“Normak”: Atë që duhej ta bënim për 3 vite, e bëmë për 13 muaj (FOTO)
|
Zona e Lirë Ekonomike në Tetovë po finalizon infrastrukturën e funksionimit të saj. Së fundmi janë nënshkruar tre kontrata me kompani të jashtme përmes të cilave parashikohet punësimi në fazën fillestare i 700 personave.
Drejtori menaxherial i kompanisë Normak Investment Group, që edhe menaxhon në partneritet publiko-privat me Zonën ekonomike të Tetovës, Arben Halili, njofton se në përfundim e sipër është edhe nënshkrimi i katër kontratave të tjera investuese dhe të cilat ndodhen në fazën finale të negocimit dhe tejkalimit të formaliteteve tjera juridike. Drejtuesit e Normak Investment Group shprehen se deri më tani prioritet ka qenë ngritja e infrastrukturës kryesore të Zonës së Tetovës, e cila sipas tyre është ndërtuar në një afat rekord. “Prioritet i joni deri më tani ka qenë përgatitja e infrastrukturës kryesore në Zonë, kanalizimi, rrjeti atmosferik, shtrimi i bulevardit kryesorë si edhe hapja e bulevardeve anësore të cilat mundësojnë qasje në të gjitha parcelat në zonë, që janë të gatshme për investitorët potencial. Një fakt i patjetërsueshëm që duhet përmendur është se data efektive e menaxhimit me Zonën e Lirë Ekonomike në Tetovë nga ana e kompanisë Normak Investment Group është 8 nëntor 2013 dhe për një periudhë kohore prej vetëm 13 muajve janë përmbyllur shumë aktivitete të cilat në planin operativ të zhvillimit të zonës duhet të realizohen në periudhën kohore prej tre vitesh. Gjithsesi interesi jonë është që të jemi të përgatitur në aspektin e infrastrukturës dhe të gatshëm t’ju shërbejmë investitorëve potencial. Pikërisht për këtë, edhe pse kemi një periudhë kohore prej vetëm 13 muajve, ne tashmë kemi të nënshkruara tre kontrata me kompani të huaja të cilat pritet të punësojnë në fazën fillestare rreth 700 persona”, thotë Arben Halili, drejtori menaxherial i Normak Investment Group. Ai më tej sqaron se Zona e Lirë Ekonomike në Tetovë tani më i plotëson standardet e parashikuara infrastrukturore. “Është përmbyllur ndërtesa administrative, si dhe është rregulluar rrjeti i kanalizimit fekal dhe atmosferik. Në pjesën kryesore të zonës është përmbyllur rrethoja e zonës së lirë, që është edhe kush kryesor nga Dogana e Maqedonisë. Është bërë ndriçimi i pjesës hyrëse dhe bulevardit kryesor në Zonë, është asfaltuar bulevardi kryesorë dhe janë hapur edhe bulevardet anësore, që mundësojnë qasje deri te çdo parcelë potenciale për të investuar. Poashtu është përgatit infrastruktura kryesore për vendosjen e peshores dhe ka ngelur vetëm pjesa elektronike të vendoset që peshorja të jetë funksionale”, thotë Halili. Ai më tej sqaron se në ndërtimin e infrastrukturës kanë qenë të angazhuara kompani lokale. “Ideja është që përmes angazhimit të kompanive lokale t’i jepet shtytje zhvillimin lokal për çka janë angazhuar rreth 200 punëtorë në të gjitha punët operative që janë bërë”, thotë ai. Drejtori menaxherial i Normak Investment Group, Arben Halili, nënvizon se investitorët tani më punojnë në ngritjen e objekteve punuese. “Investitori vendor Dauti Komerc bazamentin kryesor të objektit afarist e ka përfunduar, tani duhet të vendosen vetëm shtyllat sepse bëhet fjalë për objekt montues, që do të thotë se mbi 60 për qind e punimeve janë të kryera dhe se i duhet së paku edhe një muaj 1 muaj punë për të përfunduara tërësisht objektin”, njofton Halili. /Koha/










