Teuta Arifi: Unë kam hy në garë pa ‘lutje’ dhe pa ‘kërcënime’
|
As nuk kam lobuar e as kërcënuar askënd që të pres fitore në degën e Tetovës. Kështu ka deklaruar nënkryetarja e BDI-së Teuta Arifi duke lënë për të kuptuar se këtë e ka bërë dikush nga kundër kandidatët e saj Hisen Xhemaili që mori më shumë vota se Arifi dhe fituesi Resi Abdurrahmani. Ajo në një prononcim për Alsat M tha se ndjen përgjegjësi morale për këtë debakël brenda organeve të partisë. Ajo thotë se ky rezultat tregon se si kryetare e Komunës, jo gjithkujt brenda partisë i ka shkuar për qejfi.
“Unë në atë konkurrencë kam hyrë me tërë sinqeritetin pa bërë aspak lobi pa shkuar tek delegatët as ti lus as ti kërcënoj as t`iu ofroj favore që të votojnë për mua. Ai ka qenë një vendim i kuvendarëve dhe atë vendim unë e respektoj. Nuk e përjashtoj mundësinë që për shkak të parimeve shumë strikte që i nxjerri nga kjo bazë e qeverisjes dhe nga ky numër mundë të ja kem prishur qejfin dikujt prej bashkë partiakëve të mijë, mirëpo kryetari i komunës nuk është aty për ti plotësuar dëshirat e ndryshme personale, por është për të qeverisur në emër të qytetarëve dhe për të mirën e qytetarëve”, tha Teuta Arifi, Kryetare e Komunës së Tetovës.
Pas debaklit të djeshëm në degën e Tetovës në rrjetin social në FB qytetarë të Tetovës kanë hapur profil ku kërkohet dorëheqja e saj nga posti i kryetares së Komunës. Arifi i ka porositur të gjithë që kërkojnë dorëheqjen e saj të urdhërojnë të garojnë në zgjedhjet e ardhshme lokale në vitin 2017.
“Kryetarja e komunës së Tetovës udhëheq me komunën e Tetovës në bazë të 24 000 votave që i ka marrë nga qytetarët pa dallim partie apo përkatësie etnike e fetare dhe duke u bazuar në këtë verdikt të qytetarëve unë udhëheq dhe përpiqem atë ta bëj në mënyrën më të drejtë. E sa i përket përballjes me komunën e Tetovës le të urdhërojë kush të dojë që ia mban dhe që mendon që i merr 25 000 vota i pres në fushë të mejdanit, se burrat në fushë të mejdanit takohen”, deklaroi Teuta Arifi, Kryetare e Komunës së Tetovës.
Pas debaklit të djeshëm në kuadër të degës së Tetovës ku Teuta Arifi si nënkryetare e partisë dhe kryetare e Tetovës mezi arriti të merr 21 vota nga gjithsej 120 delegatet, parashtrohet pyetja kush i fitoi 24 mijë votat në zgjedhjet e fundit lokale Teuta Arifi apo BDI-ja.
Bashkim Sulejmani





