Ministrat mysafirë të Deharit, më pas në Bogovinë
Në vazhdën e takimeve mes përfaqësuesve të BDI-së, atyre të pushtetit ekzekutiv dhe lokal, një delegacion ministror ka qëndruar për vizitë në Komunën e Kërçovës.
Delegacioni i kryesuar nga zëvendëskryeministri Fatmir Besimi dhe në përbërje të ministrave Lirim Shabani, ministër i Pushtetit Lokal, Bekim Neziri, ministër i Ekonomisë, Adnan Jashari, ministër i Drejtësisë dhe Visar Fida ministër pa portofol dhe përgjegjës për investime të huaja, kanë bashkëbiseduar me kryetarin e Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, për të arriturat dhe ngecjet në zbatimin e projekteve.
Sipas komunikatës së zëdhënësit qeveritar, në fokus të takimit, ka qenë përcaktimi i formave të bashkëpunimit mes pushtetit ekzekutiv dhe atij lokal, niveli i zbatimit të projekteve dhe identifikimi i vështirësive dhe sfidave në realizimin e tyre.
Takimet e tilla kanë për qëllim realizimin e projekteve në sfera të ndryshme dhe përmbushjen e përcaktimeve programore të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).
Ndërsa më pas, delegacioni ministror i kryesuar nga zëvendës kryeministri Musa Xhaferri qëndruan për vizitë në Komunën e Bogovinës.
Kryetari i Komunës së Bogovinës, Hazbi Idrizi njoftoi përfaqësuesit e Qeverisë me realizimin e projekteve, përfshi ato për ndërtimin e infrastrukturës rrugore, renovimin dhe ndërtimin e shkollave, dhe projekte të tjera.
Gjatë takimit, palët diskutuan për projektin për furnizim me ujë të pijshëm në Pallçishtë të Poshtëm, i cili do të financohet nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, për mundwsin e ndërtimit edhe të një salle sportive.
Nga ana e tjetër, zv.kryeministri Musa Xhaferri tha se Qeveria do të bashkëpunojë ngushtës me pushtetin lokal, me qëllim realizimin me sukses të të gjithë projekteve, pjesë e programit të BDI-së dhe të Qeverisë.
Vizitat e ministrave shqiptarë në komunat që drejtohen nga kuadro të BDI-së do të vijojnë në ditët në vazhdim. (INA)




