Konkursi për inspektorë, Qamili vazhdon të hesht për anashkalimin e shqiptarëve
|
Zv/ministri i brendshëm Zemri Qamili vazhdon të injorojë interesin e mediave për diskriminimin e kuadrove shqiptarë në MPB, e posaçërisht në konkursin e fundit për punësimin e 50 inspektorëve policorë. Ai edhe sot nuk iu përgjigjej thirrjeve telefonike për të dhënë qëndrimin e tij rreth këtyre punësimeve. Gjatë bisedës së tij të fundit ditë më parë, u pa se Qamili nuk ishte as në dijeni se konkursi ka përfunduar, dhe se prej 50 inspektorëve të pranuar vetëm 2 janë shqiptarë. I pyetur rreth përfaqësimit të përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme, ai tha se përqindja e shqiptarëve është e mirë, pa dhënë numra konkret. Ndryshe, në Ministrinë e Brendshme janë të punësuar rreth 19% shqiptarë, shumica në nivele të ulëta, dhe vetëm 13% në poste udhëheqëse. Në disa njësite madje, si “Tigrat” dhe njësiti për ndërhyrje të shpejtë “EBR”, shqiptarët nuk kalojnë as 2 përqindëshin. Për këtë përfaqësim mizor në Ministrinë e brendshme por edhe në shumë institucione tjera, nënkryetari i Kuvendit, Rafis Haliti paralajmëroi seancë të Komitetit për marrëdhënie mes bashkësive, për të kërkuar llogari nga funksionarët të cilët nuk e respektojnë parimin e përfaqësimit adekuat të bashkësive etnike gjatë punësimeve në institucionet shtetërore. Por Haliti nuk saktësoi nëse në Komitet do të jenë në “tapet” edhe funksionarët nga partia e tyre në institucionet përkatëse, të cilët heshtin ndaj këtyre shkeljeve të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Benjamin Arifi










