Qeveria i merr 4 milion denarë Strugës, Komuna akuzon për racizëm - tetova1.com

Qeveria i merr 4 milion denarë Strugës, Komuna akuzon për racizëm


Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Mër, Nën 26, 2014





Komuna e Strugës denoncoi sot vendimin e Ministrisë së Financave për të marrë nga buxheti i kësaj komune mjetet në vlerë 4 milionë denarë që ishin destinuar për shlyerjen e borxhit të shkollave.

Në reagimin me shkrim drejtuar medieve, Komuna e Strugës e quan këtë veprim një sabotim ndaj punës së këtij institucioni dhe racizëm ndaj qytetarëve struganë.

Në reagim thuhet se vetëm gjatë këtij viti, Qeveria ka marrë nga buxheti i Komunës së Strugës 281.058 euro, kurse gjatë vitit të kaluar 426.156 euro.
Këto mjete, sipas reagimit, shkojnë për shlyerjen e borxhit të përbashkët që Qeveria ka me Komunën e Ohrit, në dëm të Komunës së Strugës, nxënësve dhe qytetarëve struganë.

“ Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë për dikë sillet si nënë, e për dikë si njerkë dhe kjo gjë bëhet me paturpësinë më të madhe edhe tek fëmijët. Qeveria ka naftë ,ka para nxënësit për komunat e tjera, kurse për qytetarët e Strugës , jo që nuk jep , por edhe u vjedh para. Kujtojmë se vetëm para dy javësh paguam rreth 10 milionë denarë”, thuhet në reagimin e Komunës së Strugës.

Komuna e Strugës, duke kërkuar nga Qeveria të ndalë “veprimet raciste”, apelon faktorin ndërkombëtar të ndërhyjë në zhbllokimin dhe zgjidhjen e situatës, pasi “kjo mënyrë funksionimi ishte karakteristikë e Afrikës së Jugut ku ‘Aparteidi’ ishte kryefjala e veprimit”.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net