Lazim Destani, një yll i rrallë në qiellin e trazuar
Lindita SEJDIU
Në jetën e një njeriu ndodhin shumë zig-zage gjatë udhëtimit, por në cakun e duhur mbërrijnë vetëm ata që kanë energji dhe guxim. Një njeri i mençur moti kohë kishte thënë se edhe jeta e njeriut i gjason një lumi të gjatë e gjarpëror, por jo të gjithë lumenjtë prodhojnë energji dhe të mira materiale për ambientin që i rrethon. Ka shumë njerëz, që gjithë jetën e tyre e harxhojnë në gjëra të kota, pa e ditur se prej ku janë nisur dhe ku duhet të mbërrijnë. Këta njerëz u gjasojnë lumenjve, që rrjedhin vajtueshëm luginave e fushave dhe askujt nuk i kujtohet të instalojë ndonjë turbinë të vogël për të prodhuar sadopak energji dhe dritë për të tjerët.
Por është edhe një grup tjetër njerëzish, të cilët gjatë gjithë jetës së tyre “rrjedhin” në kanjonet e mëdha në kërkim të hapësirave për të shtrirë energjinë e ndikimit dhe vlerave. Po t’i shikoni fytyrat e tyre, do të vëreni se ata lodhjen e mbulojnë me një nur, që rrezaton shpresë dhe optimizëm. Sa dritëdhënëse janë ato fytyra dhe sa njerëz marrin kurajo, kur hijen e mosguximit të tyre e shkurtojnë, pasi të kenë thithurr pak energji optimiste nga ato fytyra.
I tillë është edhe Lazim Destani, një figure vigane që po frymëzon edhe të rinjtë edhe të moshuarit, me modelin e tij prej njeriu shembullor në familje dhe në jetën afariste. Ata që kanë ndjekur të bëmat e këtij njeriu të madh, nuk kanë mundur të mos citojnë dhe ndonjë varg poeti: “Prej nga kjo energji e këtij njeriu qe s’u gjunjëzua kurrë… dhe s’u dorëzua kurrë para asnjë sfide…prej nga i gjithë ky burim energjie te ky njeri…?’’, sepse veprat e mëdha të njerëzve të mëdhenj, nganjëherë nuk mund të përshkruhen me fjalë të thjeshta. Jo rrallë, vetëm Muza poetike është e denjë të zbërthejë natyrën humane e stoike të këtyre njerëzve, siç është edhe Lazim Destani, një njeri që “s’mori kurrë, por dha gjithmonë’’, një njeri që është ndjerë i lumtur, kur të tjerët kanë qenë të kënaqur. Njerëzit e mëdhenj, që realizojnë ëndërra të mëdha japin shumë dhe për ata gjithmonë është një vend i veçantë në histori.
Lazim Destani me punën dhe veprat e tij po e bënë historinë duke na treguar neve bashkëkohanikëve, por edhe brezave të mëvonshëm se njeriu ka një jetë dhe atë duhet jetuar me dinjitet. Jeta e njeriut, sipas Lazim Destanit është e mbushur me sfida dhe të papritura, por triumfi mbi to arrihet vetëm atëherë, kur njeriu arrinë ta kapërcejë ylberin e vetëkënaqësisë.
I pranishëm dhe shumë aktiv në jetën e përditshme të biznesit familjar, Lazim Destani po e zhvillon shkollën e tij të suksesit zinxhiror, duke ua bartur edhe pasardhësve ndjenjën e guximit dhe sakrificës, sepse pa to nuk shkruhet edhe bilanci i të arriturave.
Në vitin që lamë pas, 2014, Lazim Destani ishte i përfshirë në disa aktivitete me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar. Prania e tij në këto aktivitete ka
zgjuar një vëmendje të admirueshme të audiencës, kurse fjalët e tij janë ndjekur me shumë kurreshtje.
Vlen për t’u përmendur një mirënjohje e veçantë që erdhi nga Forumi për Iniciativa Qytetare në Prishtinë, i cili ditë më parë Lazim Destanit i ndau çmimin “FIDES 2014” për kontributin e tij të pamohueshëm nga diaspora. Me këtë rast u tha se veprimtaria e Destanit shquhet në angazhimin ekonomik e humanitar, duke zhvilluar traditën e ndërmarrësisë edhe në përmasa globale, kurse në rangun kombëtar, duke mbështetur shumë projekte arsimore, kulturore e humanitare.
Nga ana e tij, z. Destani edhe këtë manifestim e shfrytëzoi për të reflektuar një nxitje më të madhe në zhvillimin ekonomik, i cili siç tha ai është çelësi i suksesit, sepse vetëm në këtë mënyrë vendi ngrihet dhe drejtohet drejtë Bashkimit Europian. “Kosova ka shumë biznesmenë, si në vend ashtu edhe jashtë. Ne individualisht jemi shumë të suksesshëm, por të bashkuar pak e kemi një defekt. Unë besoj t’i bashkojmë forcat me shumë biznesmenë, të cilët gjenden jashtë në diasporë. Pra, fuqitë e tyre qoftë kapitale, apo intelektuale të përvojës së tyre t’i bashkojnë e t’i sjellin në Kosovë dhe të punojmë natë e ditë për ta shpier Kosovën drejtë Bashkimit Europian”, nënvizoi me këtë rast z. Destani.
Njeriu zë vend në shoqëri, aq sa ai vet i cakton vetes rolin dhe peshën e përgjegjësisë për punë të mëdha. Nuk ka ndodhur deri më tani që dikush të të jep peshqesh ndonjë status a meritë, nëse për këtë nuk është shpenzuar paraprakisht diçka që njeriun e bën të ndjehet i lumtur, kur nga puna dhe veprimtaria e tij të tjerët ndjehen të kënaqur.
Ka kohë që në opinionin publik qarkullojnë ide të shumta për organizimin e mirëfilltë të diapsorës shqiptare mbi baza të një platforme, që do të bashkonte njerëzit dhe iniciativat. Ajo që i mungonte këtij organizimi ishte hallka lidhëse, por kohët e fundit janë bërë disa përpjekje që edhe ky problem të tejkalohet. Edhe diaspora shqiptare, si shumë komunitete tjera të organizuara në mbarë botën është shumë afër gjetjes së një modusi që do të bashkonte në një rrjet global të gjitha bizneset e shqiptarëve. Pikërisht ky ka qenë edhe motivi i formimit të Unionit të Bizneseve shqiptare në botë, rrjet ky mjaft i gjerë dhe voluminoz, i cili për Kryetar nderi kishte zgjedhur pikërisht njeriun më të suksesshëm në hapësirat shqiptare – Lazim Destanin.
Se sa është i rëndësishëm ky Union në rrafshin global, flet edhe përvoja e vetë Lazim Destanit, cili është shprehur se ky zinxhir biznesi do të krijojë lidhje të forta, së pari midis vet kompanive shqiptare gjithandej e më pas edhe me partnerët e tyre nga vendet ku veprojnë dhe punojnë. Teknologjia e sotme e komunikimit, sipas z. Destanit, si dhe trendet e reja që po vinë me shpejtësi do ta relativizojnë gjithnjë e më shumë faktorin limitues të distancave fizike në hapësirën globale. Kjo përparësi duhet të shfrytëzohet, sepse ne shqiptarëve jo pse vetë deshëm, por rrethanat na e imponuan shpërndarjen anë e kënd botës, prandaj o tani o kurrë e kemi shansin dhe mundësitë reale për të arritur bashkimin ekonomiko-global, ka porositur z. Destani bashkëkombasit e tij në një forum të këtij Unioni në Vienë, organizuar në fillim të Dhjetorit.
Individë të sukseshëm – ekipe të parealizuara, është kjo një sintagmë që e ka preokupuar prej kohësh Lazim Destanin. Nisur nga filozofia që bartë në vete kjo sintagmë pak a shumë fataliste, ai sikur deshi që neve shqiptarëve të na e demantojë atë duke dalur si një timonier i guximshëm, në krye të një anieje, që ishte para fundosjes. Ai u bë sinonim i ndërmarrësit largpamës, që merr përsipër edhe koston e rrezikut vetëm e vetëm të ngrihet mbi sipërfaqe një ekip siç është “Shkëndija’’, hapërimi i së cilës do të varet shumë nga ajo, se sa menaxherët dhe lojtarët e këtij klubi do të arrijnë ta kapin filozofinë e Presidentit të tyre, z. Destani, i cili i ka vu vetes objektiv jetësor, që të arriturat individuale të shqiptarëve t’i transformojë në sukses kolektiv. Të financosh sot një klub futbolli nuk është sfidë e vogël, por sfida më e madhe paraqitet atëherë kur ekipi drejtues i atij klubi është në sinkroni të plotë me botën shpirtërore shumë dinamike të pronarit të tyre, i cili asnjëherë nuk ka pranuar të dështojë dhe fitoret më të mëdha i ka quajtur - kur ndjenja e triumfit shndërrohet në kulturë kombëtare.
Do të donim që bota shqiptare të ketë edhe shumë figura të tilla si Lazim Destani, por koha do ta vërtetojë, se të tillët janë shumë të rrallë dhe ata vinë si yje për të na treguar udhën e pambarim të hulumtimit dhe përsosjes, drejt një prosperimi gjithëkombëtar.
Urime dhe shumë fat në vitin 2015!






