Kolona me mbi 100 makina e bllokuar në aksin Kërçovë - Ohër - tetova1.com

Kolona me mbi 100 makina e bllokuar në aksin Kërçovë - Ohër


Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Die, Dhj 28, 2014





Mbi 100 makina janë bllokuar në aksin rrugor Kërçovë – Ohër, si pasojë e reshjeve intensive të borës dhe bllokimit të rrugës nga një kamion dhe disa makina që kishin rrëshqitur.

Kjo situatë kaotike po ndodhë në fshatin Arbinovë në zonën në hyrje të rrugës që çon për Strugë dhe Ohër.

Zëdhënësi i SPB-së në Ohër, Stefan Dimovski theksoi se deri tek bllokimi i rrugës ka ardhur kur disa makina dhe një kamion kanë ngelur të bllokuar në këtë aks rrugor dhe më pas është shkaktuar edhe kolona e gjatë e makinave.

Një kamion i ndërmarrjes “Rruget e Maqedonisë” në tentimin për të zhbllokuar rrugën, gjithashtu ka ngelur i bllokuar në borë, për shkak të reshjeve dhe sasisë së madhe të borës. Kjo ndërmarrje ka theksuar se po ndërmerrë të gjitha masat për normalizimin e komunikacionit. Por, bllokada pritet të vazhdojë edhe për disa orë, për shkak të reshjeve intensive të borës.

Udhëtarë që kanë ngelur në makinat e bllokuara kanë theksuar për INA, se për disa orë janë të bllokuar dhe se apelojnë që sa më shpejt të zhbllokohet rruga.

“Ne presim që sa më shpejt të hapet rruga, sepse po mbetemi edhe pa karburant dhe se situata do të bëhet edhe më e vështirë. Apelojmë që sa më shpejt të ndërhyhet dhe të zhbllokohet rruga, përndryshe bllokada po bëhet edhe më e rëndë dhe se ka nisur ngrica dhe temperaturat e ulta”, theksoi për INA, një udhëtarë i bllokuar në kolonën e makinave.

Disa kompani të autobusëve kanë theksuar se janë nisur në destinacionet Demir Hisar dhe Manastir, për t`iu shmangur bllokadës. (INA)

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net