Për poste në administrat duhet njohja e gjuhës kineze dhe ruse por jo ajo shqipe!!!
|
Ligji i ri për administratë që duhet të hyjë në fuqi së shpejti, zhvlerëson tërësisht gjuhën shqipe. Këtë e konstatojnë jo vetëm deputetët opozitarë shqiptarë, por edhe ata të BDI-së. Kusht për punësim në administratë, me ndryshimet e reja, do të jetë njohja e gjuhës angleze, që duhet dëshmuar me TOEFL certifikatë. Për poste të caktuara madje kërkohet edhe gjuha kineze dhe ajo ruse, por assesi nuk përmendet gjuha shqipe, edhe pse është gjuha e dytë më e folur në Maqedoni. Rafiz Aliti nga BDI-ja thotë se sipas rrethanave në vend, njohja e gjuhës shqipe duhej të ishte kusht i domosdoshëm për punësim në administratë.
“Nëse nisemi prej logjikës me çka ballafaqohet administrata shtetërore këtu te ne, këtu kemi pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme, kemi edhe shqiptarë edhe të tjerë. Pse askund nuk thuhet se duhet të njohin edhe gjuhën e bashkëqytetarëve të vet? Por thuhet vetëm gjuha angleze e kështu me radhë. Mendoj se nëse lëshohemi në këso analiza, shumë gjëra duhet të ndryshohen”, tha Rafiz Aliti, deputet i BDI-së.
Por deputeti i PDSH-së Bekim Fazliu përkujton se në shkurt të këtij viti, dy ligjet për administratë, me gjithë mangësitë e konstatuara nga Aliti, janë votuar edhe nga deputetët e BDI-së. Me këto ndryshime sipas Fazliut, përveç zhvlerësimit të gjuhës shqipe do të vihet në pikëpyetje edhe vendi i punës për administratorët shqiptarë, për shkak të mekanizmit për vlerësimin e të punësuarve, që do të jetë në dorë të udhëheqësve në administratë.
“Ligji është skandaloz, dhe këta deputetët e BDI-së e kanë votuar në shkurt. Dhe tani, me ndërhyrje, me këto ndryshime që duhet të bëhen nuk përmirësohet ligji, apo flas të dy ligjet. Duhet të tërhiqen, të mos hynë në fuqi këto dy ligje. Edhe pa këto ndryshime nëse hynë në fuqi, janë skandaloze dhe katastrofale për shqiptarët. Nuk ke më përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Gjuha shqipe nuk do të përdoret në administratë. Do të largohen nga puna të gjithë të punësuarit shqiptarë. Flasim për vlerësimin, kush do ta bëjë vlerësimin e të punësuarve në administratë? E dini sa udhëheqës shqiptarë i kemi në administratë? Në gishta numërohen”, u shpreh Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.
Ligjet e reja hyjnë në fuqi brenda dy muajve, pra në shkurt të vitit 2015. Në komision parlamentar u shqyrtuan sot ndryshime dhe plotësime të ligjit që kanë të bëjnë më tepër me çështje teknike. Por sipas deputetëve shqiptarë nga dy partitë, duhet të shfrytëzohet kjo procedurë që të ndërhyhet përmes amendamenteve për të mënjanuar mangësitë. Benjamin Arifi










