Ahmeti ka nënshkruar marrëveshje me Gruevskin për Stemën, kryesia nuk e përkrahë?
Autoriteti i pakontestueshëm që ka gëzuar deri tani Ali Ahmeti brenda BDI-së, është rrëzuar si kala prej kartave, në mbledhjen e kryesisë partiake që është mbajtur të dielën në selinë partiake në Reçicë të Vogël.
Shkak për humbjen e besimit që kanë pasur bashkëpunëtorët më të ngushtë te Ahmeti, është propozimi për stemën e re të Maqedonisë, që do të ketë në qendër luanin, plotësisht të njëjtë me luanin që është në stemën partiake të VMRO-DPMNE-së.
Pas debatit disa orësh, për herë të parë që nga themelimi i BDI-së, ka ndodhur që shumica e anëtarëve të kryesisë të mos përkrahin një propozim të Ahmetit. Për këtë arsye, marrim vesh se Ahmeti e ka lëshuar mbledhjen e kryesisë, pa e mbyllur zyrtarisht dhe pa miratuar vendim lidhur me stemën.
“Lajm” në vazhdim në formë kronologjike ju sjell detaje ekskluzive nga kjo mbledhje, bazuar në informata nga burime të sigurta brenda BDI-së.
Burimet tona thonë se Ahmeti ka befasuar anëtarët e kryesisë kur është paraqitur me qëndrim këmbëngulës që BDI të mbështesë me çdo kusht këtë propozim stemë edhe pse kundërshtarët e “luanit” deri në atë moment kanë pritur që Ahmeti të mbajë anën e tyre. Fillimisht ka mbretëruar një heshtje, kurse pastaj një nga një anëtarët e kryesisë kanë filluar të kundërshtojnë Ahmetin.
Mirëpo në vend se të tërhiqet nga qëndrimi i tij, Ahmeti edhe më tepër i ka befasuar anëtarët e kryesisë kur e ka nxjerrë një marrëveshje të nënshkruar me Gruevskin për pranimin e stemës me luan.
Pas prezantimit të kësaj marrëveshje ka ardhur deri te një konflikt i ashpër verbal mes Ahmetit dhe Gëzim Ostrenit, i cili haptazi ka shprehur vërejtje ndaj kryetarit të partisë se ka bë gabim që ka nënshkruar marrëveshje me Gruevskin, pa e konsultuar kryesinë partiake.
Në mbështetje të Ostrenit kanë dalë edhe dy nënkryetarët e partisë Teuta Arifi (e cila ka diskutuar 28 minuta) dhe Sadulla Duraku. Po ashtu kanë kundërshtuar edhe deputetët prezentë: Hazbi Lika, Nora Aliti, Zulfi Adili, Musa Musai, të cilët kanë thënë se nuk do të votojnë stemën, qoftë edhe nëse duhet menjëherë të heqin dorë nga mandatet e tyre. Për habi të të gjithëve, propozim stemën e ka kundërshtuar edhe deputeti Xhevat Ademi, i cili vitet e fundit ka qenë një ndër kuadrot më të afërta me Ahmetin.
“Me këtë paraqitje Ademi e ktheu besimin te shokët e tij se nuk ka devijuar nga çështja kombëtare”, ka deklaruar për “Lajm” një burim i lartë në BDI, që insiston të mbeten anonim.
Kulmi i tensionit ka arritur në momentin kur kundër propozim stemës është deklaruar edhe ministri i drejtësisë, Adnan Jashari. Edhe pse më herët ai u prononcua pro stemës, duke thënë se ajo përmban elemente shqiptare, në mbledhjen e mbrëmshme të kryesisë partiake, Jashari thënë se pas argumenteve që janë paraqitur në opinion, është bindur se stema nuk reflekton interesin e shqiptarëve. Për këtë arsye, edhe ai ka thënë se është i gatshëm menjëherë të japë dorëheqje nga posti i ministrit, por se nuk mund të përkrahë stemën e propozuar.
Qëndrimin e Ahmetit në këtë mbledhje e kanë përkrahur një numër tejet i vogël i anëtarëve të kryesisë, në mesin e të cilëve ministri i arsimit Abdilaqim Ademi dhe ai i ekonomisë Bekim Neziri.
“Prej Ademit e kemi pritur, mirëpo pas kësaj Bekim Nezirit nuk i ka më hije të shkojë dhe të vizitojë varrezat e dëshmorëve”, kanë deklaruar për “Lajm” burime partiake.
I përballur me kundërshtimet këmbëngulëse të shumicës së anëtarëve të kryesisë, Ahmeti i ka pyetur ata nëse do të përkrahin stemën, nëse në propozimin për ndryshimin e ligjit shkruhet se ajo reflekton interesat e maqedonasve, shqiptarëve dhe bashkësive tjera etnike që përmenden në preambulë. Marrim vesh se pas këtij propozimi të Ahmetit, ka ndërruar mendje vetëm nënkryetari i Kuvendit Rafiz Haliti, por jo edhe anëtarë tjerë të kryesisë. Nënkryetari Izet Mexhiti nuk është prononcuar, kurse zëvendëskryeministri Musa Xhaferi nuk ka qenë prezent fare.
Në pamundësi për të siguruar shumicë, Ahmeti e ka lëshuar mbledhjen, pa miratuar vendim konkret, e as pa informuar anëtarët e kryesisë nëse do të ketë mbledhje të re.
Deri tani kanë qenë të shumta akuzat dhe dyshimet nga partitë rivale se Ahmeti “është peng i VMRO-së”. mirëpo për herë të parë dyshime të tilla janë paraqitur edh brenda vetë BDI-së.
“Athua në çfarë hipotekash është futur Ahmeti te VMRO-ja, që me kaq këmbëngulësi mbron këtë stemë?”, është pyetja që parashtrojnë gjithnjë e më tepër në BDI. (r.l.)
BDI: Na duhet stemë euroatlantike
BDI zyrtarisht dolën me këtë qëndrim mbi ecurinë e mbledhjes së mbrëmshme të kryesisë së partisë:
“Kryesia qendrore në përbërje të zgjeruar, me përfshirje edhe të deputetëve dhe ministrave, debatoi rreth iniciativës për ndryshimin e stemës së shtetit me ç’rast u konstatua nevoja për ndryshim të stemës aktuale që do të paraqes shkëputje përfundimtare nga e kaluara komuniste dhe nga ndikimi sovjetik në simbolet e shtetit si dhe do të reflektojë orientimin tonë perëndimor në përputhje me përcaktimet tona strategjike për integrim Euro-atlantik. Me këtë rast, u theksua nevoja për konsultim më të gjerë shoqëror me përfshirje të ekspertëve të fushës heraldike dhe historisë”, thuhet në qëndrimin zyrtar të BDI-së.
Derisa BDI vazhdon konsultimet për propozim stemën , ajo është future në rend dite të mbledhjes së Qeverisë e cila do të bojkotohet nga Ministri i Drejtësisë Adnan Jashari, i cili nuk do të merr pjesë në mbledhje. Ndryshe pikërisht Ministria e Drejtësisë është ajo që duhet të propozojë në parlament ndryshimet për stemën e re.









