USHT-ja si MPB-ja, thërret studentët në bisedë informative - tetova1.com

USHT-ja si MPB-ja, thërret studentët në bisedë informative


usht1
Kategoria: Arsim / TOP LAJM

Postuar më: Enj, Nën 6, 2014





USHT merr rolin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Merren në biseda informative të gjithë studentët që shprehin pakënaqësitë ndaj Parlamentit Studentorë. Gjatë dy ditëve të fundit, janë marrë në pyetje aktivistët e Organizatës së Studentëve të Pavarur ndërsa sot atyre i është shtuar edhe gazetari i televizionit Alsat, Adrian Kerimi, njëkohësisht student i gazetarisë në USHT.

“Sot me mori në pyetje Komisioni Disiplinor i USHT-së, mua si student, por njëkohësisht edhe si gazetar. Ata dyshonin se unë jam pjesë e një organizate që unë as që e kam idenë se për çka flitet. Puna dhe aktiviteti jem ka qenë gazetaresk dhe unë kam ndjek aktivitetet e tyre pasi që ashtu më është përcaktuar si detyrë. Nuk e di se për çka bëhet fjalë, vetëm e kuptoj se autoritetet e USHT-së, luajnë rolin e MPB-së”, u shpreh Adrian Kerimi, Gazetar dhe Student.

“Ne jemi aktivistë të OSP-së dhe jemi këtë për të treguar se sot ishim të thirrur nga zyrtar të USHT-së, të cilët kishin ngritur një komision disiplinor për ne, duke na akuzuar se nuk i respektojmë instancat ligjore, kemi sjellje të pahijshme dhe se aktiviteti ynë ka shkelur rregullat e USHT-së, si dhe kinse kemi gënjyer se zyrtar të universitetit na kanë bërë presion. Pjesëtarët e atij Komisioni as që kishin idenë se kush jam unë, thjeshtë më kishin thirrur si një mekanizëm të tregojmë se kemi mbledhur atë komision për të marrë vendim, i cili për mu është i papranueshëm por edhe nuk deklarova asgjë”, tha Denis Raufi, Aktivist i OSP-së.

“Aty ishte prezent sekretari i përgjithshëm i USHT-së. Ata më thanë që të jap dorëheqje nga organizata sepse përndryshe largohesh nga Universiteti”, theksoi Agron Sefuli, Aktivist i OSP-së.

Aktivistët e Organizatës së Studentëve të Pavarur, bëjnë thirrje për mbështetjen e nismës së tyre për konsolidimin e Parlamentit Studentor dhe realizimin e kërkesave tjera.

“I bëjmë ftesë të gjithë njerëzve, sepse Universiteti është publik, dhe të gjithë ne duhet bashkuar për të liruar Universitetin nga kjo kapje brutale që është bërë. Kërkojmë njëkohësisht edhe nga gjithë profesorët, mos të humbin dinjitetin, por të dalin hapur dhe ta thonë të vërtetën dhe atë që konsiderojnë se është e drejtë. Ne jemi të vetëdijshëm se jemi në rrugë të drejtë. Të gjithë ata që menaxhojnë me Universitetin të dalin në publik dhe të debatojnë me neve hapur”, tha Zeqir Sulimani, Aktivisit i OSP-së.

Ndërkohë, autoritetet e USHT-së, heshtin lidhur me këto denoncime. Pakënaqësitë në USHT nisën që kur studentët u kushtëzuan të paguajnë taksën 100 denarëshe për Parlamentin Studentorë si dhe kundër kryetarit, Shaban Arsllani për të cilin thonë se në mënyrë jolegjitime është në krye të parlamentit studentor. Për këtë arsye, u formua Organizata e Studentëve të Pavarur, të cilët ditën e hënë shpërndanë fletushka në Universitet, ku bëhej thirrje për ri-formimin e përbërjes e këtij Parlamenti. Studentët përveç kundër takës prej 100 denar, protestojnë edhe kundër mbylljes së studimeve të disperzuara në Shkup dhe qytete tjera. /Isuf Kadriu - Alsat M/

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net