Ali Ahmeti dhe “Luani shqiptarë”
|
Fryni era u çel taraba: - Çou Ali se Grujo Aga!
Çou Ali se Grujo Aga,
Me dosjen sejmen përmbrapa!
Shkruan Armend Ademi
Një proverbë romake thotë: “Audi, vide, tace, si tu vis vivere in pace”, që në shqip do të thotë “dëgjo, shiko dhe hesht nëse don të jetosh i qetë”. Por qetësia pasqyron shpirt jorevolucionar dhe ky soj shpirti historikisht nuk ka jetuar, por vetëm ka ekzistuar. Shpirti konsiderohet të jetë diçka abstrakte, që nën petkun “njeri”, vazhdimisht lufton dhe orvatet për një botë relativisht të harmonishme. Ky lloj shpirti, është simbolikë i popujve që dijnë të bëjnë abstrahimin e të mirës nga e keqja, dijnë të dalin në mbrojtje të identitetit kulturor e kombëtar.
Ne shqiptarët, në veçanti shqiptarët e lënë jashtë Shqipërisë me hile të fuqive Perëndimore, jemi njohur dhe njifemi për fanatizmin tonë në mbrojtje të vlerave dhe të drejtave tona. Këtë e kemi dëshmuar sa herë e ka kërkuar nevoja, duke i luftuar qoftë në rrugë diplomatike, qoftë me mekanizma tjerë jo diplomatik ato që padrejtësisht kanë cenuar lirinë, identitetin dhe kulturën tonë. Këtë virtyt tonin së fundmi e dëshmuam në konfliktin e vitit 2001.
Në vitet që erdhën pas konfliktit të armatosur, një paradigmë e parashtruar gjërësisht, ka qenë e mbështetur në mendimin se me përfundimin e konfliktit, do të përfitohej një status relativisht më shpresëdhënës, i cili do të reflektonte të drejtat e barabarta në spektrin politik, edukativ, ekonomik, kulturor etj. Shqiptarët symbyllur besuan se me krahun e luftës në krye, e ardhmja nuk do t’u përkushtohet më betejave ngazëllyese të palës tjetër për diskriminimin e shqiptarëve në çdo fushë dhe mbrojtjen e idesë se Maqedonia është vetëm e maqedonasve. Por e ardhmja duhej të shpiente në krijimin e kushteve më të mira ekonomike dhe politike, me shpresën se punët e shtetit për çështjen e statusit të shqiptarëve u zgjidhën njëherë e mirë.
Udhëheqësit politik shqiptarë në Maqedoni, në dekadën e fundit vazhdimisht kanë përpunuar pikëpamje në mbajtjen gjallë të shpresës se harmonia do të vinte. Por, harmonia nuk erdhi.
Stagnimi i plotë politik, ekonomik dhe kulturor, nxorri në pah se ai momenti euforik i shqiptarëve të Maqedonisë për shtet të barabartë pas vitit 2001, kishte qenë vetëm iluzion. Në fakt, ai konflikt mëtoi të jetë me tepër një ninullë e bukur, që për vite me rradhë e vuri në gjumë popullin shqiptarë në Maqedoni. Rinia shqiptare në vend që të ishte forca lëvizëse drejt zhvillimit, duket se u hamend nga postet administrative në letër që ju siguronte partia në pushtet, duke ndejtur kështu në heshtje të plotë më shumë se një dekadë. Politikëbërja në Maqedoni në taborin shqiptarë u monopolizua nga dy liderë, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, të cilët pa asnjë kusht po punonin në të mirë të partisë fituese në bllokun maqedon. Kjo dyshe, në mënyrë ngulmuese dhe mbizotëruese i është kundërvënë vite me rradhë paraqitjes së një opozite të mirëfilltë tek pala shqiptare, në këmbim të interesave të po atyre shqiptarëve që i votonin vazhdimisht. Këto “liderë” në skenën politike maqedonase nuk mund të quhen më tepër se marionete e VMRO DPMNE-së dhe liderit të saj Nikolla Gruevski, që duke shkelur mbi interesat kombëtar, ngritën perandori personale të biznesit.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, shqiptarët u ballafaquan me “tiranin miqësor”, blloku qeverisës shqiptarë që kërkonte votën maksimale për të ecur proceset, që asnjëherë nuk kishin filluar dhe ai opozitar që duhej të shpëtonte kokën. I shtyrë nga shantazhet, mashtrimi, kërcënimet, populli përsëri i nxori nga balta dy liderët e tij historik. Një pjesë e elektoratit shqiptarë nuk ua donte ëndja t’i humbin postet e tyre administrative në letër, ndërsa një pjesë tjetër po gënjehej nga ideja që do merrte përsëri pushtetin. Por, pazari ishte bërë dhe zgjedhjet do të ishin vetëm formaliteti i rradhës. BDI ishte “Fitimtari i madh”, të paktën nëse suksesi matet me aftësinë për t’u thënë të tjerëve që mos na zini rrugën.
Udhëheqësit politik shqiptarë në Maqedoni të ushqyer me mendjemadhësinë, e cila i bën të kujtojnë se mund në kontinuitet të mashtrojnë popullin, vazhduan avazin e vjetër. Blloku qeverisës i prirë nga hipokrizia që e karakterizon, ditëve të fundit nuk nguroi të krijojë edhe skizofreni kombëtare, duke përkrahur propozimin për stemën e re shtetërore. Kjo stemë lëre që nuk simbolizon realitetin etnik të vendit, por ashtu siç është shprehur edhe ish deputeti Eshtref Aliu për Alsat M, i cili në vitin 1992 votoi po kundër të njejtit propozim: “përfaqëson një parti e cila dihet ku është themeluar, dihet pse është themeluar, ka qenë një mashë e zgjatur, një paraprijëse e proceseve të interesave të Sofjes, pra bullgare dhe ato njerëz të gjithë kanë qenë bashkëpunëtor atje, luani nuk na takonte neve, pse të imitojmë shtetet që e kanë atë shenjë”.
Paradoksi qëndron tek partia shqiptare në pushtet dhe lideri i saj Ali Ahmeti, i cili këmbëngul që stema të votohet dhe të përkrahet, bile shkon deri aty sa gjen “elemente shqiptare te luani”. Duke e njohur këshilltarin e këtij lideri “Artan Selfien”, nuk befasohem se mund të gjenden elemente shqiptare në këtë stemë.
Edhe njëherë “Fitimtari i madh” në stilin aziatik siç e ka parashtruar Mahathiri, i ndjek synimet e tij kundrejt të tjerëve në mënyra që janë të brishta, të tërthorta, të përpunuara, të përdredhura, pa dhënë gjykime, pa moralizime dhe pa ballafaqime. Pse vallë kaq shumë t’i ndjellë frikë partneri i tij i kolaicionit Ali Ahmetit?!
Fryni era u çel taraba: - Çou Ali se Grujo Aga!
Çou Ali se Grujo Aga,
Me dosjen sejmen përmbrapa!
I fshehur në lokalin e tij të preferuar, “lideri batipalit” i opozitës, me stilin e tij “brendësisht provokues e grindavec” ndaj kundërshtarëve të tij brendapartiak, nuk gjen kohë të bëj detyrën e tij si lider i opozitës.
Por, ky realitet i hidhur nuk ka qenë dhe nuk ka për të qenë fati i pashmangshëm i shqiptarëve të Maqedonisë. Ky marifet i ri politik e taktik, vetëm se e rizgjoi shpirtin e popullit dhe populli përsëri do të del në rrugë t’i luftojë këto faqezi, sepse është zor të gjeni shqiptarë, i cili lejon t’i cenohen vlerat e tij kombëtare.
Shumë shpejt hamenjtë shqiptarë të politikës sllave do t’a kuptojnë se fitorja madhore e tyre nuk është as më pak e as më shumë se një “fluskë sapuni”, që i erdhi koha të plasë. Turpi doli në shesh, kësaj rradhe më i zbuluar se kurrë. Kjo parti që vite me rradhë me premtimet e saj populiste vjen në pushtet, duke mos prodhuar asgjë më shumë se varfëri dhe krizë identiteti për shqiptarët e Maqedonisë, nuk ndjellë asgjë pos të keqes. Përfundimisht ne duhet t’a përmbysim këtë të keqe.









