Besa kundër “lisicave” dhe “llopatave”
|
Arsim Zekolli
“Ku ka besë, ka edhe tradhti”- fjali e urtë popullore shqiptare
Shikuar nga distanca e sotme, paralajmërimet e bashkëbisedueses time të çmuar ndërkombëtare (emri është i njohur për redaksinë) dhe njohëse e mirë e vendit dhe rajonit, u tregua si profetike. Në një bisedë të lirë para dhjetë viteve duke u përgjigjur në pyetjen time për kahjen në të cilën do të lëvizë raporti i diplomacisë amerikane ndaj nesh dhe ndaj rajonit, mora përgjigje të qetë, por skalpel të sinqertë se “SHBA dhe diplomacia e tyre, prej tani e tutje nuk do të përkrahin angazhim politik të personave nga mjedisi intelektual vendor”. Me këtë rast, në përgjigjen e saj nuk kishte asgjë që mund të llogaritet si animozitet arrogant ndaj rrethanave vendore ose kritikë të cekët ndaj vendit të vet. Përkundrazi!
Konstatimi i saj ishte një sublimat real-politik i moduseve operative të raportit të secilës fuqi koloniale ndaj popullatës vendore, i konfirmuar me dhjetëra e dhjetëra shembuj gjatë historisë së njerëzimit. I pasqyruar në eliminim të qetë të gjithë personazheve autoktone, autonome de autentike, të rritur dhe të formësuar nga mjedisi për të mirën e të cilit angazhohen. Dhe zëvendësimi ndryshimi gradual i tyre me bojndë(e) luksoz(e) dhe vizuelisht të pasur(a), por përmbajtësisht të zbrazët, cirkusantë “intelektualë bolonjezë” të pushtetit të ri, të cilët duhet të japin imazh sipërfaqësor se “reformat po japin rezultate”. Me ç’rast përfaqësitë domicile diplomatike e marrin rolin e kaminxhonjinjëve hercegovas, duke premtuar se në vend të kuadrove të vjetra dhe të konsumuara “komuniste”, do të fitojmë forca të reja të shërbëtorisë, edhe më të mençura dhe më me përvojë.
Tashmë një kohë të gjatë anekdotën me bashkëbiseduesen e respektuar, e shfrytëzoj si përgjigje ndaj pyetjeve të bashkëbiseduesve të ndryshëm, lidhur me mundësinë për formim të subjekteve dhe lëvizjeve të reja politike. Përkujtimi i fundit pasoi pas intervistës së paradokohshme të njërit prej iniciatorëve të lëvizjes së re, të emëruar Besa, në të cilën i nënvizoi tri shtyllat e angazhimit të tyre politik – autoktone, autentike dhe autoktone.
Gjykuar sipas reagimeve, ky tresh i “A”-ve të mëdha veçmë po shkakton nervozë të madhe te koalicioni BDI-PDSH, i cili tashmë po i lason fushatat e zakonshme të etiketave pështyrëse, gënjeshtrave dhe konstruksioneve ndaj çdo force të re dhe të freskët, që rrezikon pozitat komfore poltroniste të Ahmetit dhe Thaçit. Mirëpo për dallim prej sulmeve të mëhershme të fëlliqura, sulmet e tanishme ndaj Besës, jo vetëm që nuk tronditin askënd, por përkundrazi – duhet të konsiderohen si shpërthime të mirëseardhura, përmes të cilave mund të kemi qasje në plancet e krymosura të dy partive të gangsterizuara të shqiptarëve.
Shqetësimi nga paraqitja fillimisht e Zijadin Selës, e tani edhe të Besës, ka dimensione më të gjera mbipolitike, për të cilat thellësisht është i vetëdijshëm pikërisht dyshi Ahmeti-Thaçi. Ata e kanë të qartë se fytyrat si Zijadin Sela, Afrim Gashi, Zeqirja Ibrahimi, janë paralajmërues të energjisë së re të shqiptarëve. Çka është më me rëndësi, vlerë e re komparative mes të vjetrës dhe të resë, e cila gjithnjë e më tepër do ta vendosë në tapet natyrën vulgare të udhëheqësve të tanishëm shqiptarë, të zgjedhur sipas kualifikativeve cinike të supremacionit etno-maqedonas dhe hipokrizisë të korruptuar ndërkombëtare. E cila tradicionalisht parapëlqen të bashkëpunojë dhe të përkrahë persona rural, gjysmë analfabetë dhe të korruptuar nga gjysmëbota shqiptare, deficiti oratorik i të cilëve nënvizon (dhe nuk konteston) superioritetin intelektual të maqedonasve ndaj “lisicave” të ligavosura të Aliut dhe “llopatave” të topitura të Menduhit. Komplet me “qenët e sharrit” shqiptarë qeveritaro-parlamentarë nga Tetova dhe “tezeve sanitaro – komunale” çairase, të parapëlqyer(a) nga Gruevski, para të cilëve ai gjithsesi mund të shtiret si alfa dhe omega intelektualo-politike dhe ta demonstrojë dominimin maqedonas ndaj shqiptarëve.
Paraqitja e Besës dhe Selës nuk i len indiferent as diplomacitë euro-amerikane, të cilët gjithsesi nuk dëshirojnë që për shkak të “temave të tejkaluara si demokracia dhe liria”, dikush ti rrezikojë rrathët tyre të stabilitetit të vizatuara në rërë, parashikueshmërinë dhe kapo-politikanët domicilë. Dhe t’i privojë nga formula magjike për mbajtjen e shqiptarëve nën thumb, sa herë që do të kërkojnë trajtim të barabartë, përmes dyshueshmërisë së vazhdueshme, herë për kalifate, herë për Shqipëri të mëdha, herë për Kosovë të madhe. Akuzat e koordinuara të lansuara nga hoshtaplerët kabinetikë të BDI-së, si dhe anashkalimi i Maqedonisë nga lista amerikane për ndihmë të juriprudencës, është pjesë e asaj loje me rezultat të parashikueshëm. Pas ankesave të drejtpërdrejta nga Prishtina (por edhe nga Tirana), për përzierje të “strukturave të fuqishme shtetërore, por edhe të partive politike” nga Maqedonia në ngritjen e atjeshme të islamizmit, pas të gjitha fitoreve zgjedhore të BDI-së, të ndihmuara nga satelite vahabiste, pas të gjitha inskenimeve shtetërore të izlamizmave atje ku nuk ka dhe fshehjes së atyre atje ku ekzistojnë, pas gjithë atyre shoqërimeve të diplomatëve amerikanë me islamistët vendorë, gjurmët e hetimit gjithnjë e më tepër merrnin rrjedhë rrethore dhe çonin në drejtim të laboratorëve prej ku edhe lansoheshin. Dhe patjetër duhej të relativizohen.
Për këtë arsye mendoj se injorimi i reagimeve të porositura hoshtaplere nga kabineti i Ahmetit, paraqet hap të qëlluar nga ana e liderëve të rinj të Besës. Përgjigja e tyre nuk guxon të jetë e diktuar nga sulmet cinike dhe manipulative të paramenduara si “politikë e lartë” të integristëve. Por duhet të jepet përmes veprave dhe fjalëve gjatë muajve para nesh dhe të jetë e drejtuar pikërisht atje ku është Thembra e Akilit e BDI-së dhe PDSH-së – në nivel lokal.
Rezultatet zgjedhore paraqesin ilustrim preciz për manipulimet e BDI-së dhe PDSH-së
bazuar në praktikën “fol në nivel nacional-korrupto në nivel lokal”. Ky është një fakt për të cilin Zijadin Sela, por edhe Besa, duhet ët jenë të vetëdijshëm dhe sa më shpejtë të kuptojnë se individualisht janë të dënuar me debakli zgjedhore ose me përfitime të parëndësishme. Por në vend të shkrirjes në një forcë, më adekuate do të ishte të krijoijnë një front të koordinuar në nivel republikan, kurse individualisht të fokusohen në rajonet ku kanë më tepër ndikim.
Momenti i dytë i rëndësishëm është kthimi i inkluzivitetit në selektimin e kuadrove politike, përmes përfshirjes së potencialeve të vjetra dhe të reja, që janë të pakënaqur nga ekskluzivi i korruptuar i BDI-së dhe PDSH-së. Zijadin Sela duhet të distancohet nga kabaetlinjtë struganë, euforitë folklorike dhe vokabularet e devalvuara nacional-politike. Njëherit Besa, gjithsesi duhet të ketë kujdes në mbajtjen e distancës ndaj personave që politikën e kuptojnë si “kuti e këpucëve me dollarë” ose religjionin e vlerësojnë si më të rëndësishëm se demokracia, nga kombëtarja ose modern’ja. Kahja e veprimit të tyre patjetër duhet të bazohet mbiu urbanen dhe modernen, e cila me vetë paraqitjen dhe imazhin e saj, do të japë një kontrast pozitiv ndaj përfaqësuesve aktual të korruptuar nga shinelët e Aliut dhe Menduhit, të cilët pikërisht urbanen e konsiderojnë si “kunj Nasradini” për partitë e tyre. Në çdo rast, fokusi duhet të jetë mbi kualitetet personale, e jo mbi personat e devalvuar, të ricikluar nën brendet ose vulat e konsumuara politike “Sponsored by US and EU Embassy“.
Faktorët e rinj politik Jeune-Albanaise në Maqedoni, paraqiten në skenën politike ku ka shumë Brutusë, por edhe publik të etur për aktorë të rinj dhe i gatshëm t’i shpërblejë me duartrokitje dhe simpati. Prej tyre varet nëse do të përcaktohen të lexojnë dialogë që janë shkruar paraprakisht, ose do të marrin guximin të improvizojnë, imponojnë dhe diktojnë drejtim të ri. Sulmet nga BDI dhe PDSH, kuptohet se do të mbindërtohen edhe me sulme nga pala maqedonase. Por në vend që t’i dekurajojë, kjo duhet t’i inkurajojë edhe më tepër në qëllimin që të jenë agjent pozitiv i ndryshimeve në ndërgjegjen e individit dhe energjisë së shoqërisë, si forcë politike autonome dhe e vetëndërgjegjshme, e cila do t’i japë fund politikës aktuale të favorizimit të Çombëve kolonialë dhe provincialë dhe masakrimit të Patris Lubumbëve reformatorë. Zaten, si në çdo kënetë koloniale, pikërisht emancipimi social i personalitetit paraqet hyrje në kryengritje të masave. /Lajm/















