Hoda: Marrja e përgjegjësisë anonime nuk ishte praktikë e UÇK-së
Marrja e përgjegjësisë nga një person anonim në emër të UÇK-së nuk ishte praktikë gjatë luftës së vitit 2001, thotë kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Besim Hoda.
Në këtë mënyrë është vënë në dyshim vërtetësia e marrjes së përgjegjësisë nga një organizatë e vetëquajtur si “Ushtria Çlirimtare Kombëtare”, për sulmin me granata ndaj godinës së Qeverisë.
Në një deklaratë për “Zhurnal”, Hoda thotë se nuk kanë ndonjë njohuri se kush mund të jetë prapa kësaj marrje të përgjegjësisë.
“Absolutisht nuk kemi informacione për këtë. Edhe vetë rastin e hedhjes së granatës e kemi marrë me shumë rezervë për shkak se ky pushtet ku ka dominim të jashtëzakonshëm të palës maqedonase dhe bindje të palës shqiptare, mund të paraqesë skenarë të ndryshëm. Mirëpo, sa i përket dhunës që tash është manifestuar me një hedhje të granatës, mund të them se veprimet e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare kanë qenë të hapura”, thotë Hoda.
Hoda ka uruar që çdo shqiptar të ruajë gjakftohtësinë dhe të jetë i vetëdijshëm “të parashikojë çdo situatë në këtë situatë të paparashikueshme”.
“Shteti po mundohet të mbjellë huti ndaj popullatës së vet dhe jo të mbrojë interesat e tyre”, shprehet Hoda.
Duke vlerësuar se situata e përgjithshme është gjithnjë e më rëndë, Hoda dënon aksionet e policisë në lokalet shqiptare.
“Mendoj se situata e përgjithshme është e rëndë, sidomos për ekspeditat që i ka kryer policia gjoja për duhan dhe fatura fiskale. Këto janë të dhunshme, të turpshme dhe njerëzit janë të frikësuar. Ky veprim apatik dhe fushatë ndaj shqiptarëve, duke menduar se gjithmonë kur të jenë bosh arkat e shtetit dhe kur duhet gjendur një fajtor kujdestar, të anatemohen publikisht shqiptarët. Kjo e dëmton prosperitetin e vendit edhe ashtu të koklavitur”, thotë kryetari i OVL UÇK-së.





