Edhe BDI e PDSH u formuan nga ish-anëtarë të partive të tjera (INTERVISTA) - tetova1.com

Edhe BDI e PDSH u formuan nga ish-anëtarë të partive të tjera (INTERVISTA)


zeqirjaibraimi
Kategoria: Intervista / TOP LAJM

Postuar më: Tue, Nov 25, 2014





Nismëtari i Lëvizjes BESA Zeqirija Ibrahimi flet për “Zhurnal” në lidhje me thuajse të gjitha çështjet që janë ngritur pas daljes në dritë të kësaj nisme. Intervista me z. Ibrahimi ndalet edhe te zërat se Lëvizja gëzon mbështetjen turke, por edhe pse hedh poshtë pretendimet e tilla, thotë se sikur ky subjekt të vinte në pushtet do t’i jepte përparësi bashkëpunimit me Turqinë.

“Sot të jesh kundër Turqisë nënkupton të jesh me Rusinë e me Serbinë. Madje, edhe kundër Shqipërisë dhe Kosovës”, thotë Ibrahimi.

I pyetur në lidhje me strukturën e Këshillit Nismëtar, i cili u paraqit më 22 nëntor, Ibrahimi nuk mohon se një pjesë e anëtarëve janë ish-pjesëtarë të partive të tjera, por këtë fakt e përligj duke thënë se, edhe dy partitë e tjera shqiptare janë formuar nga ish-anëtarë të partive të tjera.

Ibrahimi flet në intervistë edhe për qëndrimin e Lëvizjes BESA në raport me Marrëveshjen e Ohrit, ndërsa thotë se Maqedonisë i duhet një marrëveshje e re.

Mes nesh ka të panjohur që opinioni do t’i pranojë

Zhurnal: Z. Ibrahimi, gjatë konventës mbajtur të shtunën u paraqitën emrat e Këshillit Nismëtar të Lëvizjes BESA, por përveç emrit tuaj dhe dy apo tre të tjerëve që i ka dëgjuar publiku, të tjerët janë të panjohur. Të paktën në Maqedoni, nuk ka ndodhur ndonjëherë të ketë sukses një parti e re me emra të panjohur…

Zeqirija Ibrahimi: Unë nuk mendoj edhe pikërisht kështu. Mund t’ju numëroj plot shembuj të këtillë dhe të bindeni. Vetëm po ta shikoni pak historinë e partive politike shqiptare në Maqedoni deri më sot, do të bindeni në të kundërtën. Prandaj mendoj se argumenti që nuk ke qenë i njohur dhe kjo të determinon me dështim, kujtoj se nuk mban. Madje, mendoj unë, ky mund të jetë avantazh. Sepse në ambientin tonë sa më shumë që je i njohur, je më shumë i konsumuar dhe krijon më shumë armiq. Prandaj synimi jonë është të promovojmë njerëz që opinioni nuk i njeh edhe aq shumë, por që ata janë të zotët në profesionin e tyre dhe kanë çka të ofrojnë. Unë mund t’ju numëroj dhjetëra të rinj e të reja shqiptare që tashmë po bëjnë emër në botë me suksesin e tyre, por që në Maqedoni pakkush i njeh.

Logjika e veprimit tonë politik është që pikërisht këta njerëz t’ia ofrojmë opinionit tonë, sepse kemi përshtypjen se këta që sot i janë imponuar shqiptarit tonë me a pa dëshirë, e kanë nënçmuar inteligjencën tonë dhe na kanë vënë në pozitë inferiore neve para të tjerëve në këtë shtet. Të jeni të sigurt se shqiptari jonë më shumë preferon një të panjohur në opinion, por që reflekton energji pozitive, inteligjencë, kulturë, moral dhe profesionalizëm, sesa dikë që të gjithë e njohin, por që e njohin me veprimet e tij jo të mira. Kujtoj se tash edhe juve ju kujtohen plot të tillë, andaj nuk po përmend ndonjë emër konkret.

Zhurnal: Në mos të panjohur, disa nga anëtarët e Këshillit Nismëtar janë ish-anëtarë të një partie tjetër, sot thuajse e shuar plotësisht. Komenti juaj?

Zeqirija Ibrahimi: Më vjen keq që as në këtë pikë nuk pajtohem plotësisht me ju. Po a nuk e formuan partinë shqiptare që sot është në pushtet struktura të dy ish partive të tjera shqiptare?! Unë edhe sot mund t’ju numëroj funksionarë të lartë të kësaj partie që kanë qenë anëtar të partive të kaluara dhe kjo nuk paraqet problem. Në këtë pikë ne jemi parimorë. Nuk është me rëndësi a ka qenë dikush në ndonjë parti më parë, sepse aq pak shqiptarë në Maqedoni i gjen që nuk kanë të kaluar politike – vetë ambienti jonë na ka detyruar të politizohemi. Prandaj për neve është me rëndësi se cila është e kaluara e akëcilit pjesëmarrës të tillë në partinë në të cilën ka qenë e jo vetëm pjesëmarrja. Për neve është me rëndësi që derisa ka qenë në ndonjë subjekt tjetër a ka marrë vendime në dëm të shqiptarëve në Maqedoni, a ka pas vetes bagazh të korrupsionit, a ka pas vetes ndonjë skandal moral ose ndonjë bagazh tjetër në dimensionin njerëzor etj. Përveç njerëzve që kanë pas vetes këso biografie, secili njeri tjetër është i pranueshëm. Megjithëse këto kritere kanë bërë që te ne të kemi fare pak njerëz që dikur kanë qenë në ndonjë subjekt tjetër politik.

Madje, unë kujtoj se pjesëmarrja e thjeshtë si kontribut, pa këso elementesh negative, bile mund të jetë avantazh, kjo për shkak të përvojës që mund ta kenë, sidomos për një pjesë prej nesh që nuk kemi pasur këso përvoje. Pra, nuk jam për gjykimin bardh e zi, sepse kjo dioptri asnjëherë nuk na e jep pasqyrimin e saktë të realitetit.

Nëse dikush ka lidhje me Turqinë, është partia në pushtet

Zhurnal: Zgjodhët 22 nëntorin si ditën e mbajtjes së konventës. Një emër dhe një datë kombëtare, nga njëra anë, dhe shumë zëra për lidhje me Turqinë, nga ana tjetër. Cila është e vërteta?

Zeqirija Ibrahimi: “Zërat” janë “zëra”, ndërsa e vërteta është e vërtetë. Nëse dikush ka lidhje me Turqinë sot, këta janë zyrtarët e partisë shqiptare në pushtet. Ata janë çdo ditë në takime të komunave të ndryshme turke, por edhe të institucioneve shtetërore turke dhe kurrë askush nuk i akuzoi se janë antishqiptarë. Fundja, cili është mëkati i bashkëpunimit me Turqinë?! Le ta thonë hapur ata se janë kundër Turqisë, që kështu ta dimë të gjithë se me kë janë. Sepse, sot të jesh kundër Turqisë nënkupton të jesh me Rusinë e me Serbinë. Madje, edhe kundër Shqipërisë dhe Kosovës.

Ndërkaq e vërteta është se ne jemi lëvizja e tri A-ve: autoktonë, autentikë dhe autonomë. Ky është letërnjoftimi ynë. E, kur të jemi në pushtet, nuk e përjashtojmë aspak mundësinë të bashkëpunojmë edhe me Turqinë. Sepse ai vend, pos tjerash, është partner strategjik edhe i Shqipërisë dhe Kosovës. Ne nuk dëshirojmë të jemi demagogë, të tjerët t’i shpifim për turqizëm e si antishqiptarë, ndërsa vetë të vrapojmë orë e çast nëpër komunat turke.

Deklarata e Artan Grubit është për keqardhje

Zhurnal: Një zyrtar i partisë në pushtet e quajti ose, më saktë, u shpreh me aludime për Lëvizjen BESA, si një ideologji e huaj. Nuk pati asnjë reagim zyrtar nga ju, por në vend të tij u shfaq një koment pa emër në disa portale. Përse ngurruat t’i përgjigjeshit një vlerësimi negativ të bërë ndaj jush?

Zeqirija Ibrahimi: Intervistën e atij zyrtari e lexova, ndërsa nuk e di për cilin koment e keni fjalën. Nëse unë bëj një koment, këtë e bëj publikisht, siç e kam bërë gjithnjë, sepse nuk ia kam drojën askujt. Prandaj mund t’ju flas vetëm për pjesën e parë të pyetjes.

Ne nuk reaguam fare, sepse ai vlerësim ishte tejet joserioz që t’i qasesh në mënyrë serioze. Atij që i duket Metodija Shatorov Sharlo si Nexhat Agolli, atij edhe BESA – emblema e shqiptarisë, mund t’i duket si organizatë turke. Çka të thuash pas kësaj? Kjo është për keqardhje, jo për reagim.

Angazhohemi si për çështjet kombëtare, ashtu edhe për ato qytetare

Zhurnal: Ndërkohë që mbani për emër fjalën BESA, deklaroheni si parti që do të jetë në kërkim të zgjidhjeve për qytetarët dhe jo vetëm për shqiptarët. Jeni parti kombëtare apo qytetare?

Zeqirija Ibrahimi: E shoh se në opinion me ose pa qëllim po bëhet një ngatërrim. Ne jemi organizatë politike shqiptare. Emri jonë është “Lëvizja BESA” dhe interesimi jonë është para së gjithash për çështjen shqiptare në Maqedoni.

Megjithatë, ne dëshirojmë të vëmë re se, kur bëhet fjalë për të drejtat kombëtare, ne jemi në betejën për të drejta kombëtare. Pra, nëse duhet të flasim për përdorimin e gjuhës shqipe, për arsimin shqip, për kulturën shqiptare, për simbolet kombëtare etj., ne e konsiderojmë veten si ushtarët më të mirë të kësaj kauze. Ndërkaq, kur flasim për të drejtat qytetare, si e drejta për ujë të pijshëm, për ambiente të gjelbra, për zhvillimin e sportit, por edhe për mirëqenien ekonomike, ne duam që të mos bëjmë diskriminime kombëtare. Nuk mund të themi që në Tetovë duam të ketë ajër të pastër vetëm për shqiptarët. Ajri i pastër është nevojë njerëzore. Ne nuk duam të jemi parcialë, as si maqedonasit që edhe në rrafshin e të drejtave qytetare bëjnë diskriminime etnike, por as si këta shqiptarët në pushtet, që shtiren sikur u intereson vetëm pjesa shqiptare, pra edhe kur kemi të bëjmë me të drejta të përgjithshme qytetare. Ne jemi lëvizje shqiptare aty ku mbrohen të drejtat shqiptare dhe jemi lëvizje qytetare aty ku mbrohen të drejtat qytetare. Në të vërtetë Besa kujton se rregullimi i çështjes shqiptare në Maqedoni është edhe zgjidhja e nyjës së këtij shteti për zhvillim dhe mirëqenie. Prandaj ne mendojmë se, përmes çështjes shqiptare, arrijmë edhe deri te zgjidhjet e çështjeve qytetare.

Marrëveshja e Ohrit ka skaduar, nevojitet një marrëveshje e re

Zhurnal: Çfarë qëndrimi mban Lëvizja BESA për Marrëveshjen e Ohrit? Po për idenë e Parlamentit dydhomësh që proklamohet nga PDSH?

Zeqirija Ibrahimi: Sa i takon Marrëveshjes së Ohrit, ne konsiderojmë se ajo është një marrëveshje e skaduar dhe që tashmë, në rrethana të reja, edhe sikur të implementohet, nuk do t’i jepte frytet e planifikuara në vitin 2001. Le që ajo u krijua në kushte të luftës, të presionit dhe la shumë pika të pazgjidhura. E, përveç kësaj, meqë ishte një marrëveshje që iu imponua maqedonasve me luftë, ata gjithnjë u munduan ta sabotojnë atë, ndërsa këta shqiptarët tanë – për fajin e tyre – nuk arritën ta shtyjnë më tej avancimin e saj, siç ishte projektuar – sepse ajo ishte kornizë që duhej avancuar, ashtu që sot është krejt e pakuptimtë të flitet për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Janë bërë dhjetë vite qëkur ajo është dashur të implementohet plotësisht. Prandaj, ajo sot i shërben vetëm partisë shqiptare në pushtet, që – duke e keqpërdor punësimin në emër të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, që siç dihet as nuk është i drejtë e as nuk është adekuat, që ajo me këto punësime dhe shpresa për punësime të tjera t’i fitojë zgjedhjet.
Në anën tjetër ne mendojmë se Maqedonisë i duhet një marrëveshje e re, që mund të mos quhet marrëveshje, por edhe konsensus politik, që do të arrihej në kushte të paqes, pa trysni dhe presion, ndërsa do të bëhej pasi që maqedonasit e shqiptarët të binden se ky shtet kështu nuk funksionon më. Dhe, në emër të kohezionit ndëretnik, zhvillimit ekonomik dhe integrimit të arrihet një konsensus që do të ketë për qëllim eliminimin e diskriminimit, vendosjen e drejtësisë pa mundësi keqpërdorimi, luftën kundër korrupsionit, integrimin në BE dhe NATO, si dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Sa për çështjen e parlamentit dydhomësh, që ajo parti që ju e përmendni e ka përdorë vetëm si letër në dorë, sepse kur ka qenë në pushtet e ka harruar krejt atë temë, por edhe shtetit binacional e rregullimet e tjera të brendshme, kujtoj se ato mund të jenë objekt diskutimi pasi të merremi vesh për parimet mbi të cilat dëshirojmë të bashkëpunojmë. Sepse pa marrëveshje për parimet vijmë në shkallën që pastaj suksesi më i madh i pjesëmarrjes në pushtet të jetë ndryshimi i emrave të dy shkollave.

Propozojmë nënshkrimin e një Memorandumi të Çështjes Shqiptare

Zhurnal: Cilat janë zgjidhjet që propozon BESA për çështjet e hapura shqiptare në Maqedoni?

Zeqirija Ibrahimi:
Propozimi jonë është që të gjitha subjektet politike shqiptare në Maqedoni, pas një diskutimi të brendshëm – në konsultim edhe me ekspertë të fushave të ndryshme – të hartojnë dhe të nënshkruajnë një Memorandum të Çështjes Shqiptare në Maqedoni, të cilin do t’ua ofronin subjekteve maqedonase dhe asnjëri subjekt shqiptar të mos pranonte të hynte në pushtet pa realizimin e atyre çështjeve.
Nëse nuk merremi vesh për diçka të tillë, që duke i pasur parasysh këto subjektet parlamentare vërtet dyshoj se mund të arrijmë diçka të tillë, atëherë na bie barra që këtë qëndrim ta mbajmë ne vetë. Ndërkaq kërkesa jonë themelore është që këtë shtet asimetrik, ku shteti nuk përkon me shoqërinë, ta kthejmë në shtet simetrik, në shtet i cili e reflekton shoqërinë multietnike. Maqedonia duhet ta pranojë, ndërsa kjo duhet të reflektohet edhe në shtet, se këtu një e katërta janë shqiptarë, ndërsa rreth 40% nuk janë maqedonas. Kur të pranohet ky fakt dhe mbi këtë parim të ndërtohet shteti, atëherë mund të bisedojmë për tema të tjera.

Pa i pastruar temat që kanë të bëjnë me sistemin politik, me barazinë dhe drejtësinë në shtet, nuk do të bisedonim për ndarje postesh e funksionesh. Sepse ne nuk e duam shtetin për shkak të pushtetit, por e duam pushtetin për shkak të shtetit. Ose, shprehur më shqip, e duam pushtetin për shkak të çështjes shqiptare, e nuk e përdorim çështjen shqiptare që ta fitojmë pushtetin.

S’ka rëndësi numri i deputetëve, rëndësi kanë parimet

Zhurnal: Nëse në zgjedhje do të kishit fituar së paku një deputet, do të preferonit pushtetin apo opozitën?

Zeqirija Ibrahimi:
Për neve nuk është e rëndësishme sa deputetë i fitojmë. Edhe me një, edhe me dhjetë, edhe me njëzet ne do të jemi njësoj. Ne do t’u përmbahemi parimeve tona politike dhe vetëm nëse ato pranohen, mund të flasim për pushtet. Ndryshe, nuk e kemi problem të rrimë në opozitë. Ne as nuk i gëzohemi gjendjes së pozitës e as nuk i frikësohemi gjendjes së opozitës. Si pozitë na shtohet përgjegjësia dhe detyrimet, ndërsa si opozitë do të vazhdojmë ta mbrojnë opsionin tonë, pa e pasur frikën se po na arrestojnë për shkak të dosjeve të krimeve, skandaleve, malverzimeve e dukurive të ngjashme. Fundja, u dëshmua se mund të kesh edhe 20 deputetë dhe përsëri të hysh në qeveri pa asnjë kusht.

Bashkëpunim me VMRO? Po, por me kushtet tona

Zhurnal: Do të qeverisnit me VMRO-DPMNE-në, në këto kushte si sot?

Zeqirija Ibrahimi: Për neve nuk është i rëndësishëm si mund të quhet nesër partneri jonë. Për neve është me rëndësi a dakordohemi me të parimisht. Nëse pajtohemi në atë pjesë, nëse pranohet programi jonë politik, nuk e kemi problem të bashkëpunojmë me askënd. Ne duhet të mësohemi që mos ta projektojmë fajtorin te tjetri, por ta shohim fajin në oborrin tonë. Sepse maqedonasit, me ose pa dëshirën tonë, veprojnë për kauzën e tyre, porse ne duhet ta kemi hallin tonë si shqiptarë. A e dimë ne se pse duhet të marrim pjesë në pushtet? A e dimë ne se cili është vizioni jonë afatgjatë në Maqedoni? A e dimë ne se cili është vizioni jonë afatshkurtër etj? Nëse nuk u jemi përgjigjur këtyre pyetjeve, s’kemi çka e kërkojmë fajin te tjetri.

Zhurnal: Në paraqitjet tuaja jeni të përmbajtur kur iu referoheni partive të tjera shqiptare. Është kjo një strategji apo një “e metë” e juaj?

Zeqirija Ibrahimi: Nuk do të kisha thënë se është as e metë e as strategji. Kujtoj se kjo ka të bëjë më shumë me formimin tonë intelektual, edukativ, shpirtëror e njerëzor. Ne nuk duam të merremi me politikë që të merremi me njerëzit e tjerë. Le të bëjë kush çka të dojë! Ne merremi me fenomenet politike dhe ne e afirmojmë idenë tonë. Kemi plot punë më të mençura e më urgjente se të merremi me ata. Thjesht, kujtoj unë, është humbje kohe dhe nuk ia vlen.

Natyrisht për neve është pak e habitshme si ka mundësi që ata që e kanë marrë përgjegjësinë që, njëra të jetë në pushtet për të realizuar premtimet e përsëritura në disa cikle zgjedhore, kurse tjetra për ta luajtur rolin e opozitës, korrektuesin e qeverisë, të dyja nuk merren me këto punë, por gjejnë kohë të merren me ne. Kjo vërtet e habitshme, apo?!

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net