Lazim Destani zgjedhet kryetar i Unionit të bizneseve shqiptare në botë
|
Në Vjenë të Austrisë më 6 dhjetor u organizua takimi gjithëkombëtar i Unionit të Bizneseve shqiptare, union ky i formuar në maj të këtij viti me iniciativën e Ministrisë së Diasporës dhe i përkrahur nga UNDP-ja. Nikoqir të këtij organizimi është Rrjeti i bizneseve shqiptare në Austri, i cili funksionon që prej një viti në Vjenë. Unioni i Biznesit i ka rrjetet e veta në 16 shtete të ndryshme të botës. Katër rrjete janë në Amerikë, një në Kanada dhe të tjerat në të gjitha shtetet ku ka shumicë shqiptare në Evropë. Gjatë themelimit të këtij Unioni janë zgjedhur edhe kryetarët e saj. Kryetar global i Unionit është zotëri Nazar Mehmeti, kryetar për Amerikë Elmi Berisha, ndërsa kryetar për Evropë Yll Blakaj. Në këtë takim kryetar nderi u zgjodh biznismeni nga Tetova Lazim Destani i cili mbajti fjalim para të pranishmëve. Sipas tij,forca globale e bizneseve shqiptare, me sinergjinë zinxhirore që mund të krijojë, sot ka shanse të mëdha të ndikojë mbi shumë industri globale duke filluar nga industria financiare sigurime dhe banka, ajo e telekomunikimit, ushqimore, ndërtimore, industiria e patundshmërive dhe shërbimeve tjera që duke u faktorizuar në ekonominë e vëllimit, mund të ndikojë në pozicionime prefereciale të anëtarëve të Unionit në shumë nga këto industri.Ai me këtë rast prezantoi edhe rezultatet e para impresive si dhjetëra kontrata me kompani multinacionale që përfitojnë anëtarët e Unionit të Biznesit shqiptar.”Sigurisht që forcimi i bizneseve tona individuale do të sjellë patjetër forcim akoma më të madh të Unionit dhe si rrjedhojë nga ky potencal do të kenë përfitime trojet tona etnike. Krahas përfitimeve ekonomike, iniciativat e këtilla do tu krijonin mundësi të mëdha punësimi të rinjve tanë në trojet e tyre dhe kjo vetvetiu do ta parandalojë ikjen e rinisë sonë nëpër botë, shumë prej të cilëve bredhin të pashpresë metropoleve të botës, larg atdheut e të afërmve të tyre. Pikërisht këto janë ndër objektivat kryesor strategjik që përbëjnë dhe obligim historik për komunitetin tonë të biznesit.Duke e falënderuar rrjetin e bizneseve shqiptare në Austri për organizimin e takimit dhe pritjen, të gjitha degëve të Unionit u uroj punë të mbarë dhe mirupafshim në takimin e radhës”,tha Destani.















