Hashimi dhe Menduhi takohen pas 8 viteve
Pas tetë viteve takohen lideri i PDK-së, Hashim Thaçi dhe ai i PDSH-së, Menduh Thaçi. Ky takim do të ndodhë nesër në selinë e PDSH-së në Tetovë, ndërsa Hashim Thaçi do të zhvillojë këtë takim dhe vizitë në Tetovë në cilësinë e ministrit të jashtëm të Qeverisë së Kosovës, informon INA.
Marrëdhëniet midis tyre ishin acaruar që në vitin 2008, kur Hashim Thaçi në cilësinë e kryeministrit të asaj kohe kishte prishur raportet me Thaçin, dhe si shkas ishte afrimi i tij me Ali Ahmetin e BDI-së, por edhe lidhjet e tjera të si bashkëveprimtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK).
Hashim Thaçi për herë të fundit ka pasur raporte të shkëlqyera me Menduh Thaçin deri në kongresin e PDSH-së në Strugë, kur Menduh Thaçi u zgjodh për lider partiak, duke zëvendësuar Arbër Xhaferrin, një bashkëpuëtor i ngushtë i ministrit të jashtëm aktual të Kosovës në periudhën e luftës së vitit 1999 dhe procesit të pasluftës.
Marrëdhëniet e tyre të shkëlqyera ndikuan edhe në qasjen e Qeverisë së Maqedonisë ndaj Hashim Thaçit dhe UÇK-së në periudhën e viteve 1999 – 2000, kur pikërisht ishte ish-kryeministri Lubço Georgievski, që priti në një takim Hashim Thaçin, në cilësinë e kryeministrit të Qeverisë së pasluftës në Kosovë. Ky takim kishte nxitur reagime të ashpra në Beograd, por edhe në qarqet politike dhe institucionale në Shkup, pasi që një kryeministër i Maqedonisë kishte pritur njeriun e shpallur si më të rrezikshëm nga Serbia i njohur me nofkën “gjarpëri”. Hashim Thaçi nesër në Shkup është ftuar nga homologu i tij Nikola Popovski, ndërsa janë paraparë takime me kryeministrin Nikola Gruevski, presidentin Gjorgje Ivanov dhe liderët e partive politike.














