Në Bllacë konfiskohen 188 mijë euro dhe marijuanë
Autoritetet doganore të Maqedonisë kanë zbuluar një sasi droge dhe 188 mijë euro në vendkalimin kufitar Bllacë me Kosovën. Gjatë kontrollit të detajuar në dy raste të ndara, janë zbuluar paratë e palajmëruara tek një shtetase e Maqedonisë, e cila po udhëtonte drejt Kosovës.
Në pyetjen e autoriteteve doganore se a posedon diçka për të lajmëruar, shtetasja me inicialet M.E ka theksuar se nuk ka asgjë, por pas dyshimeve policore dhe kontrollit të detajuar tek ajo janë gjetur 190 mijë euro, në çantën e saj personale.
Sipas ligjit për paratë e palajmëruara në valuta të huaja, ato konfiskohen dhe lejohet vetëm posedimi i rreth 2 mijë eurove. Sipas këtij ligji, asaj i janë konfiskuar 188 mijë euro dhe i janë lejuar vetëm 2 mijë euro.
Në rastin e dytë janë gjetur 6 kg drogë të llojit marijuanë në një makinë ‘Opel Astra” me targa të Gjermanisë. Makina drejtohej nga dy persona që posedonin shtetësinë e Gjermanisë dhe se ata po udhëtonin me synim drejt Maqedonisë dhe më pas vendeve evroperëndimore.
Këto operacione zbulimi u bënë gjatë kontrollit të shtuar dje në pikën kufitare Bllacë me Kosovën.









