Davutogllu në Shkup, apel për bashkëjetesë dhe paqe
|
Kryeministri i Turqisë Ahmet Davutogllu, e cilësoi si të domosdoshme ruajtjen e harmonisë etnike dhe fetare në Maqedoni, me qëllim të shmangies së konflikteve të mundshme. Davutogllu, i cili në Shkup zhvilloi vizitën e parë zyrtare në cilësinë e kryeministrit të Turqisë, nënvizoi nevojën që të gjitha shtetet e Ballkanit të takohen nën ombrellën e NATO-s, në mënyrë që të ulen tensionet dhe sigurohet paqja dhe stabiliteti i rajonit.
“Turqia mbështet anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe kjo mbështetje do të vijojnë edhe në të ardhmen. Në aspekt të marrëdhënieve politike sigurimi i paqes dhe stabilitetit, si dhe shmangia e ndonjë konflikti etnik apo çfarëdo konflikti tjetër në Ballkan është shumë e rëndësishme..Maqedonia është një shtet strategjik për Ballkanin është zemra e Ballkanit, ku gërshetohen popujt e etniteteve dhe feve të ndryshme, me një fjalë përbën përmbledhjen e Ballkanit. Në këtë kuadër ruajtja e bashkëjetesës etnike dhe fetare në Maqedoni është shumë e rëndësishme”, deklaroi Ahmet Davutogllu, kryeministër i Turqisë.
Nga ana tjetër kryeministri Gruevski, i cilësoi si të shkëlqyeshme marrëdhëniet mes dy vendeve, dhe shprehu bindjen se bashkëpunimi mes Turqisë dhe Maqedonisë do të thellohet akoma më shumë si në fushën e ekonomisë ashtu edhe në sferat e tjera.
“Jam i bindur se bashkëpunimi ynë i gjithanshëm dhe miqësia e sinqertë do të vijojnë edhe në të ardhmen, se marrëdhëniet do të karakterizohen me avancim të vazhdueshëm dhe se do të zhvillojmë projekte ekonomike nga të cilat do të përfitojnë popujt, shtetet tona si dhe rajoni në përgjithësi”, u shpreh Nikolla Gruevski, kryeministër i Maqedonisë.
Davutogllu, vizitën në Shkup e shfrytëzoi për të takuar edhe qytetarët në Çarshinë e Vjetër ndërkohë që vizitoi edhe Xhaminë e Murat Pashës. Semra Jakupi










