Studentët shqyrtojnë mundësin e protestës më 1 dhjetor
Plenumi Studentor po shqyrton mundësinë e një proteste tjetër. Jo zyrtarisht mësohet se 1 dhjetori do të jetë data e protestës së ardhshme. “Pasi Kryeministri Gruevski dhe ministri i Arsimit Ademi nuk përfillin kërkesat tona, dalja në rrugë do të mbetet opsioni ynë i vetëm”, - thonë nga Plenumi Studentor për televizionin Alsat. Ministri Arsimi edhe njëherë vërtetoi se nuk do të tërhiqet nga kërkesat e Kryeministrit.
“Nuk do të tërhiqemi nga provimi shtetëror sepse konsiderojmë se i nevojitet arsimit të lartë. Atë që do ta propozojmë ne, sigurisht se do ta diskutojmë me të gjitha palat e përfshira, nëpër çdo universitet, kuptohet edhe nëpër debate publike dhe emisione”, tha Abdilaqim Ademi, Ministër i Arsimit.
Ndërkohë studentët konsiderojnë se këmbëngulja e Qeverisë dhe e Ministrisë së Arsimit për testim ekstern, pasqyron qartë cilësinë e arsimit të lartë në Maqedoni. Sipas tyre, një cilësi e tillë vjen si pasojë e mosrespektimit të vullnetit studentor. Ata bënë thirrje sërish për mbështetje edhe nga universitetet e tjera.
“Duke u nisur nga vetë fakti se Kryeministri dhe ministri i arsimit, tentojnë me çdo kusht të zbatojnë testimin ekstern, tregon qartë nivelin e arsimit të lartë në Maqedoni….nëse anashkalohet vullneti i studentëve, këtu bëhet fjalë për mungesë të demokracisë”, u shpreh Ilir Baftjari, Student.
“Kjo cenon të drejtën tonë për tu shkolluar dhe autonominë e vetë Universitetit, i cili duhet të organizohet brenda strukturës së tij. Unë mendoj se të gjithë duhet të bashkohemi”, tha Teuta Ismaili, Studente.
Por si duket studentët shqiptarë kanë vendosur të qëndrojnë indiferent. Nga ana tjetër, disa media vazhdojnë të raportojnë se pas studentëve qëndron subjekti opozitar LSDM, pavarësisht se studentët e kanë mohuar disa herë një gjë të tillë.









