The Voice of Albania ndryshe me Gencin
|
The Voice of Albania konsiderohet si një prej formateve televizive më të pëlqyera nga secila grupmoshë. Kemi parë gjatë edicioneve të kaluara prurje te ndryshme dhe çdo vit me nga një anëtar i ri jurie. Edhe këtë vit ndodhi e njëjta. Elsa Lila dhe Genc Salihu iu bashkangjitën këtij formati të famshëm televiziv. Ai që po bën diferencën këtë sezon është padyshim Genci. Nëpër rrjetet sociale është lakuar si një prej trajnerëve më të mirë që ka pasur The Voice of Albania deri tani. I këndshëm dhe shumë i dashur me publikun janë dy veçori të Gencit, mbase këto e plotësojnë akoma më shumë si artist. Ndonëse është shumë i angazhuar kohët e fundit, ai gjeti kohë që ti përgjigjet pyetjeve të portalit Tetova1.
Liridona Kuçi/ Tetova1
Tetova1 - Genc, si po kalon këtë periudhë në The Voice of Albania?
Genc S. - Shumë mirë, faleminderit! Asht nji përvojë shumë përmbushëse.
Tetova1 - E prisje një ftesë të tillë nga stafi i Top Channel për të qënë pjesë e jurisë së The Voice of Albania?
Genc S. - Jo, aspak, ta them të drejten! Ishte krejt e befasishme.
Tetova1 - Çfarë mendimi ke për këto formate televizive? Sa ndikojnë në karrierën e një talenti të ri?
Genc S. - Mendoj se, nëse konkurrentët pjesëmarrës, sidomos ata që mbrrijnë në netët finale, e në veçanti fituesi, kanë fat dhe mundësi ta shfrytëzojnë mirë publicitetin që u ofron ky lloj formati, munden me korrë mjaft sukses. Poashtu, në hapsinën shqiptare, ku industria e muzikës praktikisht nuk ekziston, kjo asht e vetmja platformë promovimi masiv për kangëtarët, dhe si e tillë e ka nji randësi shtesë te ne.
Tetova1 - Cilat janë karakteristikat që ka grupi Gencit që e bën të dallojë nga tre grupet tjera në The Voice?
Genc S. - Asht, siç e kam thanë edhe në raste tjera tashma, skuadër me shumë karakter. Ka varietet, poashtu. Por, mbi të gjitha, ka shumë kualitet. Kam zëra shumë të rrezikshëm në skuadër. Çka asht ma e mira, edhe skuadrat e tjera kanë shumë kualitet. Fillimisht, ne katër coach-ët, për ndonji arsye të çuditshme, e patëm përshtypjen se nuk ka zane shumë të mira. Por me avancimin e etapave të konkurrimit e zbuluem se, në të vërtetë, kemi shumë material të hatashëm në dorë. Këtë po e kupton edhe publiku tash.
Tetova1 - Kthehemi te karriera Gencit. Së fundi publikove një projekt të ri me Cute Babulja-n, ishte kënga “Lule”. Si erdhi deri te ribashkimi grupit, inkuadrimi anëtarëve të ri në grup, etj.?
Genc S. - Qesharake! E krijuem, me Enesin, nji grup krejt të ri me Tomor Kuçin, Fatjon Miftarajn dhe vëllaun tim Arbër Salihun, me nji emën krejt tjetër. Dhe filluem me punu në material të ri, krejt normal, si çdo grup. Por, në nji natë festive, dikush propozoi që thjeshtë të quhemi Cute Babulja, mbasi edhe në fakt kjo ishte nji Cute natyrale. Kaq mjaftoi, shyqyr!
Tetova1 - Tashmë e tutje do të shohim në projekte me Cute Babulja-n apo do të ketë edhe diçka solo?
Genc S. - Cutja prioritet! Duhet të bahet albumi dhe të promovohet live. Kemi kangë shumë të mira.
Tetova1 - Që disa muaj po bën relacionin Prishtinë-Tiranë dhe anasjelltas. Ku ndihesh më mirë? Çka të jep Prishtina që s’të jep Tirana dhe çka të jep Tirana që s’të jep Prishtina?
Genc S. - Prishtina ime e dashtun po kalon kohna të vështira. Asht pak e dhimbshme. Por, si gjithmonë, në errësinë muzika lulëzon, dhe kjo mund të thuhet për Prishtinën - po kalon kohë të artë muzikore. Tirana asht nji qytet shumë vibrant, i bukur dhe i gjanë, me gjelbrim dhe arkitekturë shpesh herë magjepsëse. Asht kryeqyteti ynë! Jam tepër entuziast për Tiranën, dhe për Shqipninë në tanësi. Më duket se asht marrë nji trajektore shumë pozitive që nuk ka kthim mbrapa.
Tetova1 - Top 5-shi i këngëve tua të preferuara për momentin!
Genc S.- Towers nga Bon Iver - Crazy Clown Time nga David Lynch - Nji kangë e re që nuk ia msova titullin nga Edona Vatoci - Minesota poashtu nga Bon Iver - Të sotmen jeto nga Mira Konçi
Tetova1 - E sheh The Voice of Albania si një sfidë për veten apo më shumë çështje eksperience dhe kënaqësie?
Genc S. - Të tria këto, dhe ma shumë!
Tetova1 - Çfarë pret nga The Voice? E parasheh ndonjë prej konkurrentëve të tu si fitues prej tash?
Genc S. - Nuk asht nji temë që e kisha elaboru, sepse asht garë dhe duhen të kenë të gjithë motivim të barabartë.
Tetova1 - Ku do ta gjejmë Gencin pas The Voice of Albania? Ndonjë këngë me ndonjërin nga konkurrentët e këtij edicioni?
Genc S. - Hmmm! Së pari Cute Babulja. Mbas asaj ka shumë projekte të lezetshme, gjithsesi diçka me ndonjanin prej konkurrentëve të voice.









