Lisat e mëdhenj i rreh era më shumë - tetova1.com

Lisat e mëdhenj i rreh era më shumë


Kategoria: Opinione

Postuar më: Mar, Dhj 30, 2014





Afrim Tanallari

Titulli i sipërpërmendur me burim nga përvoja popullore ndoshta më së miri reflekton pozicionin e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, në zhvillimet aktuale në vend. Ai, në cilësinë e një lojtari kyç, pse jo edhe të një urtari të pakontestuar në rrjedhat politike që dita-ditës po marrin përmasa dhe përpjesëtime të ndryshme, madje edhe të panjohura, mëton edhe më tej të mbaj një ekuilibër, apo drejtpeshim racional që me siguri se në fund do të rezultoj ndoshta edhe me një pragmatizëm të llojit të vet.

Në këtë kohë të pakohë kur Maqedonia ndodhet në udhëkryq dhe kur gjithnjë e më shumë po vërehet një sfilitje e tejdukshme nga proceset integruese në vend, Ali Ahmeti si asnjëherë më parë dha sinjalin, njëkohësisht alarmin se Maqedonia mund ta përjetoj fatin e Ukrainës nëse nuk gjendet shtegdalje në tunelin në të cilin jemi katandisur të gjithë, nënkuptohet pa fajin dhe vullnetin tonë. Kjo të bën të kuptosh qartazi se ndoshta durimi i Ali Ahmetit është kah fundi dhe me siguri se viti i ardhshëm do të jetë tejet dramatik dhe pse jo edhe tejet domethënës dhe vendimtar sa i përket të ardhmes së këtij shteti që dita-ditës ngulfatet në kthetrat e mjerimit dhe varfërisë sociale.

Ali Ahmeti, në rrugën drejt këtij synimi të madh, përkatësisht integrimeve euro-atlantike, po sakrifikon gjithçka, madje edhe rejtingun e tij, duke qenë i bindur se një ditë, madje edhe shumë shpejtë, do të jetësohet ky ideal i tillë madhor, pasi në të kundërtën retë e skenareve ogurzeza do të zbrisnin mbi qiellin e Maqedonisë dhe do të rrezikonin seriozisht mbijetesën e këtij shteti të brishtë që assesi të konsolidojë marrëdhënie të shëndosha ndëretnike si një bazament themelor mbi të cilin duhet të sendërtohet perspektiva e këtij shteti.

Në këtë periudhë të gjatë kohore të ndarjes së pushtetit me VMRO-DPMNE-në, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ishte shumë gjakftohtë, madje duke i lejuar partnerit të tij pushtetmbajtës që të operonte edhe me diskurse mitike dhe retorikë nacionaliste. Megjithë këtë, Ali Ahmeti duke mbajtur një qëndrim të ftohtë, por konstruktiv, asnjëherë nuk përdori metodën e nxitjes së urrejtjes ndëretnike si trampolinë të ndonjë përfitimi partiak. Ai gjatë tërë kësaj kohe manifestoi një maturi të llojit të vet duke përdëftuar se nuk është faktor destabilizues, por faktor i sendërtimit të paqes dhe shtytjes së proceseve integruese.

Si rrjedhojë, ngjarjet e papritura që mund të pasonin në të ardhmen si shkak i ngecjeve të proceseve integruese të vendit me siguri se do ta amnistonin atë nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë. Ndërkaq, trysnitë që i bëhen kohëve të fundit Ali Ahmetit për t’u disancuar nga partneri i koalicionit ndoshta janë qëllimmira, por në rast të praktikimit të një strategjie të tillë me siguri se edhe më shumë do të përforconin pozicionin e Gruevskit. Me siguri se gjendja e rëndë sociale në të cilen katandisen qytetarët e Maqedonisë do të jetë në të ardhmen arma më e fortë që do ta atakojë Qeverinë të cilës i prin tanimë një kohë të gjatë kryeministri Gruevski.

Në këto konstelacione politike, Ali Ahmeti edhe më tej mbetet një figurë e rëndësishme e skenës politike në vend dhe ashtu siç veproi në cilësinë e strategut ushtarak gjatë kohës së luftës, do të dijë të veprojë edhe në cilësinë e një strategu politik për të përdëftuar edhe njëherë se është njeri i kthesave të mëdha. Në shumicën e rasteve, thoshte Çerçili, është i fuqishëm njeriu i heshtur, i heshtur pasi nuk ka çka të thotë, por unë e konsideroj të fuqishëm pasi hesht diçka që ai din. Pra, Ali Ahmeti edhe më tej nuk e ka thënë fjalën e fundit. Pa dilemë për individët e interesit në kuadër të organizimit politik të Ali Ahmetit, të cilët duanë që t’a prishin mozaikun e filluar kohë më parë. BDI ndodhet para një sfide të madhe të organizimit të brendshëm në aspekt strukturorë dhe pritet të marë epilogë. Jemi mësuar për pleshtë të djegim jorgan. Ta shohim si do veprojnë të dashurit e pushtetit. Po u’a bëjë me dije se përçarja eventuale për interesa minorë e klanorë, vetëm se do të dobsojë pozicionin shqiptarë, karshi aty maqedonasë. Ushtarë ishi në luftë, në paqë jeni rrojtar të saj. Durim. Jeni në misionin e pa mbaruar.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net