Osmani: Jam i bindur se do të përmbysen përmendoret e Aleksandrit dhe Filipit si dikur shtatoret e Stalinit - tetova1.com

Osmani: Jam i bindur se do të përmbysen përmendoret e Aleksandrit dhe Filipit si dikur shtatoret e Stalinit


rufiosmani
Kategoria: Intervista

Postuar më: Mon, Jan 19, 2015





INTERVISTË ME ISH-KRYETARIN E RDK-së DHE GOSTIVARIT, PROF.DR.RUFI OSMANI

Me profesor Osmanin bashkëbiseduam në lidhje me disa tema rreth Maqedonisë dhe gjithandej tokat shqiptare. Ai na i sqaroi disa gjëra shumë interesante lidhur me situatën aktuale në Maqedoni dhe për të ardhmen e saj. Gjithashtu, me të folëm edhe për aspektin ekonomik, por edhe për bashkëpunimin e politikanëve shqiptarë atje etj. Për më shumë, do të mësoni në këtë intervistë.

Intervistoi Dashnim HEBIBI

Si e gjeti viti 2015 profesor Osmanin?

Fillimi i vitit 2015 është një nismë e rëndomtë, me angazhime akademike, e pa risi të veçanta.

Për çfarë do ta kujtosh më shumë vitin 2014?

Viti 2014 ishte një vit i rëndomtë në të gjitha drejtimet, me disa veçori dalluese. Në Maqedoni, në skenën politike u çimentua koalicioni (BDI-VMRO), koalicion ky që definitivisht e ka shkelur demokracinë dhe shtetin ligjor dhe e ka krijuar një diktaturë të llojit të, së cilës nuk i shihet fundi. Në Kosovë, populli shqiptarë votoi kundër Qeverisë së vjetër të PDK-së, mirëpo ky vullnet u mohua nga opozita e fragmentuar falë kryetarit të AAK-së dhe për pasojë sot e kemi një qeveri PDK-LDK, që në esencë është kontinuitet i Qeverisë së vjetër, me të gjitha ‘izmat’ negative, për të cilat degjenerime populli shqiptar votoi kundër. Në Shqipëri, Edi Rama e solli Papën në Shqipëri, duke adresuar mesazhin e fuqishëm politik dhe civilizues deri te fqinjët e shqiptarëve se ne jemi komb evropian, pavarësisht nga diversiteti ynë fetar. Në planin e brendshëm, politikat e revanshizmit dhe politizimit të skajshëm të institucioneve të shtetit shqiptar rrezikojnë ripërsëritjen e gabimeve politike të së kaluarës së afërt dhe të largët politike me kosto shtesë ekonomike dhe politike. Për mua personalisht, viti 2014 ishte vit i mbylljes së kapitullit të angazhimit tim në politikë dhe rikthim përfundimtar në profesionin bazë – punës në universitet pas një shkëputjeje pesë-gjashtë vjeçare, kohë kjo që e ka koston e vonesës sime në angazhimin akademik.

Në Maqedoni po shihet se çfarë është situata politike dhe ekonomike. Po nga këndi juaj, si është situata në përgjithësi?

Është një situatë depresive në të gjitha aspektet, si pasojë e dështimit në menaxhim me resurset në përgjithësi dhe ato publike, në veçanti. Në Maqedoni ndodh fenomeni i kapjes së institucioneve të shtetit, ekonomisë dhe eliminimit të medieve të lira nga menaxhmenti politik i tandemit Gruveski-Ahmeti.

Deri kur do të vazhdojë ngërçi i moszgjidhjes së problemeve të shqiptarëve në Maqedoni?

Mungesa e unitetit politik programor dhe funksional të partive politike, në veçanti atyre me mandate në Parlamentin e Shkupit e ka efektuar vasalitetin e udhëheqësve të BDI-PDSH ndaj Qeverisë VMRO-DPMNE dhe për pasojë e kemi një situatë tragjikomike, në të cilën BDI është në Qeveri me kryeministrin Gruveski, ndërsa PDSH është në pushtet me shefin e shtetit Ivanov dhe me shefin e shërbimeve sekrete. Kjo marrëzi politike e marrjes me veten, ose thënë më saktë, e krijimit të ndërkëmbëzave dhe paralelizmave e ka rrënuar autoritetin përfaqësues të shqiptarëve dhe është shoqëruar me afera të shumta korruptive dhe diskredituese të shumë funksionarëve të lartë të BDI-së dhe PDSH-së, dosjet e të cilëve janë online në sirtarët e Qeverisë së Shkupit si alternativë kërcënimi dhe kushtëzimi. Si pasoje e dosjeve komprometuese të politikanëve shqiptarë të BDI-së, kryetari i kësaj partie shkel mbi dinjitetin shqiptar dhe historinë shqiptare dhe lejon që në stemën e Maqedonisë të inkorporohet luani, një simbol etnik sllav, thënë më saktë – bullgar. Diçka e tillë ka qenë e paparamenduar edhe në kohën e komunizmit, e lëre më tash në demokraci. Mendoj se devalvimi që u bëjnë shqiptarëve BDI-ja dhe PDSH-ja, nesër do të evidentohet si turp politik i paprecedent.

Pse po vazhdojnë përçarjet te shqiptarët?

Partitë politike në Maqedoni janë grupime ekskluzive interesi dhe kasta, të cilat në rend të parë i kanë interesat grupore dhe individuale të shefave të tyre, e më pas, nëse ka hapësirë, mund të merren edhe me ndonjë punësim të ndonjë argati partiak dhe asgjë më shumë. Është koha e fundit që dy njerëz që s’kanë çka i ofrojnë skenës politike shqiptare në Maqedoni, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, të tërhiqen nga skena politike dhe të mundësojnë ardhjen në krye të këtyre partive të njerëzve të rinj, të cilët unitetin politik do ta kenë programor dhe pragmantik, e jo mashtrim demagogjik.

Pse u tërhoqët nga politika, u lodhët nga ajo apo nga padrejtësitë?

Sot në politikë mungon dija, profesionalizmi dhe morali. Në këtë skenë politike ishte e pritur që soji i njerëzve si Rufi Osmani, Izet Zeqiri, Artan Dika dhe të tjerë të jenë të papërshtatshëm dhe për pasojë të jenë ‘humbës politikë’, duke qenë të ditur, të ndershëm dhe të pakomprometuar.

Nga politika u tërhoqa me nder, pa asnjë njollë në CV-në time personale, sepse në vitin 2011 dhe, në veçanti, në vitin 2013, në komunën e Gostivarit tandemi Ahmeti-Thaçi-Gruevski bëri atentat politik, duke na mundur me vota të vjedhura dhe të manipuluara.

Për pasojë të humbjes numerike duhet të jepet llogari dhe të tërhiqeshim nga skena politike. Skena politike në vendet në tranzicion është një skenë gladiatorësh, ku nuk ka rregulla dhe ku shteti i thyen dhe i komprometon të gjitha rregullat e konkurrimit dhe ku rezultati zgjedhor dihet para fillimit të procesit të votimit. Për pasojë shtrohet pyetja pse duhet të organizohen zgjedhje politike të manipuluara që në IJRM organizohen çdo vit dhe fituesit gjithmonë fitojnë me rezultat më të thellë, me gjithë kolapsin e përgjithshëm. Është një paradoks, se jo mahi.

Që nga viti 1992, kur u miratua Kushtetuta e parë e Maqedonisë, kërkesat politike shqiptare u injoruan. Sipas jush, këta politikanë të sotëm, apo ata që do të vijnë, do ta ndryshojnë situatën?

Menaxhimi politikë i BDI-së sot është një kopje e zbehtë e ish-PPD-së dhe PDSH-së, dhe për pasojë nuk mund të pritet ndryshimi i Kushtetutës me vasalitet dhe me nënshtrim. Pa unitet politik programor dhe pragmantik përballë pushtetit politik të maqedonasve nuk ka ndryshim të statusit politiko-kushtetutar. Të gjitha të tjerat janë mashtrime të radhës, si kënga e një politikani që tërë kohën këndon me çifteli ‘rangadanga, rangadanga -nata-dita- Brukseli, Uashingtoni’…

Me lojtarë të harxhuar politikë nuk mund të arrihen rezultate pozitive, në kohën kur kriza e rëndë ekonomike dhe sociale tashmë e riaktualizon emigrimin dhe ikjen masive të të rinjve shqiptarë dhe boshatisjen e vendbanimeve më shumice shqiptare gjithandej tokave shqiptare.

A do të mund të ndryshohet ajo kushtetutë, atëherë kur ne do të jemi në një ambient më të relaksuar politik, ekonomik, social, në kuadër të procesit të integrimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike, e ku paraprakisht do të duhet të realizohet uniteti politik shqiptar?

Është një hipotezë së cilës nuk mund t’ia japë përgjigjen as Nostradamusi. E analizoni pozitën e turqve në Bullgari, të hungarezëve në Rumani, të serbëve në Kroaci dhe do të merrni përgjigje se me gjithë faktin që këto vende janë në NATO dhe në UE, nuk ka ndryshuar asgjë në aspektin cilësor. Mirëpo, e kemi rastin e kundërt me serbët e Kosovës, të cilët me unitet të skajshëm dhe përkrahje të Serbisë e bën Republikën Sërpska në Kosovë dhe sot e kësaj dite e mohojnë shtetin e Kosovës.

Si e shihni perspektivën e Maqedonisë?

Pa eliminimin e diktaturës aktuale politike të identifikuar në tandemin VMRO-BDI dhe pa mundësimin e organizimit të zgjedhjeve të lira dhe të verifikuara ndërkombëtarisht do të vazhdojë të jetë një vend i krimit të organizuar politik, shpërnguljes intensive të të gjithëve, e në veçanti shqiptarëve, dhe do të jetë një zorrë qorre në Ballkanin Perëndimor, siç është Bosnja dhe siç janë, për fat të keq, edhe Kosova dhe Shqipëria.

Cilin propozim për emrin e përkrahni Ju z. Osmani, Republika Veriore e Maqedonisë, apo Maqedonia e Epërme?

Çdo emër që nuk përshin fjalën ‘sllav’ do të ishte i pranueshëm për shqiptarët. Në instancë të fundit, emri aktual është shumë më pak i pranueshëm për ne, se sa alternativat që i përmendni.

Nga 2006 deri më sot filloi procesi i antikuizimit të çdo gjëje, duke përfshirë aeroportet, autostradat, shtatoren e Lekës së Madh dhe të Filipit dhe veprime të tjera kulturore me prapavijë politike që u kuptuan nga Greqia si provokime të hapura dhe vjedhje të historisë antike.

Është një projekt artificial politik me tendencë që ta ndryshojë identitetin sllav të maqedonasve aktualë që për pasojë e ka bllokimin e procesit të integrimit të vendit në NATO dhe në UE, e pasojat dhe çmimi i adresohen popullit të këtij vendi, popull ky që vazhdon të votojë kundër së ardhmes së tij, sa paradoksale, aq edhe tragjikomike. Nuk humbi dhe nuk humb Greqia asgjë, NATO-ja dhe UE-ja nuk e ndryshojnë mekanizmin e votimit me konsensus. Duhet të ndryshojë politikëbërja maqedonase në vend nëse e ka seriozisht integrimin në NATO dhe në UE, aq e thjeshtë dhe e komplikuar nga politikanë të vegjël që e kanë shpallur veten ‘Aleksandër të Maqedonisë së kohës moderne’ dhe tjetri shqiptar këtu e gjen ‘Lekën e Madh të hipur në kalin e Aleksandrit’. Një marrëzi politike që nuk i shihet fundi, për fat të keq. Jam i bindur se një ditë do të përmbysen përmendoret e Aleksandrit dhe Filipit si dikur shtatoret e Stalinit dhe Enverit, sepse ka përfunduar koha e kiçit në politikë dhe histori, mirëpo do të ngelin pasojat ekonomike, sociale dhe të perspektivës së qytetarëve të këtij vendi.

Fjalimi i Fan Nolit, i mbajtur në Parlamentin Shqiptar, në vitin 1924, e identifikon anarkinë morale, patriotike, fetare, sociale dhe të idealit si arsyen kryesore të katandisjes së plotë të kombit shqiptar. Sot, pas kaq vitesh, a kemi të bëjmë me një situatë identike dhe më të zymtë në të gjitha tokat shqiptare dhe me një indiferentizëm të Qeverisë shqiptare në raport me shqiptarët në vendet tjera ballkanike?

Një gjendje e kësaj natyre, e përshkruar në mënyrë gjeniale nga Noli, kërkon shpjegim më të thellë historiko-politik. Shteti shqiptar i vitit 1913, i krijuar në më pak se gjysmën e tokave shqiptare, ishte një shtet i brishtë, me potenciale minore ekonomike, politike, ushtarake dhe diplomatike dhe i eksponuar ndaj krizave permanente të brendshme, i kufizuar me shtete shumë më të forta, si ish-Jugosllavia dhe Greqia, që tradicionalisht mbanin qëndrim mohues dhe aneksues ndaj Shqipërisë. Në këtë konstelacion të raporteve të brendshme dhe pa përkrahje ndërkombëtare, Shqipëria e të gjitha periudhave, që nga koha e Ismail Qemalit, Zogut dhe Enver Hoxhës e kishte një qëndrim indiferent dhe pa mundësi reale për t’i ndihmuar shqiptarët jashtë kufijve politikë. Raportet e shtetit shqiptar me pjesën e kombit shqiptar të mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë të vitit 1913 kanë qenë pasojë e pafuqisë së shtetit shqiptar. Një situatë e ngjashme vazhdoi edhe pas rënies së sistemit komunist dhe gjatë procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe si pasojë e faktit që në vitin 1997 Shqipëria ishte në situatë të shpërbërjes së brendshme. Ky proces ishte pasojë e shkatërrimit të skemave piramidale, proces në të cilin shqiptarët e varfër humbën mbi 50 për qindë të pasurisë kombëtare. Ky vetëshkatërrim i shtetit shqiptar në vititn 1997 ndodhi vetëm dy-tre vjet para luftës së Kosovës dhe kryengritjeve të armatosura të shqiptarëve në trojet e tyre etnike në ish-Jugosllavi. Një shtet formal shqiptar i pafuqishëm që nga themelimi dhe pa aleat të fortë ndërkombëtar, i kufizuar me fqinj me qëndrim armiqësor dhe shumë më të fuqishëm se Shqipëria determinon një pozicion konstant indiferent dhe të papërfillshëm nga fqinjët ku jetojnë shqiptarët dhe pa kurrfarë ndikimi nga pozicionin politik, ekonomik dhe etnik të shqiptarëve jashtë kufijve të shtetit amë. Shqipëria e pasçlirimit të Kosovës e ka të ndaluar të përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë dhe këtu do ta gjeni përgjigjen se pse të gjitha qeveritë shqiptare të pluralizmit kanë qenë shumë indiferente ndaj padrejtësive të shumta që në vazhdimësi u janë bërë shqiptarëve në vendet e Ballkanit Perëndimor.

A konsideroni se ndarja e shqiptareve në shtete të ndryshme ka sjellë krijimin e identiteteve të ndara dhe për rrjedhojë interesa të ndryshme të elitave përkatëse? A e vështirësojnë apo pengojnë dallimet ndërmjet elitave bashkimin politik të shqiptarëve?

Pa diskutim se ndarja për një shekull ka lënë pasoja në identitetin shqiptar në nivel të kombit, në tërësi. Sot janë vetëm gjuha shqipe dhe flamuri kombëtar dy shtylla të identitetit kombëtar që ruajnë kompaktësinë e kombit shqiptar. Diversiteti fetar, krahinor, ekonomik, social, asimetria arsimore dhe kulturore dhe kultura e ulët demokratike janë pengesa reale në integrimin modern kombëtar. Në kohën e globalizimit dhe të integrimit global, elementet ndarëse mbizotërojnë mbi ato unike, pavarësisht nga demagogjia publike dhe publicistike. Mbaj bindjen se shqiptarët, në përgjithësi, nuk kanë elita të mirëfillta politike, arsimore, ekonomike dhe kulturore. Çdo respekt përjashtimeve pozitive. Me të gjitha kriteret cilësore krahasuar me vendet e rajonit në kuptim të zhvillimit ekonomik dhe social, nivelit arsimor, GDP-së për banor, standardit jetësor, shtetit ligjor, luftës ndaj korrupsionit dhe aspekte të tjera, Shqipëria dhe Kosova radhiten në vendin e fundit në Evropë, me gjithë faktin që kanë trend zhvillimor pozitivë. Mbaj bindjen se pa një qasje sistemore institucionale në kuptim të kultivimit të përforcuar të identitetit të përbashkët kombëtar në ekonomi, arsim, kulturë, sport dhe në bashkime familjare do të mbizotërojnë ndasitë në identitete, krahasuar me identitetin e përbashkët kombëtar. Që ironia të jetë më e madhe duhet të theksojmë se në dhjetë vjetët e fundit ka me mijëra martesa të shqiptarëve nga Shqipëria me serbë dhe maqedonas, numër ky që është shumëfish më i madh në krahasim me martesat ndërshqiptare në 20 vjetët e hapjes së kufijve.

Është bërë slogan i përditshëm i politikanëve shqiptarë integrimi në NATO dhe në UE. Nëse proceset integruese ngecin ose zgjasin me dekada, çfarë duhet të bëjnë Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët në Ballkan, në ndërkohë?

Pa diskutim se integrimi në BE është një mundësi që duhet të shfrytëzohet. Problemi qëndron në pafuqinë dhe paaftësinë e Shqipërisë dhe të Kosovës për një bashkëpunim më intensiv në lëmin ekonomik si pararendëse e bashkëpunimit në fushat tjera. Nëse i analizoni investimet në sektorin ekonomik, bankar, arsimor, investimet e përbashkëta, do të konstatojmë se ato mungojnë dhe se vendet e rajonit dhe të UE-së kanë përparësi të pakrahasueshme në kapital, burime njerëzore dhe në realizimin e projekteve profitabile. Të dyja shtetet shqiptare kanë deficite të larta tregtare prej miliarda eurove, që ka kuptim se financojnë ekonomitë dhe prodhimtarinë e vendeve fqinje dhe të BE-së si pasojë e mosrealizmit të investimeve të përbashkëta ekonomike prodhuese. Institucionet ndërkombëtare, si FMN, BB, BERZH, OBT dhe UE kanë rregulla dhe standarde që janë obligative për të gjitha vendet anëtare dhe pretendentët për t’u anëtarësuar në këto institucione dhe në këtë drejtim eliminohen rregullat preferenciale, në rastin konkret për raportet Shqipëri-Kosovë. Hartimi i strategjive për bashkëpunim intensiv qeveritar dhe në sektorin publik dhe privat ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha fushat me përparësi komparative dhe në dobi të përbashkët dhe bashkëpunimi më intensiv ekonomik, kulturor dhe arsimor me shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi duhet të jetë prioritet që e shoqëron rrugën e integrimit në UE, edhe në rast se UE-ja ofron alternativën e një unioni ballkanik me status preferencial në raport me UE-në. Pas dy dekadave të zgjerimit të UE-së nuk ekziston entuziazmi i zgjerimit të mëtejmë dhe mbi të gjitha nuk ekzistojnë dobitë dhe fondet financiare që u ofroheshin vendeve aspiruese në fazat fillestare të integrimit. Duhet t’i ndërtojmë standardet e UE-së në vendbanimet shqiptare para se formalisht ta kemi rezidencë Brukselin.

Si i cilësoni reformat e fundit në arsimin universitar në Maqedoni si profesor universitar?

Rangimi i universiteteve në Ballkanin Perëndimor dhe të atyre shqiptare ndër të fundit në nivel botëror është një kriter brengosës që kërkon rishqyrtime dhe reformime serioze. Analizuar nga këndvështrimi i gjoja reformave që bëhen në Maqedoni në sferën universitare do të konstatojmë se në esencë synohet të vihet në kontroll të politikes ditore edhe arsimi universitar dhe pasuniversitar, siç është vënë në kontroll arsimi në ciklet paraprake. Nuk ka reforma cilësore pa i rritur resurset humane dhe financiare, pa e rritur kontrollin e akreditimit të institucioneve universitare dhe pa e evituar socializimin (hapjen e fakulteteve në çdo fshat dhe qytet) pa asnjë kriter. Arsimi sipëror u degradua në Maqedoni falë liberalizimit të skajshëm të institucioneve sipërore dhe regjistrimit pa asnjë kriter në universitete që i bëri kjo qeveri për motive populliste dhe për ta zvogëluar papunësinë. Nuk duhet të shërohen pasojat, por duhet të evitohen shkaqet e sëmundjes arsimore. Me ndryshimet e fundit ligjore, në esencë goditet përfundimisht autonomia akademike dhe studentore.

Vlerësimi juaj për vitin 2015?

Një vit i kontinuitetit pa optimizëm real, vit që do jetë i ndikuar shumë nga konflikti në rritje në planin ekonomik dhe të sigurisë ndërmjet SHBA-UE, në njërën anë, dhe Rusisë e partnerëve të saj, në anën tjetër. Ky konfrontim tashmë nuk është konjuktural, por është bërë strategjik dhe sistemor dhe do ndikojë negativisht, në veçanti në Evropë. Shqiptarët janë në udhëkryqin historik dhe ballafaqohen me rrezikun që ta humbin ose zbehin fitoren e fundshekullit të kaluar. Diçka të tillë nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë. Sot patriotizmi shqiptar matet me dije, ekonomi, investime dhe bashkëpunim ndërshqiptar në funksion të rikthimit të shpresës për rininë shqiptare se ardhmëria e shqiptarëve është dhe duhet të jetë zhvillimi i vendbanimeve shqiptare, e jo emigrimi masiv nëpër vendet e UE-së.

Letërnjoftim:

Prof. dr. Rufi Osmani lindi më 20 gusht 1960, në fshatin Çajlë, komuna e Gostivarit. Në Universitetin e Prishtinës i mbaroi studimet në Fakultetin Ekonomik, në vitin 1983. Në vitin 1998 i regjistroi, ndërsa në janar të vitit 2002 i përfundoi me sukses studimet pasuniversitare dhe e mori titullin magjistër i shkencave ekonomike. Në janar të vitit 2005 e mbrojti tezën e doktoraturës me temën «Bashkëpunimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, një analizë krahasimore» dhe e mori titullin doktor i shkencave ekonomike.

Në vitin 1994 u zgjodh deputet në Kuvendin e Maqedonisë. Dy vjet më pas dha dorëheqje nga posti i deputetit, pasi u kandidua dhe u zgjodh kryetar i Komunës së Gostivarit, post të cilin me ndërprerje e ushtroi deri në prill të vitit 1998. Pas ploë 6 muajsh rezistence institucionale dhe demokratike në funksion të legalizimit të flamurit kombëtar shqiptar, me rastin e ngjarjeve tragjike të 9 korrikut të vitit 1997, u arrestua dhe u dënua me 14 vjet burg, përkatësisht 7 vjet burg në instancën e dytë gjyqësore. Pas miratimit të Ligjit për amnisti, më 1999, u lirua nga burgu, pas afërsisht 2 vjetësh nëpër burgjet e Maqedonisë.

Që nga themelimi i Universitetit të Tetovës në vitin 1994 ka qenë i kyçur në strukturat e financimit dhe në procesin e mësimdhënies si ligjërues deri në vitin 2003. Deri në zgjedhjet e marsit të vitit 2009 ka punuar si profesor universitar në Universitetin e Evropës Juglindore. Ka të publikuara shumë punime profesionale, shkencore dhe publicistike në revista lokale dhe rajonale nga fusha e ekonomisë, politikës dhe arsimit. Specializimi i ngushtë në bazë të përvojës profesionale lidhet me financa dhe kontabilitet, ndërsa në bazë të hulumtimeve shkencore, me financat ndërkombëtare dhe tranzicionin ekonomik. Në zgjedhjet e 22 marsit, respektivisht 5 prillit 2009, fiton përkrahjen e shumicës së qytetarëve të Gostivarit dhe e merr mandatin e kryetarit të Komunës së Gostivarit. Është themelues i RDK-së dhe ishte zgjedhur lider, por më vonë, më 1 maj 2014, vetëtërhiqet nga ky post. Sot ai është profesor në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. (dialogplus.ch)

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net