Teuta Arifi dhe Resi Abdurrahmani kandidat për kryetar dege
|
Teuta Arifi dhe Resi Abdurrahmani janë dy pretendentët kryesor për postin e kryetarit të degës së BDI-së në Tetovë, mëson Aktuale.mk nga burime partiake. Me këtë bien poshtë kombinimet tjera me çka dhe gara pritet të përqëndrohet mu në dy personat e apostrofuar, Arifi e Abdurrahmani. Arifi aktualisht është kryetare e komunës së Tetovës, ndërsa Abdurrahmani është drejtor i Agjencisë për rezerva shtetërore dhe ish sekretar dege i Tetovës.
Për momentin, ende nuk kanë filluar zgjedhjet në Këshillet vendore, para Kuvendit zgjedhor të degës së Tetovës, që sipas paralajmërimeve duhet të mbahet deri në fund të nëntorit. Por, pretendenti Abdurrahmani për Portalb ka thënë se nuk mjafton të kesh vetëm dëshirë, por duhet të kesh edhe përkrahjen e bazës për postin në fjalë. Megjithatë, deri në kandidimin zyrtar, shprehet ai, “ka ende kohë”.
“Sipas asaj që është rregulluar me statusin e partisë, kryetari i degës duhet të ketë përkrahjen e strukturave partiake më të larta të partisë dhe njëkohësisht të gëzojë edhe mbështetjen e bazës. Nëse unë do të kem këtë mbështetje, atëherë do të kandidoj për kryetar të Degës së BDI-së në Tetovë. Me politikë jam marrë që në fëmijëri dhe gjithmonë jam munduar që të jem korrekt dhe i drejtë me të gjithë”, ka thënë Abdurrahmani.
Ditë më parë u mbajt edhe mbledhja e Kryesisë së degës së Tetovës në të cilin u soll vendim për fillimin e zgjedhjeve brenda partiake për degën e Tetovës në të gjitha nivelet. Në mbledhjen e kryesuar nga kryetari aktual i degës Atilla Rexhepi mori pjesë edhe koordinatori për organizimin e zgjedhjeve për zonën 6, Izet Mexhiti.
Në këtë mbledhje, e cila kaloi në atmosferë konstruktive, gjithashtu ishte sjell vendim për formimin e Komisionit për Organizimin e Zgjedhjeve në Degën e Tetovës prej 7 anëtarësh, ku me këtë Komision do të udhëheq deputeti Xhevat Ademi. Kryetar i degës së Tetovës për momentin është Atilla Rexhepi.






