“FLUENT” shpall fituesin e konkursit shpërblyes
Qendra për gjuhë të huaj, kurse përgatitore dhe trajnime “FLUENT” nga data 20.11.2014 shpalli konkurs shpërblyes për propozim-projektin me idenë më kreative për trajnim të mundshëm në “FLUENT”.
Interesimi për të konkuruar me ide inovative ka qenë i lartë, ndërkaq në konkurim kanë hyrë 19 propozim-projekte të cilat plotësonin kriteret e kërkuara përgjatë vetë konkursit. Tematikat në të cilat kandidatë të ndryshëm kanë konkuruar kanë qenë të larmishme, përfshirë këtu sfera të ndryshme të jetës së përditshme, filluar biznesi, menaxhmenti, informatika, shkencat natyrore, komunikologjia, politika, psikologjia arti, drejtësia, edukimi gjuhët e huaja dhe të ngjashme. Kandidatët të cilët kanë konkuruar kanë qenë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.
Komisioni në përbërje, Prof. D. Izet Zeqiri (profesor univeristar), Dr. Sefer Tahiri (profesor universitar), Mr. Muhamed Murtezi (kryetar i QMBI), Mr. Bashkim Bakiu (drejtor i QZHPQM) dhe Mr. Muhamed Jonuzi (drejtor i “Fluent”), pas analizimit të propozim-projekteve të dërguara vendosi që fitues i këtij konkursi të jetë propozim-projekti për trajnim “Përvoja e të dalluarve, ndihmëse për ardhmërinë e të rinjve?”, i ideuar dhe dërguar nga Vedat Memedaliu.
Sipas propozuesit të këtij projekti, ky trajnim duhet realizuar në Shkup, ndërkaq me anë të këtij trajnimi në formë ligjërimi, bashkëbisedimi e interaktiviteti do të kishim mundur të vjelim veti pozitive, për të cilat brezi i ri ka nevojë të veçantë. Ne kemi shumë biznesmenë, sportistë, regjisorë, piktorë, skulptorë, poetë, dramaturg, sociologë, teologë, botues, dizajnerë, instrumentistë, këngëtarë, soprano e shumë individë të shquar, nga përvoja e të cilëve mund të mësojmë shumë. Përvojat e tyre mund të nxisin që ndokush nga të rinjtë të marrë rrugën e njëjtë, kurse kjo deri diku do të ishte një lehtësim për t’u përcaktuar për profesionin jetësor, thuhet në arsyetimin e propozim-projektit fitues.
“FLUENT”, mban të drejtën për të ri-emërtuar, plotësuar apo larguar nga ajo që ka parqitur tashmë fituesi i projektit në fjalë. “FLUENT”, tashmë fituesin e projektit do ta angazhojë edhe si koordonator të projektit në fjalë, i cili pretendohet të realizohet deri në qershor të vitit 2015.
Ndryshe, komisioni nga dhënë mendim shumë pozitiv edhe për disa projekte të tjera të cilat plotësonin kriteret e paraqitura në konkurs, ndërkaq nuk arritën të marrin epitetin e projekteve fituese vetëm për shkak të faktit që projekte të natyrës së njejtë veçmë “Fluent” ka realizuar, apo ka paraqitur se do të realizojë.
“FLUENT”, falenderon të gjithë kandidatët të cilët kanë konkuruar në përgjithësi dhe fituesin e këtij konkursi në veçanti, me shpresë se në veprimtarinë tonë do të kemi mundësi të tjera bashkëpunimi.








