamili konfirmon: Uniforma të zeza por pa emblema në Tetovë


Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Mër, Nën 5, 2014





Prezenca e dy personave të veshur me të zeza që kanë legjitimuar qytetarë në rajonin e Tetovës është konfirmuar edhe nga drejtues të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Zemri Qamili ka thënë për “Zhurnal”, se të dielën është konfirmuar se dy persona ende të panjohur kanë keqtrajtuar disa qytetarë në këtë rajon.

“Ka pasur një rast të identifikuar që ka ndodhur të dielën e kaluar, kur edhe kam komunikuar me kryeshefin policor të Tetovës. Megjithatë ata persona nuk kanë pasur ndonjë emblemë, ndërsa kanë kërcënuar punëtorët e Ujësjellësit të Tetovës”, ka thënë Qamili.

Por, Qamili ka deklaruar se ata nuk janë prezantuar si anëtarë të ndonjë garde, siç është duke u spekuluar se ata janë anëtarë të Gardës së Iliridës.
“Po spekulohet shumë edhe në Facebook. Mendoj se nuk meriton që t’i jepet shumë vëmendje, t’i jepet shumë publicitet. Njerëzit këtu i rrisin goxha shumë gjërat”, ka deklaruar Qamili.

Zv/ministri Qamili nuk beson se kjo ngjarje mund të ndikojë në marrëdhëniet ndëretnike.

“Megjithatë, ne si ministri kemi ndërmarrë të gjitha masat në bazë të ligjit. Do të vazhdojmë të mbledhim informata. Jemi duke e përcjellë situatën. Në aspektin policor kjo nuk është situatë shqetësuese”, ka thënë për “Zhurnal”, zv/ministri Qamili.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net