Ali AHMETI: Sheshi “Skënderbeu”, dy Teatrot, autostradat…, vlera të mëdha për shqiptarët
|
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk mund të jetë i plotë pa Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Bosnjën.
Ahmeti pret që në vitin 2015 të ketë lëvizje shumë më të mëdha nga miqtë evropianë dhe nga SHBA-ja për një Evropë më të mirë dhe më ndryshe se ajo e kaluara. “Kjo Evropë bëhet më e mirë vetëm duke qenë pjesë e saj edhe vendet që e kanë vendin aty sepse ne jemi evropianë po aq sa janë evropiane vendet anëtare të BE-së”, ka thënë Ahmeti në këtë intervistë dhënë për “Epokën e re”.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka thënë se Republika e Maqedonisë, pavarësisht angazhimit vendor dhe ndërkombëtar, ka ngecur në rrugën e saj drejt integrimit në NATO dhe BE. Ai ka bërë thirrje që të gjithë të angazhohen në këtë drejtim për faktin se rruga e vetme e Maqedonisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor janë integrimet euroatlantike. “Shpresojmë që ky interesim të kthehet në skenë, të rivendoset çështja e Maqedonisë në agjendën e rëndësisë së veçantë sepse anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të thotë më shumë stabilitet dhe siguri jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për rajonin. Zgjidhja e çështjes së emrit dhe anëtarësimi në NATO është në dobi jo vetëm të vendit tonë, por në dobi të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Këtij rajoni më shumë se asnjëherë tjetër i duhet fqinjësia e mirë, komunikimi mes vete dhe paqe e stabilitet i qëndrueshëm”, është shprehur Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se mediet e kanë keqkuptuar fjalimin e tij të fundvitit për vitin 2014. Ai ka sqaruar se qëllimi i këtij fjalimi ka qenë shtimi i bashkëpunimit mes vendeve të rajonit dhe nxjerrja e mësimit nga e kaluara në mënyrë që të mos përsëriten skenarët si ai në Ukrainë. Në këtë intervistë për “Epokën e re”, ai ka treguar se apeli i tij ka qenë për gjithë Ballkanin Perëndimor, e jo vetëm për Maqedoninë. “Unë kam qenë shumë konkret në paraqitjen time. Apeli im nuk ka qenë vetëm për Republikën e Maqedonisë, por për gjithë Ballkanin Perëndimor. Unë kam thënë të mësojmë nga e kaluara dhe mos të përsëriten skenarët sepse rajoni i Ballkanit Perëndimor, jo më shumë se 15 vjet, ka përjetuar gjakderdhje, krime dhe luftëra, ku ende shenja të këtyre tragjedive gjenden në Kosovë, Bosnje, Kroaci dhe Maqedoni”, është shprehur Ahmeti.
“Epoka e re”: Si ka qenë viti 2014 për shqiptarët e Maqedonisë? Sa është rritur mirëqenia e shqiptarëve në këtë shtet?
Ahmeti: Sikur në vitet që i lamë pas, edhe viti 2014 ka momentet e tij, të cilat do të përkujtohen për shqiptarët e Maqedonisë në shumë sfera dhe drejtime. Këtu do t’i theksoja projektet në infrastrukturë, duke filluar nga Sheshi “Skënderbe”, Biblioteka e Tetovës dhe Teatri i Shkupit që është në renovim, i cili ka vlera shumë të mëdha për shqiptarët e Maqedonisë. Këto tri projekte që i theksova kapin shifrën prej 30 milionë eurosh investime. Gjithashtu, fillimi i punëve të autostradës Kërçovë - Ohër dhe Kërçovë - Qafthanë është i një rëndësie të veçantë për vitin që po e lëmë pas. Gjithashtu, do të doja t’i përmend edhe avancimet që janë bërë në përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve dhe respektimin e obligimeve kushtetuese që dalin nga marrëveshja e Ohrit.
“Epoka e re”: Po në avancimin e Maqedonisë drejt integrimit në strukturat euroatlantike, sa është bërë në 2014-n?
Ahmeti: Kemi pasur pritje për vitin 2014 në drejtim të avancimit të vendit drejt anëtarësimit në NATO dhe të një progresi më të madh drejt afrimit në BE, por këtu kemi pasur ngecje, pavarësisht se ka pasur një angazhim të jashtëzakonshëm edhe nga autoritetet vendore, por edhe nga ato ndërkombëtare. Ky angazhim ka qenë në veçanti nga miqtë tanë, mirëpo problemin kryesor e kemi pasur në lidhje me çështjen e emrit. Angazhimi i miqve tanë ndërkombëtarë ka pasur ngecje për arsye të ngjarjeve goxha të rrezikshme në Lindjen e Mesme, por edhe në Ukrainë. Shpresojmë tani që ky interesim të kthehet në skenë, të rivendoset çështja e Maqedonisë në agjendën e rëndësisë së veçantë sepse anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të thotë më shumë stabilitet dhe siguri jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për rajonin. Zgjidhja e çështjes së emrit dhe anëtarësimi në NATO është në dobi jo vetëm të vendit tonë, por në dobi të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Këtij rajoni më shumë se asnjëherë tjetër i duhet fqinjësia e mirë, komunikimi mes vete, një stabilitet i qëndrueshëm, në mënyrë që të garantohet siguri më e madhe për popujt e këtij rajoni. Në këtë vit ka pasur edhe zhvillime të tjera interesante, ku jemi përpjekur t’i menaxhojmë me kujdesin më të madh, që shqiptarët në Maqedoni të kenë dinjitet, zhvillim dhe begati në këto hapësira.
“Epoka e re”: Përveç pjesës së integrimit të vendit, si po ecën koalicioni qeverisës me partnerin maqedonas. Cilat kanë qenë vështirësitë që jeni përballur?
Ahmeti: Për të qenë shumë të hapur, nuk ka koalicion që gjërat mund të shkojnë për mrekulli dhe që rrugëtimi i tyre të jetë rrugë e shtruar me trëndafila. Kuptohet se ne kemi dallime me partnerin e koalicionit për disa çështje, mirëpo ky partneritet buron prej vullnetit të shumicës së dy komuniteteve më të mëdha në vend. Partneritetin nuk e zgjedhim ne, por atë e obligon votuesi. Dihet se në Republikën e Maqedonisë qytetarët janë të organizuar mbi baza etnike, shqiptarët rreth partive politike shqiptare, maqedonasit rreth partive politike maqedonase. Ne po përpiqemi t’i zbatojmë ato programe zgjedhore për të cilat kemi dalë dhe kemi konkurruar në zgjedhjet parlamentare në maj të këtij viti, ku shqiptarët me shumicë kanë besuar në ofertën e BDI-së. Pra, po punojmë për materializmin e atij programi. Nuk e kemi lehtë, sepse jemi partnerë me origjinë të ndryshme etnike. Për shembull, në Kosovë janë të gjitha partitë politike shqiptare, por kanë dallime në mënyrën e zgjedhjes së problemeve me të cilat po përballet Kosova. Kështu që, kur e bën krahasimin me Maqedoninë, këtu ne jemi dy palë që u takojmë komuniteteve të ndryshme me histori të ndryshme. Jemi të obliguar ta zbatojmë programin tonë për avancimin e mëtejmë të shqiptarëve në të gjitha fushat si në aspektin kombëtar, ashtu edhe në atë ekonomik.
“Epoka e re”: Në fjalimin për fundvit ju keni qenë goxha i ashpër, duke paralajmëruar skenarë të Ukrainës. Çfarë keni dashur të thoni me këtë?
Ahmeti: Fjalimi im, me rastin e fundvitit, ka ngjallur shumë debat. Janë shkruar qindra artikuj në shtypin e këtushëm dhe mediume elektronike, të cilët bëjnë qasje dhe trajtim sipas qëllimit të tyre. Unë kam qenë shumë konkret në paraqitjen time. Apeli im nuk ka qenë vetëm për Republikën e Maqedonisë, por për gjithë Ballkanin Perëndimor. Kam thënë të mësojmë nga e kaluara dhe mos të përsëriten skenarët sepse rajoni i Ballkanit Perëndimor, jo më shumë se 15 vjet, ka përjetuar gjakderdhje, krime dhe luftëra. Ende shenja të këtyre tragjedive gjenden në Kosovë, Bosnje, Kroaci dhe Maqedoni. Pra, ky rajon është i brishtë. Kam apeluar të kem bashkëpunim e mirëkuptim në mes të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor sepse alternativa e vetme e të gjitha vendeve tona është anëtarësimi në NATO dhe BE dhe se Ukraina nuk është larg nga ne. Për shkak të dallimeve që kanë pasur qytetarët e Ukrainës, ka ardhur deri te një konflikt i përgjakur në këtë vend, ku mijëra njerëz deri më tani kanë vdekur. Pra, qëllimi i fjalimit tim ka qenë të nxjerrim mësime nga e kaluara, të bashkëpunojmë, ta zgjedhim rrugën e vetme që kemi, integrimin në NATO dhe BE. Tani të gjithë bëjnë interpretimet e tyre. Për atë çfarë kam deklaruar nuk tërhiqem. Do ta përsëris edhe në të ardhmen se Ballkani Perëndimor nuk ka alternativë tjetër, pos NATO-s dhe BE-së, sepse kështu sigurohet ardhmëria në paqe e popujve të këtij rajoni. Ky rajon ka nevojë të paqësohet, të komunikojë, t’i zgjidhë problemet dhe të mos krijojë probleme. E ardhmja e sigurt ndërtohet duke qenë në fqinjësi të mirë, duke zbatuar politika paqësore dhe duke u hapur ndaj NATO-s dhe BE-së.
“Epoka e re”: Cilat janë pritjet e juaja për vitin 2015? Sa do të shërbejë ky vit për fuqizimin e shqiptarëve të Maqedonisë?
Ahmeti: Viti 2015 është një vit që pritet shumë më tepër të investohet në drejtim të shumë zhvillimeve, duke filluar që nga përkujtimi i 100-vjetorit të luftërave ballkanike dhe të Luftës së Parë Botërore. Ky është një vit që jo vetëm në Republikën e Maqedonisë, por i gjithë Ballkani dhe Evropa duhet të investojnë shumë më tepër që në 100 vjetët e shkuara të mos na përsëriten në të ardhmen. Në 100 vjetët e ardhshëm të mos ketë libra, shkrime e përkujtime të këtyre 100 vjetëve që i kaluam që nga 1915-a. Evropa dhe Ballkani Perëndimor duhet të kenë një fytyrë të re, pra të angazhohemi më shumë drejt Shteteve të Bashkuara të Evropës. Ky ideal nuk është i parealizueshëm. BE-ja nuk është e plotë pa rajonin tonë, pa Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Bosnjën. Kështu që, pres që në vitin 2015 të kemi lëvizje shumë më të mëdha nga miqtë tanë evropianë dhe një angazhim të sinqertë të SHBA-së për një Evropë më të mirë dhe më ndryshe se ajo e kaluara. Kjo Evropë bëhet më e mirë vetëm duke qenë pjesë e saj edhe vendet që e kanë vendin aty, sepse ne jemi evropianë po aq sa janë evropiane vendet anëtare të BE-së. Në këtë mënyrë u mbyllet rruga të gjitha lëvizjeve ekstremiste. Ne duhet që ekstremizmin ta luftojmë dhe kjo luftë e suksesshme mund të jetë vetëm duke komunikuar dhe duke hequr barrikadat dhe kufijtë që ndodhen në Evropë. Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe vendet e tjera të rajonit duhet t’i heqin kufijtë ashtu siç i kanë hequr Gjermania dhe Franca mes vete. Tani edhe neve na mbetet t’i kryejmë obligimet tona në përmbushjen e standardeve, të cilat na pasurojnë e nuk na varfërojnë as jetën e as ekonominë, por na sigurojnë perspektivë dhe zhvillim në të gjitha fushat e jetës.










