Analistët: Mbështetja amerikane, marketing politik i BDI-së
|
Edhe një herë, lideri i partisë shqiptare në pushtet, Ali Ahmeti e hodhi një hipotezë që synon të ngjallë një fije shprese se rruga e evro-integrimeve do të mund të zhbllokohet. Edhe më herët, Ahmeti ka përmendur “mbështetjen e fuqishme” që do të vinte “në të ardhmen”, duke përmendur disa herë edhe data. Por, asaj “të ardhmeje” i dilte boja shpejt.
Drejtori i gazetës “Lajm”, Fejzi Hajdari, nuk beson se Ali Ahmeti ka marrë premtime të tilla për këto gjëra nga ambasada amerikane, por thotë se kjo është përpjekja e radhës e Ali Ahmetit, për ta mashtruar popullatën se “më në fund do të ndodhë diçka”.
“Thjesht, Ahmeti bënë punën e demagogut, si rezultat i pozicionit ‘pat’ ku gjendet sot, për shkak të politikës së tij totalisht dështuese përballë padronit të tij Nikolla Gruevski. Ahmetin, as ambasadori amerikan nuk mund të nxjerrë nga balta ku është futur, e aq më pak ta shfajësojë për fajin dhe dështimet që ua ka bërë shqiptarëve një pas një”, ka thënë Hajdari, për SHENJA.
Hajdari ka thën se është shumë skeptik për atë që thotë Ahmeti, sepse ai asnjë premtim deri tani nuk ka arritur ta realizojë.
“T’ju rikujtoj deklaratat qesharake të Ahmetit: Do të dalim nga Qeveria nëse nuk integrohemi në NATO!!! Pastaj, sakrifikuam gjuhën shqipe për t’u integruar në NATO, etj”, ka thënë Hajdari.
Ai mendon se Ahmeti, para se t’i “integrojë shqiptarët” në strukturat euro-atlantike, ka disa borxh madhore kombëtare.
“Ahmeti duhet fillimisht shqiptarëve t’ua zyrtarizojë përdorimin e gjuhës shqipe (me qëllim që ministrat e tij gjatë takimeve mes veti, të kenë të drejtë të flasin shqip dhe jo maqedonisht), flamurit kombëtar t’ia kthejë dimensionet e nevojshme, ta heq nga përdorimi Enciklopedinë fyese për shqiptarët, ta zgjidhë rastin Monstra, Sopotin, Brodecin, pastaj t’i mbrojë shqiptarët e Radishanit që të mos shpërngulen, t’i mbrojë nxënësit shqiptarë që rrihen çdo ditë përtej Urës së Gurit, ta mbroj pasurinë shqiptare në “Gjorqe” nga djegia të cilën e bëjnë huliganët”, ka deklaruar Hajdari, për portalin SHENJA.
Sipas Hajdarit, Ahmeti duhet ta heq përmendoren e Car Dushanit si provokim ndaj shqiptarëve, ta zhbëjë projektin monoetnik “Shkupi-2014″, ta ndajë buxhetin shtetëror konform përqindjes së shqiptarëve dhe më në fund, ta rregulloj statusin juridiko-politiko-kushtetues të shqiptarëve, nga “popull 20 përqind” në “shqiptarë”.
“Dua të them se Aliu nuk ka më kurrfarë xhokeri në dorë, gjithnjë flas nëse shikojmë nga këndvështrimi kombëtar shqiptar”, deklaron Hajdari. Hajdari thotë se Ali Ahmeti thjeshtë ka dështuar në të gjitha segmentet në mënyrë spektakolare, si asnjë politikan i deritanishëm shqiptar.
Ndërsa, publicisti Selim Ibrahimi vlerëson se deklarata e Ahmetit është tipike diplomatike, e zakonshme për liderët, ndërsa mendon se si parti pjesëmarrëse në Qeveri, BDI mban përgjegjësi për mosmarrjen e datës për fillim të bisedimeve për anëtarësimin në BE.
“Integrimet dhe ngelja jashtë strukturave perëndimore, Maqedoninë e dëmton, me këtë dhe vetë imazhin e vetë BDI-së. Vendi nuk po merr datën e fillimit të bisedimeve dhe këtu përgjegjësi mban dhe BDI si pjesëmarrëse në Qeveri. Gjendja ekonomike, sociale dhe marrëdhëniet ndëretnike janë parashikimi më i keq për këtë vend. Do të ishte në rregull nëse do të mendonim se është në duart e BDI-së dhe PDSH-së anëtarësimi në BE, ose kanë në duart e tyre’jokerët magjik’, por e vërteta është se për këtë çështje vendos vetëm kryeministri dhe faktorët tjerë” ka deklaruar për portalin SHENJA, publicisti Ibraimi.
Sipas tij kërkesa e tillë e liderit të BDI-së, duke i parë dështimet e partisë në sferën e politikës së jashtme, arsimit, shëndetësisë, investimet infrastrukturore “shtojnë mozaikun e zbehtë të deklaratave dhe kërkesave të liderëve për ndihmë nga ndërkombëtaret”.
Ai mendon se pa mbështetjen e deritanishme të SHBA-së, Maqedonia që nga fillimi i formësimit si shtet e deri tani, do ta kishte shumë të vështirë dhe më të ndërlikuar rrugëtimin e saj.
“SHBA-ja ka qenë në mënyrë mjaft aktive të angazhuara në procesin e zgjidhjes së çështjes së emrit. Angazhimi amerikan ka qenë serioz për dyja palët. Ky angazhim daton qëkur Maqedonia shpalli pavarësinë nga ish-federata jugosllave. SHBA që nga OKB-ja, OSBE dhe organizatat tjera të rëndësishme ndërkombëtare ka ushtruar presion tek anëtarët tjerë që ky vend të anëtarësohet dhe të akomodohet”, ka deklaruar Ibraimi.
Gjithashtu, ai vlerëson se Maqedonia për të marrë datë për fillim të bisedimeve me BE-në dhe për t’u anëtarësuar në NATO nuk duhet pritur ndihmë vetëm nga faktori ndërkombëtar, por ajo duhet t’i plotësojë edhe kriteret që kërkohen.
“Anëtarësimi në NATO dhe BE fillon nga vetë reformat që duhet t’i bëjë Qeveria. Partitë politike, duke përfshirë edhe ato të opozitës deri më sot nuk kanë arritur konsensus që ta përfundojnë këtë çështje. BDI dhe PDSH janë jashtë çdo relevance në këto procese. Stagnimi i integrimeve dhe zhvillimet tjera rajonale në dëm të stabilitetit dhe paqës me siguri i ka shtyrë amerikanët të mendojnë rreth shpejtimit të hyrjes në perspektivë të Maqedonisë. Pa ndërhyrjen e Uashingtonit si shumë vështirë do të lëvizin proceset në Maqedoni. Për këtë kërkohet vullnet edhe nga qeveria dhe opozita. Shumë punë duhet t’i kryejmë vetë ne dhe kuptohet me ndihmën e SHBA-ve”, përfundon publicisti Ibraimi. /Shenja










