S’e paguani për 8 ditë gjobën, paratë u merren nga llogaria - tetova1.com

S’e paguani për 8 ditë gjobën, paratë u merren nga llogaria


Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Enj, Nën 27, 2014





Ju ka gjobitur policia për një shkelje në komunikacion? Mos prisni shumë, nëse s’keni para nxitoni të gjeni hua për të paguar gjobën, sepse keni në dispozicion vetëm pak ditë, ndërsa në rastet e mospagimit të gjobës mund të keni probleme me Drejtorinë e të Hyrave Publike. Kjo nënkupton se qytetarëve do të mund tu merren paratë për gjobat direkt nga xhirollogaria. Me ndryshimet e Ligjit të sigurisë së komunikacionit rrugor, Ministria e Punëve të Brendshme u ka lënë qytetarëve vetëm tetë ditë afat për të paguar gjobat lidhur me shkeljen e rregullave të komunikacionit. Sipas të dhënave zyrtare, mosrespektimi i dispozitës ligjore që parasheh një afat prej tetë ditësh për të paguar gjobat do të rezultojë me angazhimin e organeve që kanë të drejtë të bëjnë arkëtimin e detyrueshëm të gjobës, shuma e të cilës në një rast të tillë do të rritet me shpenzimet e angazhimit të organit përkatës. “Në rast se personi ose subjekti që ka kryer shkeljen nuk do ta paguaj gjobën brenda tetë ditëve nga dita e lëshimit të saj ose brenda 30 ditëve nuk do të dorëzojë librezën e tij të shoferit për t’u regjistruar pikët negative për shkeljen konkrete mandatpagesa e gjobës do të marrë formën e një dokumenti ekzekutiv, ndërsa punonjësi policor do të dorëzojë mandatpagesën pranë organit që ka kompetenca për ekzekutimin e tij të detyrueshëm”, thuhet në paragrafin 4 të nenit 385 të Ligjit të sigurisë së komunikacionit rrugor. Duke ditur natyrën e problematikës, sipas shumë vlerësimeve, afati tetë-ditor që parashihet për pagimin e gjobave të komunikacionit mund t’u shkaktojë probleme ekzistenciale shumë familjeve. Ky lloj problemesh tashmë ka mbërritur edhe në zyrën e Avokatit të Popullit, pranë të cilës mësohet të jenë ankuar një numër i konsiderueshëm qytetarësh. Në këtë kontekst, Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, i ka cilësuar afatet ligjore si të shkurtra dhe zgjidhje jo e qëndrueshme e cila shkakton telashe të shumta. “Në Zyrën tonë tashmë kemi pranuar ankesa lidhur me afatet e shkurtra, që mund të rrezikojnë ekzistencën e shumë familjeve sepse të njëjtat mund të ballafaqohen me bllokimin e llogarive bankare. Në rastin konkret më të prekur janë rastet sociale. Për këtë arsye mund të them se kemi të bëjmë me një zgjidhje që nuk është e qëndrueshme, që shkakton telashe të shumta. Më konkretisht, për afatet e shkurtra për pagimin e gjobave duhet gjetur një zgjidhje më e mirë, që do të ishte e pranishme nga të gjithë”, tha Avokati i Popullit, Ixhet Memeti. Për sa u përket gjobave, me Ligjin e ri të sigurisë së komunikacionit rrugor janë paraparë një sërë gjobash të rrepta, një pjesë e të cilave është e barabartë ose kalon shumën e një rroge mujore që paguhet në Maqedoni. Sado që mund të duken qesharake një pjesë të gjobave, Ministria e Brendshme ka vendosur të gjobisë për gjithçka. Më saktësisht, ju rrezikoni të gjobiteni me 100 euro nëse policia do të gjejë baltë në gomat e automjetit tuaj, me 30 euro do të gjobiteni nëse do të vendosni të ecni me rolerë në rrugë, me 35 euro mund të gjobiteni nëse do të mbani kafshën shtëpiake në automjet pa e futur në një kuti të posaçme ose me 250 euro mund të gjobiteni nëse fëmija juaj që nuk ka mbushur moshën dhjetë vjeçe do të kapet duke drejtuar një biçikletë. Gjithashtu, ju mund të gjobiteni me 100 euro nëse do të ndryshoni adresën e banimit, por brenda 15 ditëve nuk do të pajiseni me një patentë shoferi të re me adresën e re. E njëjta gjobë mund t’ju shqiptohet edhe në rast se do të harroni në shtëpi patentën e shoferit dhe librezën e shoferit.

/koha/

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net