Korrupsioni në Shqipëri dhe Kosovë si në Ekuador e Etiopi
Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, Shqipëria dhe Kosova janë ende në zonën e rrezikut, përsa i përket korrupsionit.
Kosova sivjet radhitet në vendin e 110 së bashku me Shqipërinë. Derisa Kosova ka shënuar përmirësim për një vend, meqë në vitin 2013 ishte e 111-ta, Shqipëria është ngritur nga vendi i 116 ku ndodhej një vit më parë.
Por, të dyja radhiten të fundit në rajonin e Evropës Juglindore dhe ndodhen në grupin e njëjtë me Ekuadorin dhe Etiopinë.
Maqedonia radhitët më mirë nga vendet e rajonit, në vendin e 64-të, duke ulur ndjeshëm korrupsionin sipas Transparency International.
Pas saj është Mali i Zi në vendin e 76-të, Serbia në vendin e 78-të dhe Bosnja në vendin e 80-të.
Sipas Transparency International, korrupsioni është problem për të gjitha ekonomitë.
“Treguesi i Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2014, tregon se rritja ekonomike dëmtohet dhe përpjekjet për të ndaluar korrupsionin zbehen, kur udhëheqës dhe zyrtarë të lartë shpërdorojnë pushtetin për të përvetësuar fondet publike”, citohet të ketë thënë Jose Ugaz, kryesues i kësaj organizate.
Në gjendjen më të mirë sivjet është, Danimarka e cila ka 92 pikë në një radhitje ku pikët zero shënojnë shkallën më të lartë të korrupsionit ku radhiten Koreja e Veriut dhe Somalia.




