Mediat e interesit dhe pushteti jonë
Merlind Ramadani
Evoluimi i vazhdueshëm dhe i pakontrolluar i mediave në Maqedoni,në përgjithësi i mediave shqiptare është shoqëruar me një sërë problematikash të lidhura me mungesën e statusit të gazetarit, mungesën e mekanizmave autokritike të mediave, mos respektimi i kodeksit ligjor që nënkupton tërësi rregullash dhe informacionesh në bazë të së cilave do duhet të veprojë çdo medium me përgjegjësi morale dhe etike mbi audiencën e vet.
Kohëve të fundit për fatin tonë të keq na servohen informacione të përpunuara në nivelin më të ulët gazetaresk që ka ndodhur ndonjëherë në historinë e transmetimit të informacionit në Maqedoni.Informacione që nuk kanë të bëjnë me nivel të avancuar të përgatitjes së produkteve mediatike. Informacione që janë të dështuara nga të gjitha aspektet (përveç rasteve të zakonshme tradicionale të informimit, të cilat prapë se prapë kanë shumë mangësi).Cili është roli jonë ndaj mediave që ndalojnë progresin e zhvillimit mental, arsimor dhe edukativ të shoqërisë sonë dhe sa mundemi ne si konsumatorë që të ndalojmë fenomene të çuditshme në rrjetet sociale, televizione etj?! Padyshim që roli jonë është vendimtar dhe më i rëndësishmi përkrah burimeve të informimit nga të cilat ne konsumojmë informacione të padobishme. Ne kemi në dorë mundësinë që t’i falimentojmë të gjithë mediat sociale, televizive ose të shkruara që na rrezikojne ngritjen tonë arsimore, edukative etj,duke mos i zgjedhur si burime tona të informimit.
Shembull: Fenomene si “e famshmja Kallashi”, një femër plot antivlera që prish imazhin e shoqërisë sonë jep kontribut të madh që ne si shqiptarë të përvetësojmë një karakter negativ me plot injorancë në vëmendjen e të tjerëve.Nxitja e urrejtjes fetare, kombëtare dhe ndërkulturore, sigurisht që nuk është në interesin tonë si shoqëri e cila më shumë se kurrë sot ka nevojë për arsimim dhe edukim me kualitete të avancuara. Ruajtja e vlerave tona të mirëfillta kulturore, arsimore, tradicionale, kombëtare dhe fetare,do të ishte rruga e vetme drejt suksesit dhe objektivave të cilat i kemi si shoqëri.Dhe atëherë, kur tek ç’do burim informimi, qoftë televizion, portal, radio, gazetë etj, nuk i gjejmë keto lloje informacionesh dhe në vend të tyre ne na servohen fenomene të cilat nuk përputhen me nivelin tonë si audience duhet t’i bojkotojmë, duke mos i zgjedhur ato si burime informimi.Në këtë mënyrë rrëzojmë ngadalë ideologjinë e tyre mediatike e cila nuk është për tu dëshiruar.Dhe me humbjen e audiencës së tyre do pasonte mbyllja apo falimentimi. Duke marrë parasysh rolin vendimtar që kanë mediat në të gjitha shoqëritë dhe në të gjithë botën, konstatoj ashtu si shumica e konsumatorëve mediatik që mediat këtu tek ne duhet të qasen në metoda dhe parime më profesionale, të bartin përgjegjesi në punën e tyre të informimit,dhe në këtë mënyrë me punë të ndershme në përputhje me të gjitha parimet dhe përgjegjësitë e tyre, sigurisht që numri i audiencës së tyre do rritet dhe puna e tyre do marrë vlerësimin e merituar moral dhe material.





