Vesel Memedi: Ashtu si Rufi Osmani, duhet të ikin edhe liderët e tjerë - tetova1.com

Vesel Memedi: Ashtu si Rufi Osmani, duhet të ikin edhe liderët e tjerë


Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Mër, Jan 7, 2015





Ngjashëm si Rufi Osmani duhet të tërhiqen edhe liderët e tjerë shqiptarë. Kështu thotë kryetari i ri i Rilindjes Demokratike Kombëtare, Vesel Memedi, në intervistën e tij për TV Globi - Gostivar.
Memedi thotë se Osmani ka dhënë mjaft kontribut në dy-tre dekadat e fundit dhe se është tërhequr për t’i lejuar hapësirë gjeneratës së re të politikanëve.
“Rufi Osmani dhe shumë liderë të tjerë të moshuar duhet të tërhiqen dhe t’i japin hapësirë gjeneratës së re. Ky akt i lartë moral i Rufi Osmanit duhet të jetë shembull edhe për liderët e tjerë. Pse të mos zbatohet edhe te ne modeli i SHBA-së, ku është e rregulluar me ligj që presidenti të mos mund të mbajë më shumë se dy mandate, dhe me largimin e tij të mos mund të jetë as kryetar partie?”, thotë Memedi.
Ai thotë se qëndrimi i gjatë në politikë nuk është dobishëm, sepse “çfarë mund të ofrojë njeriu pas 12, 13 apo 15 vitesh në politikë”, ndërsa nuk përmendi asnjë emër politikani shqiptar për të cilin konsideron se “i ka ardhur koha për të ikur”.
I pyetur për rolin e Osmanit në RDK, Memedi tha se ai është pjesë e organeve kryesore të partisë dhe se konsultohet për të gjitha çështjet.
Po sa autonom është Memedi në vendimmarrje dhe sa Rufi Osmani ka ende ndikim në marrjen e vendimeve?
“Sikur Rufi Osmani të kishte dashur të përzihet, ndoshta kishte vazhduar si kryetar partie. Osmani i ka dhënë gjithçka këtij kombi, duke nisur nga demonstratat në Prishtinë, mbrojtjen e flamurit në 1997 e deri sot, prandaj dhe u tërhoq”, tha Memedi.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net