Osmani mohon kalimin në BESA: Spekulime! Familja dhe profesioni, prioritetet e mia
|
Ish-ministri i Shëndetësisë Bujar Osmani ka përgënjeshtruar lajmin sensacional për kalimin e tij në Lëvizjen BESA.
Në një deklaratë për “Zhurnal”, Osmani i cilësoi si spekulime raportimet se ai do të bëhet kryetar i lëvizjes së re politike.
“Familja dhe kirurgjia janë prioritetet e mia në periudhën në vijim”, tha Osmani, i cili nuk e ka të qartë burimin e spekulimeve të tilla.
Ish-ministri thotë se vijon të jetë anëtar i Kryesisë Qendrore të BDI-së dhe të jetë konsekuent ndaj vendimeve politike të partisë.
Raportimet se ai është i pakënaqur për shkak të mosemërimit në detyra shteti, ai i quan thjesht të pavërteta që kanë për qëllim të krijojnë përshtypjen se brenda partisë ekzistojnë pakënaqësi për çështje postesh.
“Brenda partisë mund të ekzistojnë kundërshti idesh, por assesi përplasje për poste. Nuk e imagjinoj dot veten të jem i përfshirë në një debat të tillë”, thotë Osmani.










