Meta-Thaçi: Shqiptarët faktor stabiliteti dhe shtet-formues në Maqedoni - tetova1.com

Meta-Thaçi: Shqiptarët faktor stabiliteti dhe shtet-formues në Maqedoni


Meta_Thaci
Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Wed, Jan 21, 2015





Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë Ilir Meta në vazhdën e takimeve me krerët politik në Shkup, takoi edhe kreun e PDSH-së Menduh Thaçi. Meta përsëriti mesazhin e vizitës së tij në Shkup, ndarjen proporcionale të buxhetit dhe përshpejtimin e realizimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

“Ne mbështesim të gjitha përpjekjet e faktorit shqiptarë për të forcuar stabilitetin në Maqedoni, në mënyrë të veçantë integrimin e tyre në të gjitha institucionet, për realizimin e plotë dhe të përshpejtuar të Marrëveshjes së Ohrit. Njëkohësisht për të shtuar mbështetjen për Maqedoninë Perëndimore, si në drejtim të buxhetit, si në drejtim të investimeve të huaja, pasi dihet që problemet sociale, veçanërisht ai i papunësisë është një problem mjaft i mprehtë, sidomos për të rinjtë”, deklaroi Ilir Meta, Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë.

Lideri i PDSH-së Menduh Thaçi theksoi se vendi aktualisht qëndron keq në dy sferat kyçe për mbijetesën e shtetit, integrimin në strukturat euro-atlantike dhe avancimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve. Ai e siguroi përfaqësuesin e shtetit shqiptar se PDSH-ja nuk do të jetë pengesë për realizimin e këtyre dy çështjeve.

“Unë e sigurova që PDSH-ja asnjëherë nuk do të jetë problemi, por do të jetë pjesë e zgjidhjes së problemit. Nuk kam ndonjë shpresë se situata do të mund të përmirësohet shpejtë, unë vetëm e sigurova kryetarin e parlamentit se PDSH-ja asnjëherë nuk do të bëhet pjesë e aventurave të pakujdesshme, qofshin politike, qofshin të tjera, për shkak se jemi shumë të vetëdijshëm për barrën dhe peshën që kemi si parti opozitare për të garantuar qetësi dhe stabilitet”, tha Menduh Thaçi, Kryetar i PDSH-së.

Meta u takua edhe me liderin e opozitës maqedonase Zoran Zaev dhe zëvendësen e tij Radmilla Sheqerinska. Bashkëbiseduesit folën për procesin euro-integrues të dy vendeve, bashkëpunimin politik dhe ekonomik, por edhe partiak mes LSDM-së dhe LSI-së.Benjamin Arifi

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net