Ambasadori spanjoll takime me Ahmetin dhe Thaçin
Ambasadori i Spanjës, Ramon Abaroa Caranza sot në Tetovë ka qëndruar në selitë e dy partive shqiptare BDI dhe PDSH.
“Kryetari Ahmeti i uroi mirësardhje në Maqedoni dhe punë të mbarë Ambasadorit Caranza duke shprehur bindjen e vazhdimësisë së marrëdhënieve të shkëlqyera me autoritetet spanjole gjatë viteve. Ambasadori i Spanjës shfaqi interesim për proceset e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian, reformat vendore, rolin e opozitës dhe çështjen e emrit”, thuhet në komunikatën e BDI.
Në këtë takim siç bëhet e ditur është biseduar edhe për kontestin e emrit, ku siç thuhet Ahmeti ka shprehur shqetësime se vonesat për zgjidhjen e këtij kontesti do të jenë rrezik për vendin.
“Maqedonia ka vetëm një alternativë e ajo është integrimi euroatlantik, ndërsa për ta realizuar këtë synim, duhet ta zgjidhim kontestin e emrit. Moszgjidhja e këtij problem na mban në status quo, por edhe na sjell regres. Për këtë arsye, komuniteti ndërkombëtar duhet të kyçet drejtpërdrejt në lehtësimin e arritjes së kompromisit midis Athinës dhe Shkupit sepse zgjidhja është afër ndërsa kompromisi arrihet vetëm nëpërmjet të dialogut të ndërmjetëm”, theksoi Ahmeti duke shprehur nevojën për kthimin e opozitës maqedonase në Parlament.
Në takimin me kreun e PDSH-së, Menduh Thaçi theksohet se është diskutuar për situatën aktuale politike në vend, procesin integrues të vendit, marrëdhëniet ndëretnike dhe tema të tjera me karakter politik.
Kryetari Thaçi në takim potencoi se çështjet të cilat të gjithëve na shqetësojnë janë mungesa e perspektivës euroatlantike të vendit, e veçmas është brengosëse përkeqësimi i pozitës së shqiptarëve si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekomomik, si pasojë e politikave të gabuara të qeverisë aktuale të Maqedonisë.
Në këtë drejtim, Thaçi ka theksuar se PDSH-ja ka zgjidhje për këto probleme me anë të marrëveshjes politike që ofron ajo.
Bashkëbiseduesit ranë dakord se dialogu politik është me rëndësi të veçantë, veçanërisht për vendet aspirantë dhe se rikthimi i dialogut të mirëfilltë politik në mes të forcave kryesore, do të ndikonte në adresimin e drejtë të temave të hapura në vend.
Kryetari Thaçi theksoi se prioritet absolut i PDSH-së dhe i shqiptarëve të Maqedonisë mbeten integrimi në NATO dhe BE, si dhe çështjet e hapura me karakter ndëretnik. (INA)




