Tetovë, filloi aplikimi i kardiologjisë intervente
Pacientët që kanë probleme me zemrën, infarkte apo para infarkte dhe që kanë nevojë për vendosjen e stendave, tani e tutje nuk duhet të bredhin klinikave private apo atyre të Shkupit, sepse, nga dita e djeshme, një intervenim i tillë ka filluar të bëhet edhe në spitalin e Tetovës. Intervenimet bëhen nga ekipi profesionist i vetë spitalit klinik ndërsa materialet janë të kualitetit më të lartë, thotë drejtori Florin Besimi,
“Këtë javë u vendos në funksion kardiologjia intervente pra salla e angeo grafisë, pra janë intervenime të reja që i kanë munguar qytetarëve dhe rrethit të Tetovës shkaku se këto intervenime që bëhen këtu sulmet në zemër përveçse mundë të mbarojnë në mënyrë fatale lënë edhe pasoja, pra qytetarët kanë pasur nevojë që këto intervenime të bëhen sa më shpejtë dhe sa më afër. Kjo do ndikojë drejtë për drejtë në ekonominë dhe gjendjen sociale të qytetarëve sepse nuk do kenë nevojë më të shkojnë nëpër qendrat tjera dhe intervenimi sa më i shpejtë për këtë lënë pasoja më të vogla pra pasojat janë minimale nëse intervenimi bëhet më i shpejtë”, tha Florin Besimi. Drejtor i SPK Tetovë.
Gjatë ditës së djeshme janë vendosur katër stenda ndërsa pacientët menjëherë janë lëshuar për kurim shtëpiak. Intervenimet janë bërë në bazë të sigurimit shëndetësor. Ndryshe, ky projekt ka filluar që në kohën e drejtorit të mëparshëm të Spitalit të Tetovës, Atilla Rexhepi, ndërsa ka përfunduar vetëm dy ditë më parë duke kompletuar edhe këtë repart të kardiologjisë intervente. Veç kësaj, në urgjencën e re të spitalit të Tetovës janë instaluar aparaturat më moderne të mjekësisë që do të përdoren për nevojat e banorëve të Tetovës dhe rrethinës. Bashkim Suljemani




