FFM gjobit me 4 000 euro Shkëndijën
|
Vitin e kaluar kompania Ecolog mori përsipër të investojë në KF Shkëndija, mirëpo këtë sezon shkaku i sjelljes së tifozëve në mënyrë indirekte është bërë ‘sponsor’ edhe i Federatës së futbollit të Maqedonisë. Së bashku me gjobën e fundit prej 4 000 eurove, shifra e ndëshkimeve që Shkëndija për vetëm katër muaj të këtij sezoni duhet t’i paguajë FFM-së shkon në 9 500 euro. Ndëshkimi i fundit është 4 000 euro, për shkak të ndodhive në ndeshjen e xhiros së 11-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë me Vardarin në Tetovë. Sjellja jo-sportive, sharjet dhe ofendimet në baza nacionale dhe fetare, shpalosja e mbishkrimeve me përmbajtje ofenduese, ndezja e mjeteve piroteknike në tribuna dhe hedhja e gjësendeve të forta në teren është arsyeja që të mërkurën Komisioni Disciplinor shqiptoi gjobë prej 4 000 euro për Shkëndijën. Ndërkohë kjo nuk është e tëra, pasi në të njëjtën mbledhje Komisioni Disciplinorë i FFM-së nga ngritur procedurë kundër Shkëndijës për ndodhitë në takimet me Metalurgun dhe Renovën. Kjo nënkupton se do të ketë edhe gjoba tjera, që me shumë gjasa do ta rrisin shumën që Shkëndija do të paguajë në arkën e FFM-së, në emër të gjobave për shkak të sjelljes së tifozëve.
Më këtë rast kryesia e Shkëndijës lut tifozët dhe mbështetësit e Shkëndijës që në të ardhmen të jenë më vigjilent, pasi cdo anim që nuk ka të bëjë me sportin dhe sjelljen korrekte në tribuna do të vazhdojë të ndëshkohet nga organet e FFM-së. Sponsori ka marrë përsipër të investojë në Shkëndijë, e jo në Federatën e futbollit të Maqedonisë. Kërkohet anim korrekt nga ana e tifozëve, pasi nëse vazhdohet me këtë rritëm, Shkëndija rrezikon të ndëshkohet pas secilës ndeshje të luajtur si vendas. Drejtuesit janë duke punuar maksimalisht në stabilizimin dhe përforcimin e skuadrës, prej së cilës priten rezultat pozitive, mirëpo edhe publiku duhet të ketë durim dhe mos manifestojë cdo pakënaqësi përmes sjelljes së pahijshme dhe hudhjes së gjësendeve të forta në teren.
Për një Shkëndijë Evropiane duhet shumë punë dhe kryesia ka marrë përsipër këtë barë dhe përgjegjësi për të realizuar kërkesat e sponsorit dhe tifozëve. Të njëjtën duhet të bëjë edhe publiku, pasi bashkë me Shkëndijën paralelisht duhet të rritet edhe vetëdija e tifozëve për të kuptuar se futbolli është vetëm një lojë dhe tribunat nuk janë vendi ku secili ka të drejtën të nxjerë frustacionet e veta, duke dëmtuar kështu klubin për të cilin thiren se e kanë ‘mbi të gjitha’










