5-sha me fat për integrimet e Maqedonisë! - tetova1.com

5-sha me fat për integrimet e Maqedonisë!


maqedonia-be
Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Mër, Jan 7, 2015





A do të jetë për herë të tretë numri 5 fatlum për Maqedoninë dhe a do të arrijë të bëjë hapin e madh drejt Bashkimit Evropian në vitin 2015. Njohësi i politikës evropiane, Oliver Shvarc, në një intervistë për radio Dojçe Vele, shprehet me një dozë të madhe optimizmi për procesin integrues të Maqedonisë. Ai, optimizmin e tij e mbështet në fytyrat e reja që janë zgjedhur në krye të institucioneve më të larta evropiane dhe në ndryshimet që mund të vijnë në skenën politike në Greqi. Zgjedhja e Frederika Mogerinit si komisare për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, emërimi i Johanes Han, një komisari për Zgjerim me origjinë nga Austria, vend i cili angazhohet për integrimin e Ballkanit Perëndimor, për Shvarc janë sinjale shpresëdhënëse për Maqedoninë.
“Unë mund të flas vetëm për atë që është propozuar për fillimin e vitit në Parlamentin Evropian, Maqedonia të shkojë drejtpërdrejtë në skrining, të hapen kapitujt 23 dhe 24 që kanë të bëjnë me gjyqësinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Ky do të ishte një hap i rëndësishëm për një fillim zyrtarë të bisedimeve paraqasëse. Parlamenti Evropian gjithashtu në pjesën e ekonomisë propozoi që Maqedonisë t’i ndahet statusi i tregut funksional ekonomik që është gjithashtu e rëndësishme për mirëmbajtjen e mëtejme të zhvillimit të vendit. Shpresoj se për Maqedoninë do të jetë e suksesshme 5-shja, pasi më 1995 u miratua Marrëveshja e Përkohshme me Greqinë, në 2005 e fitoi statusin kandidat dhe përfundimisht më 2015 do ti fillojë bisedimet për aderim”, tha Shvarc. Ai ka pritje edhe nga zgjedhjet e parakohshme në Greqi, ku Siriza në sondazhet preliminare kryeson para Demokracisë së Re. Në rast se vjen deri te ndryshimi i Qeverisë në Athinë, thotë Shvarc, pritjet për debllokim të procesit integrues të Maqedonisë do të bëhen reale.
“Për sa i takon kontestit për emrin me Maqedoninë, nëse vjen deri te ndryshimi i Qeverisë dhe fiton Siriza, kjo do të thotë fillim i ri. Aleksis Cipras muajt e fundit është shprehur se dashuron të arrijë nivel të ri në marrëdhëniet greko-maqedonase, se do të angazhohet në zgjidhjen konstruktive të problemit. Kjo nënkupton se nëse vjen deri te ndryshimi i Qeverisë, do të mund të vijë edhe deri te debllokomi i bisedimeve të Maqedonisë me BE. Këtë e vlerësoj si reale dhe ky do të ishte një hap i parë në procesin e zgjerimit dhe hap në zgjidhjen e kontestit dhjetëvjeçarë rreth emrit”, thotë Shvarc për Dojçe Vele. Për sa i përket vendimit për bllokim të Maqedonisë në Samitin e dhjetorit, sipas analistit, kjo ishte e pritshme, ndërsa për këtë ai fajëson edhe elitat politike në Maqedoni, si ato në pushtet ashtu edhe opozitën. “Shkaqet janë të njohura, nga njëra anë për shkak të Greqisë, por me rëndësi është të theksojmë se faj kanë edhe politikat e gabuara që i bën politika nacionale e Maqedonisë. Besimi është luhatur tek shumë miq të Maqedonisë, mbështetës dhe partnerë në kuadër të BE-së. Këtu në mënyrë të njëjtë mendoj edhe për pushtetin ashtu edhe për socialdemokratët, të cilët si opozitë nuk arritën që të bëjnë detyrat për veprim konstruktiv opozitar”, thotë mes tjerash Oliver Shvarc, njohës i politikave evropiane. /Arben Zeqiri-Koha/

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net