Ilir Meta dhe Hashim Thaçi të mos përkrahin politikat e VMRO-së - tetova1.com

Ilir Meta dhe Hashim Thaçi të mos përkrahin politikat e VMRO-së


ilir-hashim
Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Thu, Jan 22, 2015





Tirana zyrtare dhe Prishtina zyrtare duhet të bashkëpunonin me të gjithë faktorin politik shqiptar në Maqedoni, qoftë në pushtet apo opozitë për një strategji të qartë për mesazhet që duhen ti përcjellin palës maqedonase për të drejtat e gjysmës së kombit shtet-formues që ne e kemi në Maqedoni. Kështu thotë në një prononcim për “Lajm”, kryetari i Aleancës Kuq e zi, Kreshnik Spahiu, duke komentuar vizitat e politikanëve të Shqipërisë dhe Kosovës në Maqedoni.

Të mërkurën dhe të enjten kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta vizitoi Maqedoninë, ndërsa të enjten do ta vizitojë Maqedoninë, Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Hashim Thaçi.

Nëse me vizitat e tyre politikanët e Shqipërisë dhe të Kosovës ndikojnë në avancimin dhe rritjen e të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë apo thjeshtë në mënyrë direkte ose indirekte mbështesin partinë maqedonase që është në pushtet VMRO-DPMNE-në, ajo varet nga ajo që ata bisedojnë prapa dyerve të mbyllura.

Analisti politik nga Kosova, Nexhmedin Spahiu thotë se nuk mund të paragjykohet pa i parë rezultatet.

“Nuk mund të paragjykojmë, pasi ata mund të kenë bërë ndonjë marrëveshje që shkon komplet në dëm të shqiptarëve e në anën tjetër del e deklaron për të drejtat e shqiptarëve. Këtë mund ta kuptojmë vetëm më vonë pasi të analizohet takimi dhe të shihen rezultatet”, thotë për Lajm, analisti Spahiu. Sipas tij nuk është e thënë që me vetë faktin e vizitave mbështesin partinë maqedonase që është në pushtet, por varet nga agjenda dhe bisedimet që bëjnë edhe Meta edhe Thaçi.

“Sidoqoftë në interesin e shqiptarëve në Maqedoni nuk është që në Maqedoni të ketë regjim autoritar, një qeveri që është tepër e fortë në kuptimin e numrave në parlament”, thotë ai.

Ndërkaq, deklarata e Metës që kërkoi investime në rajonet shqiptare, sipas analistit Spahiu, varet nga rrethanat që është thënë. “Varet se si është thënë, nëse është thënë sa për të larë gojën, apo ka ndonjë marrëveshje ekonomike apo diçka tjetër ku me të vërtetë mund të ketë avancim të shqiptarëve”, thotë analisti Spahiu.

Ndërsa kryetari i Aleancës Kuq e zi, Kreshnik Spahiu thotë se takimet në diplomaci rekomandohen, por shqetësuese sipas tij është fakti se politika shqiptare në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup ka qëndrim të paqartë për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.

“Në diplomaci rekomandohen takime sa më të shpeshta dhe jo mbyllje të dyerve për kontakte me qeveritarët dhe zoti Meta në Shqipëri në përgjithësi njihet si një nga politikanët e moderuar dhe do të ishte më i pranueshëm zhvillimi I takimit sesa refuzimi I takimit.

Nga ana tjetër ajo çfarë është shqetësuese është se politika shqiptare në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup e kanë të paqartë dhe tërësisht të pa konsoliduar qëndrimin për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. Aq të pa konsoliduar e kanë sa koalicioni qeveritar në Shqipëri në kontaktet e para me palën maqedonase I ka konsideruar shqiptarët në Maqedoni si minoritet dhe jo si komb shtet formues, madje duke vënë paralele të turpshme si barazia e të drejtave minoritare të shqiptarëve në Maqedoni me atë të maqedonasve në Shqipëri”, thotë kreu i Aleancës Kuq e zi.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net