BDI pështyn në bunarin e vjetër - tetova1.com

BDI pështyn në bunarin e vjetër


Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Mër, Dhj 3, 2014





A mund te kenë lidhje paralajmërimet e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti se do të ketë vendime të paparashikuara dhe jashtë programit partiak me “bombën” e Zaevit dhe LSDM-në? Ndoshta po. Megjithatë deklarata e deputetit të kësaj partie Artan Grubi i cili tha se LSDM-ja të mos shpresojë se do hyjë në qeveri nëpërmjet Ahmetit e ndryshoi pak situatën.

Analistët vlerësojnë se deklarata e Ahmetit është bërë me qëllim që ai të mbrojë veten dhe rrethin e ngushtë nga “bomba e Zaevit”, ndërsa për deputetin Grubi ata janë të mendimit se ai ka plot karakteristika që i shkojnë për shtat për të qenë zëdhënës i Gruevskit dhe Mijallkovit.

“Deklarata e Ahmetit për vendime të paparashikueshme është deklaratë dramatike për përdorim të brendshëm partiak dhe e dyta nëse ka lidhje me të ashtuquajturën ‘bombë’ të Zaevit, mendoj se Ali Ahmeti në këtë mënyrë kërkon ta shpëtojë lëkurën e vet dhe njerëzve rreth tij që janë zhytur në korrupsion dhe krim gjatë periudhës që janë pjesë e pushtetit”, tha për “Lajm”, analisti Edmond Ademi.

Për sa i përket deklaratës së deputetit Grubi, Ademi thotë se nuk ia vlen që të komentohet.

“Nuk ia vlen të komentohen deklaratat e një personi që nuk di të dallojë figurat kombëtare shqiptare nga ato maqedonase, por gjithsesi kjo karakteristikë e bën atë të përshtatshëm për të qenë zëdhënës i Gruevskit dhe i Mijallkovit”, thotë Ademi.

Dy ditë më parë Ahmeti deklaroi se do të ketë vendime të paparashikueshme që kërkojnë guxim.

“Unë nuk dua të flas tani se cilat do të jenë ato përballje, por mjafton që të gjithë ta dinë se vendi po përballet me një varg problemesh që kërkojnë zgjidhje dhe guxim. Zgjidhje që mund të jenë të paparashikuara dhe jashtë programit tonë”, tha Ahmeti.

Ndërsa të hënën në seancën e Komisionit parlamentar për çështje të mandateve dhe imunitetit, deputeti I BDI-së Artan Grubi tha se LSDM-ja nuk duhet të shpresojë se do hyjë në qeveri nëpërmjet Ahmetit!

“Opozita të mos mbajë shpresë se në qeveri mund të vijë përmes BDI-së dhe Ali Ahmetit, por të kthehen në Parlament. Prej vitit 2002 deri sot, edhe njëra parti edhe tjetra përpiqen të vijnë në pushtet nëpërmjet BDI-së. Fatkeqësisht është për t’u qarë kjo përpjekje, sepse në pushtet vihet nëpërmjet ofertës së mirë. Mandati i deputetit është i fuqishëm, sepse prapa tij qëndrojnë 7.000 - 10.000 votues. Deputetët e LSDM-së, me faktin që botojnë punën e parlamentit, nuk respektojnë vullnetin e votuesve, gjë për të cilën do të dënohen në zgjedhjet e ardhshme”, tha ndër të tjera Grubi.

Pas kësaj deklarate të Grubit, i menjëhershëm ishte reagimi I LSDM-së, sipas të cilëve Grubit do ti shkonte shumë për shtat që të ishte zëdhënës i VMRO-së.

“Me të vërtetë është për keqardhje fakti që ka mbaruar konkursi i VMRO-DPMNE-së për Drejtor të Qendrës për komunikim.

Duke u bazuar në mendimet dhe qëndrimet që i prezanton Artan Grubi në publik, ai do të ishte i denjë për pozicionin drejtor i Qendrës për komunikim në VMRO-DPMNE,” thuhet në reagimin e LSDM-së.

Pas paralajmërimeve të LSDM-së se në dorë kanë “Bombën” që do ta detyronte Gruevskin të largohej nga pushteti, në opinion qarkullojnë mendime të ndryshme për atë se çfarë dokumentesh dhe faktesh ka LSDM-ja.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net