Kasami: Viti 2014 do të mbahet mend për dështimet e shumta - tetova1.com

Kasami: Viti 2014 do të mbahet mend për dështimet e shumta


bilallkasami
Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Wed, Dec 31, 2014





Lëvizja BESA ka vlerësuar vitin që po lëmë pas si të kobshëm për shqiptarët dhe katastrofal për Maqedoninë. Koordinatori i Këshillit Nismëtar për themelimin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, tha se viti 2014 do të mbahet mend për, sipas tij, dështimet e shumta.

Vlerësimet e tilla u bënë gjatë konferencës për shtyp me rastin e përfundimit të vitit 2014.Kasami nënvizoi dështimin e zgjedhjes së presidentit konsensual dhe atë të emërimit kryetar Kuvendi të një deputeti shqiptar.

Kasami tha se viti 2014 do të mbahet mend edhe për dënimin me burg të përjetshëm të të akuzuarve në procesin “Monstra” dhe për rastet e dhunës dhe djegies së pronave shqiptare, përkatësisht në Radishan dhe në Gjorçe Petrov.

Në vijim, Kasami e vlerësoi si poshtërim për shqiptarët vendimin e Qeverisë për të propozuar një stemë me simbolin e luanit dhe dënoi ashpër votën “për” në parim të ministrave shqiptarë.

“Për këtë arsye jemi këtu që të konstatojmë se këso poshtërimi, këso degradimi e këso dëshpërimi shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë përjetuar as në kohë të monizmit”, tha Kasami.

“Këto dhe arsye të tjera të ngjashme me këto ishin shkak që në fund të këtij viti të vijë në skenë shpresa shqiptare në Maqedoni që quhet Lëvizja BESA, e cila u betua se do t’i artikulojë dhe mbrojë deri në fund interesat e shqiptarëve në këtë vend. Pasi subjektet e deritanishme dështuan me radhë në këtë drejtim, neve të BESËS na mbetet barra që të qëndrojmë fuqishëm në mbrojtjen e vlerave dhe interesave të shqiptarëve të këtij shteti. Madje, do të thoshim pa modesti, kjo më shumë na u imponua seç e zgjodhëm vetë ne. Sepse, ata nuk na lanë rrugë tjetër”, u shpreh koordinatori i Këshillit Nismëtar të Lëvizjes BESA.

Ai uroi që viti 2014 të mos përsëritet kurrë dhe viti i ri të jetë i mbarë për shqiptarë dhe për të gjithë qytetarët e vendit.

“Aq më shumë që tash në skenë është edhe Lëvizja BESA, e cila mirëqenien e shqiptarëve, por edhe të tjerëve, e ka prioritetin e saj më të lartë”, tha Kasami.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net