Konkursi për inspektorë, Zemri Qamili vazhdon të mos përgjigjet për përfaqësimin
“Kjo është ndërtesa ku është akomoduar Zv/Ministri i Brendshëm Zemri Qamili. Ai edhe sot, për të pestën ditë me radhë, i shmanget ballafaqimit me televizionin Alsat-M për t’u përgjigjur për konkursin e fundit për inspektorë policorë, ku mes 50 inspektorëve janë pranuar vetëm 2 shqiptarë”.
Qamili jo vetëm që nuk e ndaloi mosrespektimin e përfaqësimit adekuat në konkursin e fundit, por edhe nuk jep llogari për të. Përfaqësimi në Ministrinë e Brendshme edhe ashtu është mjaft i dobët, ndërsa me këtë konkurs ulet edhe më tepër. Përqindja e shqiptarëve në dikasterin e brendshëm është rreth 19%, por pjesa më e madhe e tyre kryejnë funksione të ulëta jo vendimmarrëse. Sipas burimeve jo-zyrtare brenda MPB-së, në sektorin e Shërbimeve Qendrore Policore, që është truri i funksionimit të policisë dhe përfshin të gjitha njësitet më të rëndësishme, përqindja e shqiptarëve është shumë e vogël në përgjithësi, e veçanërisht shpërfillëse sa i përket posteve udhëheqëse. Sipas burimeve të njëjta, edhe pse në letër shqiptarët mbajnë 13% të posteve udhëheqëse në nivel ministrie, ky numër arrihet duke përfshirë si poste udhëheqëse edhe shefat e turneve dhe pozita të ngjashme jo-relevante në Tetovë, Gostivar dhe qytete të tjera me shumicë shqiptare. Aty ku merren vendimet e rëndësishme policore, shqiptarët janë të përfaqësuar shumë pak ose aspak, gjë që në fakt e dëshmon edhe zv/ministri Zemri Qamili, i cili gjatë fundjavës nuk ishte në dijeni se konkursi për inspektorët policorë ishte mbyllur dhe se kandidatët shqiptarë janë eliminuar.Benjamin Arifi





