“Injoranca e përberë” e intelektualëve dhe gazetarëve shqiptarë
Zejni S. Mazllami
- Pas ngjarjeve të Parisit, pati reagime dhe shkrime të panumërta nga intelektualë, publicistë, analistë, personaliteteve të shkencës, politikës dhe artit. Shumica e autorëve të këtyre reagimeve dhe shkrimeve, më thenë të vërtetën janë njerëz të shpifur, të shitur dhe të indoktrinuar. Thenë shkurt, u bë shumë zhurmë dhe nuk u tha asgjë. Thuajse të gjithë reagimet dhe shkrimet kishin të njëtat dobësi: ishin përjashtuese, paragjykuese, të pa argumentuara dhe të mbyllura në mendesinë e ngushtë të autorëve të tyre. Njerëz të cilët për lirinë e fjalës dhe shtypit nuk dijnë dhe nuk vlejnë asgjë, shkyen gojët duke vjellur injorancën dhe duke nxjerr në pah personalitetin e tyre degjenerues dhe të mjerueshwm. Shumica e atyre që u pikëlluan thellë dhe u solidarizuan me viktimat e “Charlie Hebdo” asnjëherë nuk kishin dëgjuar për këtë revistë dhe nuk kishin njohuri për veprimtarinë e “pazakontë” të saj. Mendimi dhe fjala e lirë duhet që të respektohen dhe mbrohen nga çdokush dhe çdokund, por vetëm universi dhe çmenduria janë të pakufizuara dhe ky parim duhet të vlejë për të gjithë njerëzit dhe në të gjitha vendet. Shumë nga ata “personalitete të shquara” që vite me rradhë kanë tradhëtuar, kanë shitur dhe kontrabanduar shoqërinë, popullin dhe fenë e tyre, ndezën qirinjë dhe “pinë gjakun e Krishtit” për t’u solidarizuar me heronjtë e tyre të panjohur francez. Kur lexoja reagimet dhe shkrimet e këtyre “kalemxhinjve”, “interesxhinjve”, “hilexhinjve”, tradhëtia intelektuale dhe akademike dukej shumë qartë. Në çdo rregull ka përjashtim. Në këtë gjurulldi dhe tollovi, pati edhe njerëz të moralshëm, të formuar, me njohuri të mjaftueshme të cilët përmes shkrimeve dhe studimeve objektive, lexuesit shqiptar i ofruan një mendim alternativ dhe argumentues për ngjarjet e Parisit.
- Thuajse në të gjitha mediumet e shkruara dhe elektronike përseri u dëgjua kushtrimi për luftë kundër “armiqve të Evropës dhe Perëndimit” të cilët rrezikojnë shpirtin dhe vlerat shekulariste. Kur u dëgjua lajmi, pavarësisht se nuk dihej identiteti i vrasësve, pa dyshimin më të vogël dihej besimi fetar i tyre, “ishin muslimanë”. Edhe polici i vrarë me kombësi franceze, Ahmedi ishte më pak i vlefshëm se viktimat tjera, sepse ishte musliman. Brejviku, ishte “një burrë i çmendur”, nuk ishte “terrorist i krishterë”. Fëmijet, pleqtë dhe gratë fatkeqe në Afganistan, Irak dhe në vende tjera ishin njerëz fatkeq të cilët u vranë “gjatë operacioneve paqësore”. Shumica e atyre që marshuan “për paqe dhe lirinë e fjalës së lirë” janë pikërisht dhunuesit më të mëdhenj. Që nga humanizmi dhe renesansa, qënia njerëzore është vënë në qendër të vëmendjes, por “gazetaria e shpifur shqipfolëse” këtë parim human dhe universal nuk e respekton, pasi ka standarte të dyfishta. Thjesht, vrasjet e civilëve në Lindje janë statistikë, kurse në Perëndim, akte të dhunës dhe terrorit. Nëse vritet një femijë i pafajshëm në Perëndim kjo më të drejtë përbën “kryelajmin e ditës”, kurse vrasja dhe masakrimi i dhjetëra fëmijeve në Palestinë, padrejtësisht zenë 5 sekonda në rubrikën “ngjarje nga bota”, nëse nuk harron padashje redaksia e lajmeve dhe nëse ka hapësirë. Mëritë e veçantë u takon të gjithë atyre mediave të cilat brënda aftësive dhe mundësive të tyre ofruan informim me objektiv, duke u munduar që të përzgjedhin dhe verifikojnë burimin e lajmeve.
(ps: Ky shkrim është i përgjithshëm, pra nuk është reagim ndaj ndonjë individi apo medium)









