Martesat me “letra” si rrugë shpëtimi, rriten edhe divorcet
|
Kurorë në këmbim të një jete më të sigurt. Kjo është perspektiva të cilën shumë të rinj e shohin duke u martuar jashtë vendit me një nuse, apo burrë me letra. Numri i kurorëzimeve të këtij lloji, po vjen duke u rritur, edhe pse një pjesë prej tyre bëjnë pjesë tek kategoria e martesave fiktive. Tek pjesa shqiptare ky fenomen është më i theksuar në rajonin e Pollogut, aty ku edhe sipas statistikave zyrtare numri i kurorave është i madh. Por, edhe i divorceve. Karakteristike për këtë zonë është se shënon edhe numrin më të madh të personave që migrojnë drejt shteteve të huaja pas kurorëzimit. Shumë të rinj që i drejtohen zyrave të gjendjes civile, e shohin martesën si mjetin e vetëm për të ndryshuar jetën e tyre, të tjerë divorcohen formalisht për të rregulluar dokumentet në vendet perëndimore. Më të preferuara janë vendet e Bashkimit Evropian, por edhe kontinentet e tjera. Sipas të dhënave zyrtare, vitin e kaluar janë divorcuar rreth 300 çifte, ndërkohë që edhe gjatë këtij viti numërohen mbi 250 kërkesa për divorc. Një pjesë e mirë e të cilave jozyrtarisht mësohet se kanë të bëjnë me divorcin fiktiv, në mënyrë që bashkëshortët, përkatësisht bashkëshorti të jetë i lirë që të kurorëzohet me dikë jashtë vendit që ka shtetësi të huaj. Mblesëritë shkojnë përmes linjës së njohjeve familjare, por edhe të sekserëve që rregullojnë njohjet mes personave të interesuar. Rajoni i Pollogut po ashtu renditet si një nga zonat me më shumë kurorëzime, krahasuar me komunat e tjera. Sidomos në Tetovë ky numër është relativisht i madh, apo edhe Gostivar, komuna këto që renditen menjëherë pas Shkupit. Sipas sociologëve dhe psikologëve, një fenomen i tillë është i pritshëm, për shkak të gjendjes ekonomike dhe mungesës së perspektivës brenda vendit. Por, edhe të iluzioneve që krijohen për një botë tjetër që mund të jetë më e mirë sesa ajo ku jetojnë. Psikologu Lulzim Murtezani pohon se reflektimet e rrethanave aktuale të cilat me siguri se atakojnë të rinjtë, atakojnë ndjenjën e sigurisë tek ta, identitetin e tyre, perspektivat apo edhe opinionet lidhur me perspektivën e zymtë.
“Këto janë reflektimet e rrethanave socio-ekonomike të cilat dominojnë shoqërinë tonë. Këto janë mekanizma mbrojtëse të cilat nuk kanë të bëjnë me përkatësinë kombëtare, por më shumë kanë të bëjnë me pasigurinë sociale të njerëzve. Meqë të gjithë të rinjtë përballen me një realitet i cili lëkund besimin e të rinjve, sidomos kur kemi parasysh pavarësinë e të rinjve, një tendencë normale, por ja që gjendja ekonomike nuk ua mundëson këtë. Të rinjtë priren të imitojnë modelet e suksesit të moshatarëve të tyre të cilët gjejnë shpëtimin jashtë vendit”, vëren psikologu. Një tjetër problem, sipas tij, është se kurorëzimet fantome kanë çmimin e vet, i cili i çon shumicën e të rinjve drejt rrugës së asimilimit.
Sipas të dhënave të statistikave, në përgjithësi numri i bashkëshortësive vjen duke u ulur, ndërsa ai i shkurorëzimeve vjen duke u rritur me më shumë se gjatë për qind, ose e shprehur ndryshe shkalla e divorceve është një në një mijë banorë. Sipas të dhënave më të fundit, nga komunat shqiptare përqindjen më të madhe të divorceve e ka Struga (20 për qind), Tetova (17 për qind), ndrysa tek pjesa maqedonase rekordet janë regjistruar në Ohër (40 për qind), Karposhi me 38 për qind, Manastiri e të tjera. Sipas këtyre të dhënave një në katër çifte është i destinuar të divorcohet, tipike kjo për zonat më të mëdha urbane. /koha/










