Renova transferon Pëllumb Jusufin
|
Sulmuesi Pëllumb Jusufi është përforcimi i parë i skuadrës së Renovës në afatin kalimtar të janarit. Jusufi, së fundi luajti për skuadrën finlandeze FC Jazz, ndërsa me skuadrën tetovare nënshkroi kontratë 1-vjeçare me mundësi që e njëjta të vazhdohet në rast se drejtuesit e klubit ngelin të kënaqur me paraqitjet e tij. Lajmin për ardhjen e Jusufit në Tetovë, e konfirmoi edhe drejtori sportiv i “gjipspunuesve”, Lirim Saiti. “Pas largimeve më në fund arritëm të sjellim edhe përforcimin e parë, Pëllumb Jusufi. Bëhet fjalë për një futbollist mjaft kualitativ me karrierë të pasur ndërkombëtare, i cili luan në pozitën e sulmuesit. Sigurisht se do të vazhdojmë të jemi aktiv në treg, mirëpo nuk ngutemi do të përforcohemi vetëm aty ku kemi nevojë”, deklaroi Saiti. Ndryshe, Jusufi me prejardhje është në Piroku i Tetovës, ndërsa hapat e parë i ka bërë në skuadrën kroate, Dinamo Zagreb duke luajtur për të rinjtë gjatë periudhës 2000-2006, teksa ka luajtur edhe për Bonifika, Domzhale, Gorica (Slloveni), Hrvatski Dragovoljac, NK Cress (Kroaci), Dinamo Tirana, Kastriotin Tomori, (Shqipëri), Shkëndijën e Tetovës, Vysoçina Jihlava (Çeki) dhe së fundmi tek anëtari i Ligës së dytë në Finlandë, FC Jazz, teksa ka luajtur për grupmposhat U 17, U 18, U 19 dhe U 21 të Kroacisë. Në ndërkohë, nënshkrimi pa dyshim së është i mirëpritur nga trajneri Qatip Osmani, i cili në sezonin pranveror do të ketë sulmin më të fortë. Ndryshe, futbollistët e Renovës dje kanë pasur grumbullimin e parë duke filluar kështu përgatitjet dimërore për sezonin pranveror. Sipas asaj që arritëm të kuptojmë, ftesës së trajnerit Qatip Osmani i janë përgjigjur të gjithë futbollistët, përfshi këtu edhe përforcimin më të ri, Pëllumb Jusufin, por jo edhe Izair Emini dhe Ersen Asani. Emini ende nuk vendosur se a do të rinovojë kontratën apo do të largohet, ndërsa Asani është larguar dhe është në kërkim të klubit të ri. Nga klubi bëjnë të ditur se faza e parë do të realizohet në Tetovë deri më 2 shtator, ndërsa një ditë më vonë ekspedita do të shpërngulet në qendrën përgatitore në Ohër.










