4 fidane apo 3 drunj e 1 fidan? - tetova1.com

4 fidane apo 3 drunj e 1 fidan?


Kategoria: Opinione

Postuar më: Enj, Nën 27, 2014





Hadi OSMANI

Unë jam nga fshati, prandaj mendoj se e njoh shumë mirë agronominë, por kohëve të fundit bimët janë modifikuar dhe kanë dalë ca sorta, që e ke problem t’i dallosh me saktësi. Duken si drunj, por në të vërtetë janë fidane, me shtat janë rritur, por fruta nuk japin. Edhe agronomët, e biologët më të mëdhenj para këtyre sortave heshtin, m’u ashtu si në kohën e grekëve të vjetër - “perënditë” politeiste para fakteve. Dikujt do t’i duket si ofendim, por i jap vetes të drejtë edhe t’i ofendojë, sepse veprimi i tyre dhe tentimi për të ofenduar gjithë këtë popull është mëkat më i madh se ky i imi që ndoshta do ta bëj në këtë shkrim. Dru, që dru janë të tre, ata që i pamë të kapur për një fidani dhe aktronin sikur po bëjnë një vepër historike, diçka më të madhe se Kulla e Ajfellit. Por, dilema e vetme që ende nuk e kam zgjidhur është se, si t’i quajë në të vërtetë, 4 fidane, apo 3 drunj, e 1 fidan? Për njërin që e pamë të gjithë besoj se nuk ka dilema, ai në mes, më i holli me ngjyrë të kaftë ishte fidan. Ishte lehtë për t’u hetuar pasi i takonte sortës tradicionale dhe ishte i pashortuar. Ndërsa këta të tre përreth tij dukeshin si cunga të vjetër, drunj të rritur por shumëkush që i njeh thotë se ata në brendësi janë fidan. Ata janë fidan, janë jeshil, të rritur por të papjekur, të zgjatur e të pa krasitur. Janë drunj për nga funksionaliteti dhe elasticiteti, e fidan për nga pjellshmëria, suksesi dhe rrezultatet që kanë dhënë deri më tani.

Me javë të tëra, muaj e vite, nuk i shohim duke bërë asnjë punë të hajrit, e jo më punë të madhe. Madje, nuk i shohim as për t’ua bërë një pyetje, e jo më për t’u kërkuar ndonjë ndihmë. Dhe pas aq kohësh i shohim nëpër portale e media, të fotografuar rreth një fidani. Njëri ministër, tjetri deputet, e i treti kryetarë komune, desh e shkulën ende pa e mbjellur fidanin e gjorë!. Ja rezultati i funksionarëve shqiptarë në qeverinë, e cila përfundimisht u pa që s’ka të bëjë aspak me shqiptarët dhe është një milion për qind qeveri maqedonase. Entuziazmi me të cilin kishin kapur fidanin, dëshmon se gjatë gjithë kësaj kohe ata nuk kishin kapur asnjë shtyllë të ndonjë objekti në dobi të shqiptarëve, asnjë llopatë për të vendosur qoftë edhe gurëthemelin e një rrugice të fshatit, e lere më të ndonjë objekti shkollor, apo kompanie që do të punësonte të paktën dhjetëra shqiptarë.

Për të qenë ironia më e madhe, që të tre vijnë nga zona e luftës së vitit 2001, që të tretë në fushata e kishin gojën plot UÇK dhe që të tre thireshin në emër të atyre dëshmorëve që ranë në atë luftë. Për çfarë paskan rënë dëshmorët, për një fidan? Turp, për gjestin tuaj dhe nëse pak turp keni, këto ditë nuk do t’ju dilni përpara të paktën fëmijëve tuaj, do të fshiheni të paktën prej atyre.

Turp, që tentuat të nënvlerësoni dhe nënçmoni inteligjencën e 600 mijë shqiptarëve të Maqedonisë, miliona të tjerëve jashtë kufijve dhe në veçanti të familjeve të dëshmorëve, të cilët thoni se i përfaqësoni qoftë në komunë, në qeveri ose në Kuvend.

Jam i vetëdijshëm se gazetaria dhe publicistika, kanë nivel të cilin duhet ta respektojmë ne që shkruajmë. Çështë e vërteta, unë vendosa edhe të mos shpenzoj energji dhe të mos shkruaj më për ju, por ju edhe të vdekurit i ngrini nga varet e le më të dëshpëruarit. Ju me zor i kërkuat këto dhe shumë fjalë të tjera që u thanë këto ditë përmes komenteve të shumta. Andaj, për hajr ju qoftë, fidani bashkë me lëvdatat që ua dha populli.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net