A ka filluar luftë e heshtur mes Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit? - tetova1.com

A ka filluar luftë e heshtur mes Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit?


Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Tue, Dec 23, 2014





Pakënaqësi të mëdha brenda BDI-së kanë shkaktuar rezultatet e fundit të konkursit për pranim të administratorëve shqiptarë. Njohësit e rrethanave politike, por edhe burime partiake brenda BDI-së, kanë filluar të dyshojnë se rezultatet e këtij konkursi nxjerrin në pah një luftë të heshtur mes kryetarit të partisë Ali Ahmeti dhe zëvendëskryeministrit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi. Bazë për këto dyshime janë emrat e kandidatëve që janë pranuar në këtë konkurs, por edhe të atyre që nuk janë pranuar. Sa për ilustrim, në konkurs nuk janë pranuar dy familjarë të afërt të shefit të kabinetit të Ahmetit, Artan Grubi, që kishin konkurruar në këtë konkurs. Poashtu nuk është pranuar edhe nipi i njërit prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Ahmetit (që tashmë është i ndjerë). Nipi i tij në rrjetet sociale haptazi ka shprehur vërejtje të shumta për rezultatet e konkursit.

I vetmi që deri tani zyrtarisht ka shprehur vërejtje ndaj rezultateve të konkursit të fundit është nënkryetari i BDI-së dhe kryetari i komunës së Likovës, Sadulla Duraku, i cili poashtu njihet si kuadër i afërt me Ahmetin.

Ai ka sulmuar ashpër zëvendëskryeministrin Musa Xhaferi, për shkak të anashkalimit të kandidatëve nga kjo komunë, gjatë pranimit të 180 administratorëve, në konkursin e fundit të SIOFA-s.

Zëvndëskryeministri Xhaferi akuzohet se dëshiron që popullata e Likovës” t’i nënshtrohet”, por edhe për bashkëpunim me presidentin e shtetit, Gjorge Ivanov, sepse siç thuhet në komunikatë, disa kandidatë të pranuar në konkurs kanë votuar për gorge Ivanovin, në zgjedhjet presidenciale që i bojkotoi BDI-ja.

“Jemi shumë të zhgënjyer me veprimin e zv.Kryeministrit përgjegjës për Marrëveshjen e Ohrit z.Musa Xhaferi për përfaqësimin adekuat dhe të drejtë të shqiptarëve nëpër institucionet e shtetit, e sidomos me mospërfilljen e qytetarëve të territorit të Likovës dhe të Kumanovës. Këtë problematikë disa herë e kemi biseduar me Kryesinë Qendrore dhe kemi sjell vendim për pranimin e administratorëve të ri të pranohen të merituarit dhe pranimi të bëhet në bazë proporcionale, ku si bazë të merret numri i banorëve shqiptarë nëpër komuna. Sa i përket familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, ata do të llogariten në kuotën nacionale”, thuhet në komunikatë.
Kryetari i Likovës Sadulla Duraku më tej shkruan se qytetarët e Likovës dhe të Kumanovës nuk i përkulen askujt dhe ndaj ka urrejtje ndaj tyre.
“Qytetarët e Komunës së Likovës janë më të merituarit për Marrëveshjen e Ohritdhe kjo dihet botërisht. Kjo marrëveshje ka dalë nga lufta e vitit 2001 dhe qytetarët e mbështetën dhe i qëndruan besnikë UÇK-së. Për fat të keq MusaXhaferi sillet sikur ky njeri e ka bërë Marrëveshjen e Ohrit. Çudia më e madhe është se në vend se ti favorizojë pak në përindje qytetarët e Likovës, Xhaferi bën të kundërtën, madje ka urrejtje se përse nuk përkulen”, shkruan Duraku.
Ai thekson se Komuna e Likovës dhe qytetarët e saj janë të shqetësuar lidhur me konkursin e fundit për administratë dhe thotë se ka dyshime se ka lidhje mes Xhaferit dhe Ivanovit.
“Jemi të shqetësuar për konkursin e ri për administratorë shtetërorë sepse shumë pak persona janë pranuar. Dua të theksoj se disa persona që janë pranuar si administratorë, 2 ose 3 prej tyre e kanë votuar botërisht Ivanovin, kur ne si BDI e kemi bojkotuar. Kjo na bën të mendojmë për një lidhje mes Ivanovit dhe Xhaferit”, thuhet në fund të njoftimit për media të Komunës së Likovës.

Burime partiake në BDI thonë se edhe funksionarë tjerë të degëve të BDI-së së shpejti mund të dalin me vërejtje dhe akuza publike në adresë të Xhaferit, për shkak të rezultateve të konkursit. Lidhur me këto zhvillime, “Lajm” të enjten nuk arriti të sigurojë qëndrim prej zëvendëskryeministrit Musa Xhaferi.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net