Konkursi për polici, 80% e kandidatëve të përjashtuar janë shqiptarë!
|
Një tjetër hap prapa sa i përket përfaqësimit të shqiptarëve në Ministrinë e Brendshme. Në konkursin e fundit për punësimin e efektivëve policorë, pas 1 viti trajnimesh në Qendrën e kursit në Idrizovë, janë eliminuar 24 shqiptarë dhe vetëm 7 maqedonas. Sipas shifrave nga Ministria e Brendshme, me këtë konkurs janë pranuar 74 shqiptarë, nga 400 policë të pranuar gjithsej.
“Sipas suksesit që treguan kandidatët, me punë do të fillojnë 74 policë shqiptarë, ndërsa 24 do të pajisen me certifikata dhe në bazë të nevojës do të angazhohen në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, tha Zemri Qamili, zv/ministër i brendshëm.
Kjo nënkupton se në këtë konkurs, në mesin e të pranuarve, shqiptarët përbëjnë vetëm 18,5%, ndërsa ndër të eliminuarit ka plot 80% shqiptarë. Zv/Ministri i Brendshëm Zemri Qamili thotë se përgjegjësi për eliminimin kanë edhe vetë kandidatët, për shkak të rezultateve të dobëta.
“Fillimisht ne si Ministri kemi mbajt llogari për përqindjen e shqiptarëve, për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, që do të thotë se prej 440vë, 105 kandidatë janë pranuar shqiptarë. Megjithatë gjatë procesit të trajnimit për grumbullimin e pikëve, përgjegjësia është edhe e kandidatëve, që duhet të angazhohen më tepër për grumbullimin e pikëve”, u shpreh Zemri Qamili, zv/ministër i brendshëm.
Disa nga të eliminuarit kanë reaguar përmes një letre anonime drejtuar televizionit Alsat, duke denoncuar diskriminimin që sipas tyre u është bërë shqiptarëve në konkurs. Ata madje thonë se kanë qenë të paralajmëruar që të mos ankohen në media dhe opinion për epilogun e konkursit.
“Para se të largoheshim nga hapësirat, instruktorët dhe trajnuesit na bënë me dije dhe na kërcënuan se kjo punë duhej të lihej me kaq dhe të mos të publikohej ose të bëhet ndonjë gjë e ditur për opinionin. Brenda 30 minutave, që të gjithë u larguam”, thonë të eliminuarit.
Arsyetimi i kandidatëve shqiptarë për rezultatet e dobëta në listën e renditjes është mangësia në njohjen e gjuhës maqedonase. Zv.ministri Qamili thotë se është biseduar, por nuk është arritur marrëveshje që kandidatëve shqiptarë t’u mundësohet dhënie e provimeve në gjuhën amë. Automatikisht kjo favorizon ndjeshëm kandidatët maqedonas. Në mesin e instruktorëve dhe testuesve në Qendrën e Kursit në Idrizovë, aktualisht ka vetëm 1 instruktor shqiptarë, ndërsa të gjithë të tjerët janë maqedonas. Benjamin Arifi










