Vazhdon hapja e rrugës Ohër - Kërçovë, evakuohen qindra qytetarë - tetova1.com

Vazhdon hapja e rrugës Ohër - Kërçovë, evakuohen qindra qytetarë


Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Hën, Dhj 29, 2014





Në orët e para të mëngjesit ka nisur zhbllokimi i rrugës dhe nxjerrja e makinave nga bllokada disa orëshe në aksin rrugor Ohër – Kërçovë.

Rreth orës 04.00 në vendin e ku kishin ngelur qindra makina kanë mbërritur ekipet shpëtimtare dhe makineria e angazhuar nga komuna e Ohrit, ndërsa me kujdes është hapur rruga dhe çdo makinë një nga një ka lëvizur drejt Ohrit, ndërsa një pjesë tjetër drejt Kërçovës. Operacioni i pastrimit dhe shpëtimit po vazhdon, pasi që ka sasi të madhe të borës, që është grumbulluar edhe për shkak të erës.

Në këtë operacion është përfshirë edhe kryetari i komunës së Ohrit, Nikola Bakarçevski dhe kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela, të cilët kanë theksuar se kolona e mjeteve të rënda për pastrim dhe makinat ‘jeep’ rreth orës 04.00 kanë nisur të lëshohen drejt fshatit Izvor dhe të lirojnë rrugët e mbuluara nga bora, që kishin bllokuar qindra makina, duke shkaktuar kolonë shumëkilometërshe.

Këto dy komuna pas një mbledhje të shtabeve të krizave kanë nisur me operacionin për shpëtim në këtë lokacion të njohur si Presekë, për çeljen e rrugës.

“Ekipet ashtu siç mbërrijnë deri tek makinat, lirojnë një nga një prej tyre, duke evakuuar qytetarë të uritur dhe të ftohur nga disa makina që kishin ngelur pa derivate të naftës. Një pjesë e makinave janë evakuuar drejt Kërçovës”, theksoi Sela.

Një pjesë e madhe e qytetarëve që janë liruar nga bllokada disaorëshe janë parë pranë pompave të benzinës në Ohër dhe në Kërçovë, për t`u furnizuar me derivate të naftës. Për shkak të reshjeve të borës, ka pësuar avari largpërçuesi në zonën perëndimore të vendit duke lënë pa energji Strugën, Ohrin dhe Dibrën.
Kjo situatë kaotike po ndodhë në fshatin Arbinovë në zonën në hyrje të rrugës që çon për Strugë dhe Ohër.

Zëdhënësi i SPB-së në Ohër, Stefan Dimovski theksoi se deri tek bllokimi i rrugës ka ardhur kur disa makina dhe një kamion kanë ngelur të bllokuar në këtë aks rrugor dhe më pas është shkaktuar edhe kolona e gjatë e makinave.

Një kamion i ndërmarrjes “Rruget e Maqedonisë” në tentimin për të zhbllokuar rrugën, gjithashtu kishte ngelur i bllokuar në borë, për shkak të reshjeve dhe sasisë së madhe të borës.

Udhëtarë që kanë ngelur në makinat e bllokuara kanë theksuar për INA, se për disa orë janë të bllokuar dhe se apelojnë që sa më shpejt të zhbllokohet rruga.

“Ne presim që sa më shpejt të hapet rruga, sepse po mbetemi edhe pa karburant dhe se situata do të bëhet edhe më e vështirë. Apelojmë që sa më shpejt të ndërhyhet dhe të zhbllokohet rruga, përndryshe bllokada po bëhet edhe më e rëndë dhe se ka nisur ngrica dhe temperaturat e ulta”, theksoi për INA, një udhëtarë i bllokuar në kolonën e makinave.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net