Miqtë dhe familjarët përkujtojnë Fisnik Markun - tetova1.com

Miqtë dhe familjarët përkujtojnë Fisnik Markun


Kategoria: Lajme

Postuar më: Mar, Dhj 23, 2014





Është mbajtur (të shtunën në ambientet e Panairit të Shkupit) mbledhja komemorative kushtuar Fisnik Markut që ndërroi jetë më 12 korrik të këtij viti. Mbledhja përkujtimore u mbajt në praninë e familjarëve, shokëve dhe miqve nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria.
Fisnik Marku u lind më 21. 12. 1969 në Dibër ku kreu shkollën fillore, të mesmen në Prishtinë, ndërsa Fakultetin e Elektroteknikës në Zagreb në vitin 1995. Gjatë studimeve bashkë me studentët e tjerë ishte përgjegjës për botimin e revistës studentore”Informatori”, ndërkohë që organizonte aksione për mbledhjen e mjeteve financiare për shkollimin e studentëve kosovar në Zagreb. Punësimin e parë e pati në Diners Klub të Zagrebit, e më vonë edhe si sistem administrator përgjegjës për franshizat e Diners në Shqipëri, Maqedoni dhe Bullgari në periudhën 1995-1999. Prej vitit 1999 ishte ndihmës ministër për informatikë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Ndër projektet që udhëhoqi ishin: koordinator nacional për Y2K, udhëheqës i Qendrës së informatikës të KQZ (1999-2004), udhëheqës i projekteve “e-schools”, ”Macedonia connects”(USAID, MASH), anëtar i projekteve Primary Education Projects, Projekti “Kompjuter për çdo fëmijë” dhe të tjera. Është themelues dhe bashkëpronar i UFS-Western Union dhe themelues dhe bashkëpronar i ETC Travel.
Për personalitetin dhe veprën e Fisnik Markut, akademiku dhe ish ministër i Transportit, Abdylmenaf Bexheti theksoi ndër të tjera se, gjatë takimit të tyre të parë Fisniku i ka lënë përshtypje të madhe me disa nga idetë e tij, si angazhimi për ndërtimin e Rrugës së Arbrit që sot po bëhet realitet, për hapjen e një banke shqiptare në Maqedoni si dhe një projekt të ngjashëm me atë që e realizon Digjitalb.
Miku i familjes Marku dhe drejtori i Union Bankës në Shqipëri, Gazmend Kadriu, theksoi ndër të tjera se duke përkujtuar personalitetin e tij, guximin, përkushtimin dhe vizionin për të realizuar hapjen e kompanisë UFS-Western Union në Maqedoni që edhe përkundër shumë pengesave dhe obstruksioneve, është jetësuar si biznes i suksesshëm.
Drejtori i Diners për Maqedoni, Bozhidar Jankovski, theksoi se Fisnik Marku ka vendosur një themel të fortë dhe të paçmueshëm në funksionimin e Kompanisë Dajners në Maqedoni si ekspert i informatikës. Ndryshe, në këtë takim të familjarëve dhe miqve të të ndjerit Fisnik Marku, është shfaqur filmi i shkurtë ”Fisniku, përgjithmonë në zemrat tona”.(F.P-Koha.)

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net