Deri në 30 mijë euro gjobë për universitetet që nuk aplikojnë provimin shtetëror! - tetova1.com

Deri në 30 mijë euro gjobë për universitetet që nuk aplikojnë provimin shtetëror!


Kategoria: Arsim

Postuar më: Mër, Dhj 24, 2014





Ndryshimet në ligjin për Arsimin e Lartë, që kaloi të shtunën në qeveri, parashikon dënime dhe gjoba të ashpra; Rektorët dhe Dekanët që iu lëshojnë diplomë studentëve, pa iu nënshtruar provimit shtetëror, do të dënohen me 1 deri në 3 vjet burg, ndërsa universitetet do të gjobiten nga 10 deri në 30 mijë euro.

Neni 69
“Personi përgjegjës në arsimit e lartë, i cili jep diplomë për studentin se ka kryer studimet e larta, por pa kaluar provimin shtetëror, apo ka lejuar që studenti t’i nënshtrohet provimeve të vitit të tretë të studimeve, pa kaluar paraprakisht provimin shtetëror (në fund të vitit të dytë) do të dënohet me burg nga 1 deri në 3 vjet”.

Neni 167
“Gjobë nga 10 deri në 30 mijë euro dhe masa për ndalimin e aktivitetit në arsimin e lartë do t’i diktohen institucionit që iu ndan diploma studentëve për mbarimin e studimeve, apo në qoftë se studentit, gjatës së studimeve i ka lejuar nënshtrimin e provimeve të vitit të tretë, pa kaluar provimin shtetëror në fund të vitit të dytë”.

Pavarësisht modaliteteve të provimit shtetëror, Plenumi Studentor vazhdon ta kundërshtoj atë. Ata njoftuan se janë gati për protestën e së premtes. Ndërkohë, në mbështetje të tyre kanë dalë edhe studentë nga vende të ndryshe të botës, si Gjermania, Rusia, Estonia etj. Ndërkaq studentët e USHT-së thonë se protesta është e kotë sepse Ministria e Arsimit dhe Qeveria nuk do të heqin dorë nga reforma.

“Nuk marrim pjesë, nuk është mirë ama nuk e di. Nuk varet prej nesh, vendimin e merr tjetërkush, ne thjesht duhet të pajtohemi sepse me qenë kundër saj s’kemi çka bëjmë”.

“Pjesëmarrja në ato protesta do të ishte e pa arsyeshme, sepse shihet se nuk e kanë ndërmend të lëshojnë pe”.

Profesoresha Gordana Siljanovska konsideron se Ministria e Arsimit dhe Qeveria duhet që ndryshimet në ligjin për arsim të lartë t’i bëjnë përmes procedurave normale dhe jo me procedurë të shpejtë. Siljanovska i bëri thirrje të gjithë kolegëve të saj, të dalin në mbështetje të studentëve duke dërguar porosinë për zgjidhje me dialog.

Ditë më parë dhe profesorët dolën në mbështetje të studentëve në kërkesën e tyre kundër provimit shtetëror. Rreth 110 profesorë dërguan një letër të hapur për Qeverinë dhe kryeministrin Gruevski për të shprehur pakënaqësitë dhe përkrahjen për studentët. Protesta e radhës është caktuar për më 26 dhjetor përpara Qeverisë. Adrian Kerimi

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net